Rama: Ligji i ri na shkëput nga e kaluara, të mbrojmë të ardhmen nga errësirat e të shkuarës

507
Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit nderoi kujtimin e grupit të deputetëve të asgjësuar 70 vjet më parë. “Dritë mbi të kaluarën, për të mbrojtur të ardhmen nga errësirat e të shkuarës”. Me këtë deklaratë, kryeministri Rama dha mesazhe të forta lidhur me atë, se si duhet të jetë politika në dobi të njerëzve. Në fjalën e tij në këtë seancë, kryeministri Edi Rama deklaroi se ligji për hapjen e dosjeve përbën një hap përpara për Shqipërinë, e cila, sipas tij, do të radhitet përkrah atyre vendeve që e kanë lënë të kaluarën pas. “Ligji për hapjen e dosjeve, pas 25 vjetësh e bashkoi Shqipërinë me vendet që kaluan ferrin komunist dhe që vendosën të ndahen me të, jo thjesht duke ndërruar sistemin dhe kostumet, por duke guxuar të bëjnë dritë mbi të shkuarën”, deklaroi Rama. Kreu i qeverisë ka theksuar se, dosjet për 25 vjet janë përdorur politikisht nga persona që nuk kanë pasur vullnet për hapjen e tyre. Ndërsa “Ligji i sotëm na pajis me mjete hulumtimi në funksion të një misioni human. Unë jam krenar që jam në krye të një qeverie e shumice që këtë mision e mori përsipër, pasi të tjerë para nesh nuk patën kurajën apo nuk gjetën kohën që ta merrnin”, ka thënë më tej Rama. Sipas tij, ato dosje janë një gur i rëndësishëm kilometrik në rrugën e hedhjes dritë mbi të shkuarën, e cila, sipas tij, do të jetë e dhimbshme, “por nuk do të lejojë që e kaluara të mbajë peng të ardhmen tonë”, shtoi Rama.
Sigal