Rama: Kuvendi duhet të kthehet në binarë, jo sallë mitingjesh për PD!

419
Sigal

TIRANE – Kryeministri Edi Rama në një prononcim për mediat në përfundim të seancës së sotme parlamentare e cila zgjati vetëm 15 minuta, tha se është shumë e rëndësishme që Kuvendi të rikthehet në binarët e ligjshmërisë dhe të respektohet rendi i ditës.

Sipas tij, Kuvendi nuk duhet të kthehet në një sallë mitingjesh nga ana e opozitës, siç nënvizoi ai që ka ndodhur deri më tani nga ana e Partisë Demokratike, por duhet diskutuar dhe votuar ligjet për të cilët deputetët janë zgjedhur.

Sa i përket çështjes “Doshi” dhe akuzave të opozitës, Kryeministri Rama theksoi se duhet lënë hetimi të flasë, dhe vetëm organet e drejtësisë do të mund t’i japin fund kësaj telenovele të shëmtuar.

“Jam i bindur që gjithçka ndodhi dhe shkaktoi gjithë trazirën psikologjike për shoqërinë gjatë këtyre ditëve, do të kthehet në një mirësi për politiken dhe për ndërveprimin shoqëror dhe politik, por për këtë duhet të presim me durim përfundimet e hetimit, sepse hetimi i plotë, i paanshëm dhe për çdo detaj i kësaj çështje do të mund të japë përfundimin që kërkon publiku dhe do të mund të tregojë të vërtetën e të gjithë kësaj telenovele të shëmtuar. Së dyti besoj se gjithçka po ndodh të sjellë edhe parlamentin më në fund në binarët e rregullores dhe të bëjë të mundur që  ky parlament të prodhojë atë për të cilën është zgjedhur. Të prodhojë ligjet, për të cilat ne jemi në krye të vendit. Dhe së fundi dua të rinënvizoj se në këndvështrimin tim duhet të reflektojë thellë edhe media, pasi besoj që media mund të bënte dhe bëjë shumë më tepër për transparencën e plotë për çështjen bazuar mbi fakte dhe prova, por edhe nga ligjshmëria në Shqipëri. Unë kam qenë gjithnjë i bindur se toleranca e tepruar ndaj kësaj opozite që kërkon ta përdorë parlamentin për mitingje, sepse praktikisht kemi pasur një pafundesi seancash janë kthyer në mitingje brenda parlamentit, është një tolerancë që nuk sjell asgjë veçse vetë degjenerimin e parlamentit dhe jam i bindur se pas kësaj parlamenti duhet t’i kthehet rregullores dhe të respektohet. Jam i bindur se populli është i qartë në gjithçka po ndodh, për të gjithë ata që në vend që të bëjnë detyrën e të zgjedhurit të popullit, kanë vetëm një hall, hallin e tyre.” tha Kryeministri Rama

Seanca e sotme, edhe pse nisi ashtu siç ishte parashikuar, me tensione, zgjati vetëm 15 minuta me Kreun e Kuvendit Meta që pavarësisht bllokimit të foltores nga deputetët e PD apo edhe zhurmës së shkaktuar prej tyre, vijoi me rendin e ditës duke votuar projektligjet.