Rama kthehet nga SHBA, takim me Metën. Asnjë mesazh për mediat

420
Menjëherë pas kthimit nga samiti i OKB-së në SHBA, Kryeministri Edi Rama i është drejtuar më këmbë Kryesisë së Kuvendit për të takuar kryeparlamentarin Ilir Meta. Sipas burimeve nga Kuvendi, takimi mes dy liderëve ka qenë kokë më kokë, ndërsa mendohet të jenë diskutuarr çështjet më të nxehta të aktualitetit.
I pari, rreth orës 15:30, në Kryesinë e Kuvendit ka mbërritur Meta ndërsa Rama ka mbërritur rreth orës 16:00. Megjithë seriozitetin e takimit, kryeministri ka qenë i veshur casual dhe me duart në xhepa ka hyrë në kryesinë e Kuvendit.Pas takimit që ka zgjatur për 100 minuta, kryeministri Rama ka dalë nga ambientet e kuvendit, duke preferuar të mos japë asnjë koment për gazetarët.

Takimi ka përfunduar rreth orës 17:35, ndërsa i pari që ka lënë godinën e Kuvendit ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili nuk ka preferuar të flasë për mediat. Ai u është drejtuar gazetarëve duke iu uruar një fundjavë të qetë. “Meritoni një weekend të qetë!”, ka thënë kryeministri. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta e ka lënë zyrën e tij në orën 18 e 15 minuta.

Megjithëse nuk dihen ende zyrtarisht temat e këtij takimi, çështja e CEZ mendohet të ketë zënë një vend të rëndësishëm në diskutime dhe po ashtu pritet që në ditët në vijim t’i jepet përgjigje zërave për një krisje të koalicionit.
Pas mbylljes së takimit me kryeministrin Rama, Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka hyrë në Kryesinë e Kuvendit. Pas disa minutave ai ka dalë prej godinës, duke pohuar se ishte takuar me kreun e Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.
Sigal