Rama: “Korporata e Gjyqëtarëve janë biznesmenët e rinj të këtij vendi

463
Sigal

 Kryetari i PS-së prezanton programin rozë para biznesmenëve

Kryesocialisti i ka treguar dje përfaqësuesve të biznesit, strategjinë që do të ndjekë selia rozë, në rast të fitores më 23 Qershor. Partia Socialiste ka mbledhur në një tryezë të përbashkët përfaqësues të biznesit e sipërmarrjes në vendin tonë duke prezantuar programin “Për një Rilindje Kombëtare”. Kryetari i PS, Edi Rama bëri një ekspoze të hapave që siç theksoi ai, do të ndërmarrë për biznesin qeverisja socialiste pas 23 Qershorit. Rama vlerësoi se PS-ja e shikon biznesin si një partner me rëndësi dhe se do të diskutojë me të çdo ide dhe vendim. “Një qeveri që e konsideron biznesin si një lopë për ta mjelë shkon tej interesave të vendit. Vetëm një qeveri që e konsideron biznesin partner dhe ka detyrime të përbashkëta dhe reciprocitetit, një qeveri e tillë mund të nxjerrë vendin nga kriza. Deri në fund të vitit 2013, ne do ulemi sërish dhe do diskutojmë mbi një parim që unë dua ta ndaj me ju, se atdheu është sfida jonë i përbashkët”.

Gjykata Administrative

Kryetari i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka i kërkuan Kryetarit të PS-së, Edi Rama, që PS-ja të votojë ligjin për Gjykatën e Lartë, për t’i dhënë mundësi që të ngrihet gjykata Administrative, ose, të ndajë nga p/ligji për Gjykatën e Lartë çështjen e Gjykatës Administrative, që ta votojnë me përparësi, sepse, siç tha Kryetari i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, funksionimi i Gjykatës Administrative do të ndihmojë shumë ngërçe e probleme që ka biznesi në Shqipëri në marrëdhëniet me administratën publike. Lidhur me interesin e biznesit mbi gjykatën Administrative, Rama tha se, biznesi nuk ka nevojë për një institucion të tillë, që sipas tij do të shërbente më shumë si thertore. “Ajo gjykatë do jetë një thertore tjetër për ju e për gjithë ata që theren në gjykata. Se drejtësia sot është kthyer në mall, siç blihet në Gjykatën e Lartë dhe do shitet. Gjykata e merr dhe e shet drejtësinë. Nuk mund të ketë drejtësi nga dyert e gjykatave, por nga respektimi i ligjit e të drejtave me kushtetutë nëse pushteti ekzekutiv shkel meritën e të gjithave, gjykata ca do bëjë do adoptohet e sillet si një koorporatë biznesi njësoj si ju. Janë njësoj si ju, por nuk quhen biznesmenë, por gjykatës”, tha Rama lidhur me interesin e biznesit rreth Gjykatës Administrative. Në këtë moment Rama është mbështetur edhe nga një grup biznesmenësh, të cilët kanë ngritur probleme dhe kanë shtruar pikëpyetjet e tyre për këtë argument.

Masat ekonomike për biznesin

Rama numëroi disa nga hapat urgjentë që do të ndërmerrte në vitin e parë të qeverisjes

-Shlyerja e detyrimeve të qeverisë mbi çdo fushë.

Brenda 9- mujorit të parë të gjitha borxhet e punëve publike do shlyhen dhe nuk do krijohet asnjë borxh i ri.

-Rimbursimi i TVSH është kërkesë juaj dhe reflektimi ynë është që, vetëm TVSH e parimbursuar, gjobat detyrimet publike të palikujduara, vetëm këto e çojnë taksën e sheshtë në 22% të tatimfitimit dhe ne do rikonceptojmë të gjithë zinxhirin e tvsh dhe nuk do ketë më vonesa që administrata ka ndaj biznesit dhe do likuidohen në kohë.

-Produktet ‘Made in albania’

Ne duam që kushtet dhe standardet të jenë evropiane, bashkërisht me njëherë do evidentojmë barrierat fiskale që vonojnë eksportet dhe do eliminojmë të gjitha taksat për importin”.

Gjobat dhe taksat

Rama ka theksuar më tej se, sipërmarrësit sot ndodhen nën presion si pasojë e taksave dhe e gjobave që u vendosen nga qeveria.

“4 876 subjekte janë gjobitur me gjoba marramendëse, që përbëjnë 350% të të ardhurave të bizneseve. 280 milionë dollarë është gjoba, që u rëndon bizneseve. Përtej gjobës, si fakt financiar, qëndron e gjithë barra e presionit psikologjik mbi bizneset. Vazhdon presioni, pa asnjë ndryshim pas ankesave të hapura publike të biznesit dhe mosreagimi i qeverisë është absolutisht i qëllimshëm në këndvështrimin tonë. Jo më pak se 150 milionë euro është shuma e mbledhur për shkak të vonesave në rimbursimin e TVSH-së, bizneseve. Ky është një shqetësim që shkon në rritje për perspektivën e sipërmarrjes, për çdo biznes që nuk është i lidhur me “oborrin e qeverisë” ka shtuar Rama.

 Taksa e sheshtë dhe ajo progresive

Rama i mëshoi projektit për taksën progresive duke nxjerrë në pah sipas tij, antivlerat që ka taksa e sheshtë. “Ne kemi bërë të qartë se nuk e pranojnë sistemin aktual të taksimit. Për ne, taksa e sheshtë kështu siç është konvertuar përbën një parimësi që nuk përputhet me vizionin dhe vlerat tonë, ndërkohë që progresiviteti përbën një vlerë të pazëvendësueshme. Ne do ta ndryshojmë sistemin e taksimit duke e hequr barrën e taksës së sheshtë nga të ardhurat personale. Gjëja e parë në krye të punëve ku ne besojmë se do jemi pas 23 qershorit do të jetë çlirimi i biznesit nga gjithë këto zinxhirë, hallka, mekanizma mbytës që e kanë sjellë ekonominë shqiptare në këtë derexhe. Taksa e sheshtë kështu si është konceptuar përbën një parimësi që nuk përputhet me vizionin dhe vlerat tona, ndërkohë që progresiviteti përbën një vlerë të patjetërsueshme në kontributin e çdo individi, bazuar në të ardhurat e tij personale. Ne do ndryshojmë sistemin e taksimit, duke hequr barrën e taksës së sheshtë dhe duke përcaktuar një trajektore agresiviteti që kush fiton më pak do paguajë më pak dhe kush fiton më shumë do paguajë më shumë”.

 Koncesionet

Kryetari i PS theksoi se kur socialistët të vijnë në pushtet do mbështesin çdo koncesion që ka qenë transparent dhe ka zbatuar ligjin dhe në vijimësi, ndërsa ka theksuar se do të zhbëjë çdo kontratë koncensionare që ka bërë të kundërtën.

“Ne do mbështesim të gjitha ato kontrata koncensionare që janë bazuar tek ligji dhe me transparencë të plotë. Do rishikojmë të gjitha koncesionet, të gjitha. Do çojmë përpara të gjitha kontratat që janë në rregull dhe do zhbëjmë çdo koncesion që nuk ka zbatuar ligjërisht kontratën dhe nuk është futur në rrugën e zbatimit në mënyrë të pajustifikueshme. Nga ana tjetër nuk do lejojmë që të jetojmë më në tregun e zi të koncesioneve. Do të rishikojmë shitjen e HEC-eve për një copë bukë”.

300 mijë vende pune

Në fjalën e tij në tryezën me përfaqësi nga biznesi, Rama theksoi dhe vendet e reja të punës që do të hapë qeveria e re. “Do hapim 300 mijë vende pune dhe këtë gjë jemi të vetëdijshëm se do e realizojmë vetëm duke vlerësuar një partneritet të ri me biznesin në gjithë territorin e Shqipërisë”.