Rama: Kompetencat, 100 ditë afat për ministrat e zv/ministrat e rinj

Kryeministri Edi Rama thirri në një mbledhje të posaçme të qeverisë 33 zëvendësministrat e rinj dhe u kërkoi drejtuesve të ministrive të punojnë në ekip gjatë mandatit të dytë. “Asnjëherë më parë, në të vërtetë në kujtesën e këtyre 27 viteve, nuk është bërë një proces si ky që zhvilluam këtë herë për të mbledhur propozime, hulumtuar ‘curriculm vitae’ dhe seleksionuar kandidatura zëvendësish të ministrave. Asnjëherë më parë, një qeveri e Shqipërisë, nuk ka pasur në drejtimin e dikastereve qendrore skuadra si këto që krijuam në një proces ku shkuam përtej kufijve të vjetër politikë e partiakë, me qëllimin e mirë që të identifikojmë dhe të përhedhim pjesëtarët e duhur të çdo skuadre edhe në frymën e mandatit kuqezi që kemi marrë”, u shpreh Rama. Sipas tij, asnjëherë më parë, anëtarët e kabinetit qeveritar, nuk kanë pasur në tavolinën e vendimmarrjes së tyre një rreth njerëzish si ekipet që do të kenë nga sot e tutje, për katër vjet me radhë. “Jemi vetëm tek premisa e mirë, e cila kërkon dëshirë të mirë, vullnet të mirë, durim të madh, nga ministrat në radhë të parë, po edhe nga çdo zëvendës dhe zëvendëse e tyre, për të krijuar skuadër, menduar në skuadër, vendosur me skuadrën, punuar si skuadër”, tha Rama. Për kryeministrin, kjo nuk është e lehtë, sepse tradita është kundër kësaj frymë e qasjeje të re, që ka përcaktuar, jo vetëm procesin e zgjedhjes së zëvendësministrave, po krejt procesin e reformës strukturore të qeverisë e të institucioneve të varësisë ku ne kemi hyrë. “Tradita është kundër diskutimeve të brendshme në tavolinën vendimmarrëse të çdo ministrie. Tradita është kundër delegimit real të përgjegjësive tek ministrat për fusha, programe dhe projekte të caktuara. Por është jo thjesht e mundur, po e domosdoshme për të bërë suksesin që duam dhe duhet me patjetër të bëjmë. Prandaj edhe kërkesa ime për çdo ministër është: Bëni të mundur që vizioni juaj të udhëheqë skuadrën tuaj; lidershipi juaj të diktojë rrugën dhe ritmin e skuadrës suaj; vëmendja juaj të bëjë që çdonjëri dhe çdonjëra nga zëvendëset dhe zëvendësit, të dëgjohet me predispozitë të plotë, të ketë akses të plotë në vendimmarrje, si edhe fuqi të plotë në fushën apo në operacionet ad hoc që do të mbulojë me porosinë dhe orientimin tuaj”, tha Rama. Ai u la afat 100 ministrave e zv/ministrave. “Kemi 100 ditë për ta kolauduar plotësisht këtë mekanizëm të ri, po ju vetë duhet të uleni menjëherë për të diskutuar e vendosur mesveti, detyrat konkrete të çdo zëvendësministri dhe zëvendësministre në këtë rrugëtim”, u shpreh Rama.