Rama kërkon mbështetjen e Brukselit dhe Londrës

441
Sigal

Kryesocialisti ka fluturuar dje drejt dy kryeqyteteve evropiane për të prezantuar strategjinë rozë për zgjedhjet e përgjithshme

Pasi ka zbritur një ditë më parë nga autobusi i “Rilindjes” që udhëtoi drejt Beratit, nga bordi i të cilit Edi Rama, së bashku me kandidatët për deputetë zhvilloi një konferencë shtypi, kryesocialisti ka udhëtuar drejt kryeqyteteve evropiane. Dje pasdite, kreu i selisë rozë, ka fluturuar drejt tempujve të politikës evropiane, për të kërkuar mbështetjen ndërkombëtare të Brukselit dhe Londrës, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Nga Rinasi ai është nisur i shoqëruar me disa krerë të bashkive kryesore siç është Durrësi dhe Korça, si Vangjush Dako dhe Niko Peleshi, si edhe i shoqëruar nga z. Fate Velaj. Agjenda e vizitave të tij në Bruksel dhe Londër do të synojë afrimin e sa më shumë aleatëve ndërkombëtarë për mbështetjen e Partisë Socialiste, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por kjo vizitë, e cila bëhet edhe me pjesëmarrjen e krerëve të disa bashkive, synon përgatitjen e kryebashkiakëve për t’i kaluar në të ardhmen drejt politikës aktive parlamentare. Gjatë javëve të fundit në Shqipëri kanë ndodhur plot konflikte politike, të shoqëruara me konfuzion dhe sulme partiake, duke filluar nga transferimet e partive brenda koalicioneve të ndryshme e deri te kalimet e deputetëve nga lista rozë në listën blu ose anasjelltas. Këto paradokse kanë çuditur në një farë mënyre edhe ndërkombëtarët, të cilët janë zënë në befasi qysh në momentin e ngjarjeve në KQZ, e deri te kandidimi i forcave të majta me kandidatë të djathtë, apo anasjelltas. Kështu për të sqaruar ndërkombëtarët për zhvillimet e fundit, por edhe për të garantuar mbështetjen e tyre, Rama u nis dje nga Rinasi me agjendë të përcaktuar takimesh në dy qytetet kryesore të politikës evropiane. Deri tani rolin kryesor në formatimin e së majtës shqiptare në pragun e zgjedhjeve parlamentare e kanë luajtur krerët e Internacionales Socialiste, të cilët kanë mundësuar shkëputjen e Metës nga Berisha dhe hartimin e një platforme të përbashkët PS-LSI, për garantimin e shumicës dhe zgjedhjen e qeverisë. Edi Rama ka fluturuar  drejt Brukselit për të zhvilluar takime të nivelit të lartë dhe për të krijuar kontaktet si kryeministër i ri i vendit. Burime nga selia rozë bëjnë me dije se vizita e djeshme e Ramës në Bruksel do të pasohet sot nga agjendë e ngjeshur në Londër, ku do të takohet me përfaqësues të shtetit ishullor. Në këto takime Edi Rama shoqërohet nga Niko Peleshi, Vangjush Dako, Fate Velaj, etj. Është e disata herë që Rama shkon nëpër shtete të ndryshme evropiane ku pritet me interesim nga drejtuesit evropianë. Pak ditë më parë ai ishte në Austri ku zhvilloi takime me presidentin e vendit dhe pak ditë më vonë ishte në Danimarkë në takim me kryeministren e këtij vendi.