Rama: Kandidati për president mund të jetë edhe nga diaspora

548
Në një intervistë për “dialogplus” media shqiptare në Zvicër Kryeministri Edi Rama është shprehur se Presidenti i ri i Shqipërisë mund të jetë edhe nga diaspora.

“Këtë nuk e kam menduar, por faleminderit se më dhatë një ide. Nuk e përjashtoj asnjë mundësi. Kandidati mund të jetë edhe nga diaspora”.

Në këtë intervistë Rama është ndalur te situata politike në Ballkan dhe rreziku i ndryshimit të kufijve, mbi rritjen e ndikimit rus, marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë si dhe mungesën e vizionit strategjik të BE-së në rajon.

Për klimën politike në Ballkan kryeministri Edi Rama shprehet:

“Vetëm Shqipëria ka mbetur oaz stabiliteti dhe që nuk ka arsye të ketë krizë pavarësisht protestës së Opozitës. Nëse mbyllet perspektiva europiane, nëse dështon anëtarësimi në BE, atëherë në Ballkan hapet debati për kufijtë”

Për atë që Shkupi e konsideron platformë e Tiranës, Rama thotë se ka patur kënaqësinë të ndihmojë komunikimin mes partive shqiptare, por nuk ka qënë pjesë e hartimit të kësaj platforme.

Për marrëdhënien me Erdogan, kryeministri thotë se Turqia është partner strategjik, por destinacioni ynë është Bashkimi Europian. I pyetur nëse ka pasur presion për të mbyllur institucione të ndryshme të cilat Qeveria e Turqisë i akuzon si gyleniste- Rama thotë se “marrëdhëniet me Turqinë janë shumë miqësore, nuk është një marrëdhënie që është ndërtuar me presione”.

Kryeministri Edi Rama viziton të premten Zvicrën, që e cilëson një vend “monoton” term që e shpjegon kështu:

“Unë flas për monotoninë e demokracisë funksionale dhe në këtë rast jam si dhelpra që nuk arrin dot rrushin dhe thotë s;më hahet. Por, patjetër që Zvicra është një planet tjetër. Pikërisht për këtë fakt ta mbyllim me atë konkluzionin tonë se më mirë kjo rrëmuja jonë gazmore, se sa monotonia vdekjeprurëse e Zvicrës.”

Rama premton se shpejt do të ketë një linjë ajrore mes Zvicrës dhe Shqipërisë, që shqiptarët ta kenë më të lehtë të vizitojnë atdheun e tyre.
Sigal