Rama: Ja kutia ku të denonconi korrupsionin në zyrat e shtetit

529
Sigal

TIRANE – Çdo qytetar i cili has vonesa ligjore nga shërbimi i institucioneve të shtetit nga sot do të ketë mundësinë t’ia adresojë ankesat vetë kryeministrit apo krerëve të dikastereve përkatëse të qeverisë. Kjo do të realizohet përmes nismës më të re “Kutia e Shërbimeve Publike”, një hapësirë e veçantë online ku çdo personi i jepet mundësia të ankohet kundër shkeljeve që mund të hasë në marrjen e shërbimeve në polici, gjykata apo institucione të tjera.
 
Përmes plotësimit të formularit me të dhënat personale apo edhe me dokumente që faktojnë mungesën e shërbimit në zyrat e shtetit, kushdo mund t’i “ankohet” në mënyrë të drejtëpërdrejtë Kryeministrit dhe ministrave.
 
Kreu i qeverisë Edi Rama e ka konkretizuar i pari hapjen e “Kutisë së Shërbimeve Publike” online për qytetarët në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, ku i ka kushtuar një hapësirë të posaçme këtij shërbimi.
 
“Mirëmëngjes! Sot po Ju vë në dispozicion KUTINE E SHERBIMEVE PUBLIKE, ku cilido mund të regjistrojë ankesën për një shërbim të vonuar jashtë afatit ligjor. Kjo kuti është një mundësi e re që, së bashku, të punojmë me këmbëngulje për të rritur cilësinë e shërbimeve të shtetit ndaj publikut. Mos ngurroni të më bëni drejtëpërdrejtë me dije problemet tuaja me zyrat e shtetit”.
 
Duke shprehur konstatimin se shteti jonë gjendet ende larg shërbimit në cilësinë e duhur për qytetarët, Rama beson se denoncimi i njerëzve të korruptuar në zyrat e shtetit do të jetë një hap pozitiv për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.
 
Jam i vetëdijshëm që jemi ende larg shtetit që shërben në afatin e duhur dhe me dinjitetin e cilësinë e duhur. Por jam po ashtu shumë i bindur që, duke ndihmuar njëri – tjetrin, në luftën me zvarritës të paaftë apo të paturp e të korruptuar, të cilët nuk mungojne e Ju bëhen nganjëherë pengesë e pakalueshme në sportelet e zyrat e shtetit, do të bëjmë një punë të vyer në rrugën e ndërtimit të Shqipërise moderne europiane
 
 Edi”
 
Kreu i qeverisë e lancoi këtë nismë në shënimin e 102-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ndërsa inauguroi në Vlorë Zyrën e Shërbimit Unik në Policinë e qytetit bregdetar.