Rama “izolon” ministrat në Llogara, nis puna për programin

584
Kryeministri mbledh të zgjedhurit prej tij për t’u përgatitur për ndryshimet e shumta në dikastere dhe vendimet e para
Vetëm disa orë pasi kryeministri Edi Rama i dha fund pritjeve dhe bëri publikë emrat e kabinetit të ri qeverisës, ashtu si katër vite më parë, ata janë mbledhur në një takim jozyrtar në Vlorë. Mësohet se takimi, i cili është parashikuar të zgjasë dy ditë, është thirrur nga vetë kryeministri Rama dhe veç ministrave të rinj në të do të jenë të pranishëm dhe Gramoz Ruçi, emri i propozuar për kryetar të Kuvendit dhe Taulant Balla, i propozuari për kryetar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ky grup parlamentar do të ketë 74 anëtarë, duke pasur mundësinë të miratojë i vetëm projektligjet e dërguara nga qeveria në Kuvend. Në takimin e ministrave të ardhshëm në një vendpushimi në Llogara do të diskutohet edhe mbi skemën e re qeverisëse dhe funksionimin e dikastereve të krijuara rishtazi, përbërjen dhe drejtimin e komisioneve parlamentare, si dhe ristrukturimin e Partisë Socialiste në të gjitha degët. Edhe në nisjen e mandatit të parë, katër vite të shkuara, Rama ndoqi praktikën e mbledhjeve paraprake me ministrat e zgjedhur për të qeverisur. Në bazë të strukturës së shpallur nga kryeministri Edi Rama do të ketë shumë ndryshime në përbërjen e brendshme të ministrive, ndërsa propozuar edhe shkrirja e rreth 40 agjencive dhe institucioneve qendrore. Një punë jo e vogël e pret ekzekutivin e ri për të riformatuar strukturat e brendshme të dikastereve, si dhe për të bërë ndryshimet e duhura në ligjin për buxhetin e shtetit, në mënyrë që të ketë përputhje mes ministrive të reja dhe fondeve përkatëse. Gjithashtu, ndryshime do të pësojë edhe projekt-buxheti i shtetit për vitin 2018, që ka nisur të hartohet tashmë në Ministrinë e Financave dhe që duhet të pasqyrojë ndarjen e re të sektorëve e ministrive. Përveç kësaj, një ndër vendimet e para të Kuvendit të ri do të jetë edhe miratimi i Aktit Normativ për ndryshimet në buxhet, të miratuar nga qeveria disa javë më parë. Në bazë të Kushtetutës, seanca e parë e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit duhet të zhvillohet rreth datës 10 shtator. Pas mbylljes së procedurave të para, si verifikimi i mandateve dhe zgjedhja e kryeparlamentarit, socialistët do t’i kërkojnë zyrtarisht Presidentit të Republikës, Ilir Meta, të ngarkojë Edi Ramën me formimin e qeverisë së re. Do të jetë Rama që duhet të dërgojë në Presidencë emrat e ministrave, të shpallur tashmë, dhe me dekretet “në dorë” të shkojë përpara deputetëve për të marrë votëbesimin. Kryeministrit dhe ministrave të tij do t’u duhet të kthehen në Presidencë, ku përpara Ilir Metës do të bëjnë betimin, i domosdoshëm për nisjen e detyrës. Vetëm më pas, shefi i qeverisë do të mund të nisë realisht zbatimin e premtimeve të deklaruara në mënyrë publike, gjatë fushatës apo në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare. 
Analistët: Rama nuk foli për ekonominë
Studiuesit e jetës politike pohuan se shkurtimet e ndjeshme në administratën publike janë risia e kabinetit të ri qeveritar të publikuar nga kryeministri Edi Rama. Por ata theksojnë se zoti Rama ende nuk ka shpalosur programin qeverisës dhe ambiciet në ekonomi, për të cilat qytetarët janë më shumë të interesuar. Analistë dhe studiues të jetës politike të Shqipërisë japin komente të ndryshme lidhur me strukturën dhe ndërtimin e qeverisë socialiste në mandatin e dytë. Profesor Roland Lami i UET vlerëson sidomos shkurtimet në administratën publike. Ndërsa sipas drejtuesit të Institutit të Studimeve politike, dr. Afrim Krasniqi, qeveria e re është në përputhje me projektin që kryeministri Edi Rama shpalosi gjatë fushatës së fundit zgjedhore. Megjithatë emrat duhet të ishin miratuar në kryesi, sipas statutit të partisë, që kërkon një konsultim, tha ai, edhe pse sjell shkurtime drastike në administratë. Pjesa dërrmuese e ministrave emërohen për herë të dytë, pohojnë studiuesit, dhe nuk ka asnjë surprizë se çfarë dinë të bëjnë ata. Por mbi të gjitha, në mbledhjen e socialistëve nuk u fol për ekonominë, pohuan studiuesit. Analistët vërejnë se në mbledhjen e fundit kryeministri Rama, jo vetëm nuk foli për ekonominë dhe qeverisjen, por nuk renditi asnjë premtim apo program qeverisës për 4 vitet e ardhshëm. Studiuesit pohojnë se marrëdhëniet e shumicës me opozitën mbeten ende një kapitull i pandriçuar, nëse do të bashkëpunojnë për reformat, si u tha nga 17 maji apo do të jenë të acaruara. Ata janë të ndarë në vlerësimet nëse opozita do të jetë apo jo e aftë dhe e organizuar për t’u përballur shpejt me abuzimet e një pushteti me shumicë të plotë në mandatin e dytë të një qeverie nga një parti e vetme.
Sigal