Rama, interpelancë me Vangjel Dulen për prishjen e kishës në Dhërmi

462
PBDNJ e ka cilësuar si akt vandal shembjen e kishës në Dhërmi, më 26 gusht 2015. Në një interpelancë me kryeministrin Rama, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule tha se askush nuk do ta kishte menduar se në një shtet laik si i yni, kryeministri do të shembte një objekt fetar. “Laicitetin e vendit e kemi të sanksionuar në Kushtetutë. Ju zoti kryeministër vajtët në Paris dhe i treguat botës se kishit marrë me vete 4 përfaqësues të komuniteteve fetare, për të treguar harmoninë midis feve. A mund të imagjinonte ndokush që kryeministri i vendit do të shembte një objekt fetar? Dhe megjithatë juve e bëtë zoti kryeministër, në orën katër në të gdhirë të datës 26 gusht, ndërmorët aktin më të errët në lidhje me të drejtat e njeriut, lirisë dhe të drejtave fetare”- deklaroi Dule. Duke iu përgjigjur akuzave të kreut të PBDNJ-së, kryeministri theksoi se në Dhërmi u prish një objekt pa leje, që sipas tij nuk kishte qenë kishë asnjë ditë të vetme. Sipas Ramës, kanunet kishtare dhe estetike të përbotshme, na mësojnë se jo çdo objekt kulti meriton të quhet kishë. “Më keni thirrur në një interpelancë të gabuar, por detyra ime është ti jap përgjigje çdo deputeti. Ngrehina e rrëzuar për të cilët ju i dashur Vangjel, por edhe shumë të tjerë, bëtë aq shumë potere nuk është kisha martire e Shën Thanësit. Ngrehina në fjalë nuk ka qenë kishë asnjë ditë të vetme.”- deklaroi kryeministri Rama. Kryeministri Rama në interpelancë theksoi se nuk është prishur ndonjë kishë në Dhërmi por një ngrehinë që më shumë i ngjante një stalle.

“Inspektoriati Ndërtimor nuk ka shembur ndonjë kishë, objekti për mua ishte thjesht një ngrehinë e rëndomtë pa leje, një lloj stalle pa leje, ndërtuar nga brutaliteti i viteve ‘90 mbi një monument historik. Asnjë lloj konkursi që do organizonim nuk do ta gjente dot që kjo ishte kishë. Prishja e objektit në fjalë ishte thjesht një akt i zbatimit të ligjit për rilindje urbane, në një zonë pasurish të rralla për vite të tëra abuzimi dhe braktisje. Në zona historike nuk lejohen legalizime të objekteve pa leje”,- tha Rama. Sipas kryeministrit, “Pjesa dërrmuese e banorëve kanë qënë dakord me prishjen e këtij objekti në një territor ku ka 38 kisha të mirëfillta, të vjetra dhe të reja. Komuniteti do ketë mbështetje për të ndërtuar edhe të tjera, nëse ka nevojë në bashkëpunim me autoritetet. Por, duhet të kemi respekt për vendet e kultit, respekt në rastin konkret për një vend ku ndodhen rrënojat e kishës që ju përmendët, e kishës së vërtetë të Shën Thanasit, monument kulture në 1963 dhe në 1969 u hoq nga lista dhe u la në dorën e luftës barbare, në suazën e ateizmit. Në këndvështrimin tim prishja e asaj ngrehine të papranueshme, jo si kishë por si stallë, për ti hapur rrugë kontaktit të njerëzve me historinë. Kisha dashur që ju, i dashur Vangjel ta kishit përshëndetur, është një punë që nge lart vlerat e fesë dhe historisë. Me iniciativën e Bashkisë së Himarës është hapur rruga që të ndërtohet kisha, jo për shërbime fetare por për ta kthyer atë në hapësirë rrezatuese që ne s’mund ta pranonim të varrosur nën atë objekt”. Më tej, Rama shtoi se ajo nuk ishte vetëm një kishë, por atje mësohej gjuha shqipe gjuha e asaj toke atje. Duke iu drejtuar Dules, Rama tha se nuk e kupton se si ai dhe minoritarët grekë ndjehen pronarë të ortodoksisë shqiptare. Rama i kujtoi se ortodoksët shqiptarë nuk janë grekë.

“Se kam kuptuar i dashur Vangjel se si ju, e vëllezërit me orgjinë greke ndjeheni pronarë të ortodoksisë në Shqipëri. Më lejo të të kujtoj se ortodoksët shqiptarë nuk kanë qenë e nuk janë kurrë grekë. Ashtu si të drejtat e tyre për të besuar janë nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë edhe përkatësia e kishës po të përcaktohej nga riti bizantin nuk do ishte domosdo ortodokse”. Sipas Ramës, në këtë kishë është predikuar në gjuhën shqipe. “Kisha e Shën Thanasit është pas bizantine, kanë shkruajtur shumë studiues por edhe për priftin Katalani që u dergj në po atë tokë..Ta them troç e gjitha kjo s’ka të bëjë as me fenë, grekët apo politikën. Ortodoksia nuk ka parapëlqim për një komb të caktuar, kështu thuhet prej motesh, këtë duam me patjetër që të besoni dhe ju i dashur mik Vangjel. Përpjekja për ti dhënë ortodoksisë një komb, nuk ka lidhje me ortodoksinë vetë. Historia na mëson se e kundërta ka sjellë dëme dhe humbje jetësh për kombe të tjera. Të qëndrojmë tek kufiri që ndan politikën nga feja dhe kisha. Ne e kemi të shkruar në Kushtetutë. Feja nuk ka punë me punët e shtetit. Detyra jonë është të ruajmë, ringjallim, vlerësojmë historinë kombëtare dhe figurat që kanë kontribuar në të edhe përmes fesë”.

Dule: “Njerëzit po i luten Zotit në gërmadhat e Kishës në Dhërmi”
Pas deklaratës së kryeministrit, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule tha se besimtarët në Dhërmi vijojnë të luten në gërmadhat e Kishës.
“Sot e kësaj ditë në rrënojat që ju shkaktuar mblidhen njerëz dhe i luten perëndisë. Kisha shpresën se do kërkonit ndjesë, juve ua konsideroni vendin e shenjtë garazh. Turp zoti kryeministër. Ju e dini shumë mirë një fjalë popullore që thotë “kush banon në shtëpi qelqi nuk godet me gurë”. Ju guxuat për një vend të shenjtë të na thoni gjoja gjetjen stilistike të garazhit.”- deklaroi Dule.
Kreu i PBDNJ-së tha se nuk e përdor besimin fetar për politikë, ndërsa i kujtoi kryeministrit fjalimin në OKB, ku foli për besimin tij fetar.
“Jeni i pari në këtë vend që i vini flamurin kombëtar çdo prapësie qeveritare. Në çdo prapësi korrupsioni, rendni që ti vini flamurin, dhe mos më akuzoni mua për këtë gjë. E kam keqkuptuar demokracinë, kaq vite nuk më ka treguar kush se duhet të marr leje në zyrën tuaj se çfarë çështje do ngre. Kush e përdor për politikë besimin fetar, ju vetë që nuk latë as OKB-në pa përmendur besimin fetar. Kush e përdor,unë apo ju. Gjithmonë keni një tendencë, ju drejtohem politikisht, më drejtoheni në anë folklorike. Folklor këtu nuk do bëj, politikë do bëj.”- deklaroi Dule.

Rama: “Unë nuk jam i shenjtë, mëkatar si ti jam, por nuk përziej punën time me punët e fesë”
Për kryeministrin Rama, fakti që besimtarët vijojnë të marrin pjesë në procesione në vendin e shenjtë, nxit rindërtimin e kishës së Shën Thanasit një orë e më parë.
Duke iu përgjigjur deklaratës së Dules, Rama tha: Unë fola për Shën Thanësin, ti fole për mua. Unë nuk jam i shenjtë, mëkatar si ti jam dhe si të gjithë në këtë sallë. Por besoj se një mëkat që nuk e bëj është të përziej punët e fesë me punën time.

Dule-Ramës: Ti ke më shumë fjalë se vepra
Në replikë Dule shtoi se Rama është nga ata që përqendrohet më shumë tek fjalët se tek veprat. “Jam deputet i Vlorës nuk ju akuzova vetëm se shkelet ligjin, do të bëja të njëjtën gjë edhe për një xhami, teqe apo kishë katolike. Këtë ta bëjmë të gjithë, nëse vërtet duam të demonstrojmë respekt real për objektet e kultit. Unë si ortodoks, ti si katolik i mirë, po të të përmend një shprehje të Shën Franceskut të Asizit, lexoje se do të ndihmojë edhe në qeverisje. “Përhapni me çdo mjet dhe mënyrë fjalën e perëndisë”. Duke mos marrë përsipër të bëj interpretim të saj po ju them se ju jeni shumë larg veprave, përqendroheni vetëm tek fjalët, në Gjirokastër i themi llogje”.
Sigal