Rama: Inteligjenca dhe cilësia e Policisë së Shtetit larg mesatares së BE-së

469
Kryeministri Edi Rama ka folur sot në Akademinë e Sigurisë për uljen e numrit të vrasjeve në krahasim me 4 vite më parë. Ai tha se në 2013 ishin 4 vrasje për 100 mijë banorë ndërsa sot kjo shifër është 1.5, madje edhe nën mesataren e BE-së. Por, nga ana tjetër Rama tha se jemi larg BE-së për cilësinë e trupave të policisë dhe inteligjencës.
“Çka është më e rëndësishme në operacionin ‘Forca e ligjit’, është shënjestrimi i seteve dhe financave me origjinë kriminale. Duke i zhveshur këto rrjete nga mundësia e rikthimit dhe duke bërë të mundur një mesazh shumë të qartë që kush përfiton nga krimi nuk i gëzon dot ato që përfiton. Ndërmarrja e reformave të thella në një vend ku rënia e komunizmit u shënua me një boshllëk të madh në rrugën e ndërtimit të një shteti demokratik me institucionet të reja demokratike ishte një proces i vështirë.

Por, sot jemi besoj në një moment kur mund të themi me plot gojën se kemi shumë arsye për të besuar në suksesin e objektivave të mëtejshëm pasi 4 vrasje për 100 mijë banorë kishte Shqipëria në 2013 ndërsa sot kjo shifër është 1.5. Mesatarja e këtij treguesi në BE është 1.7, pra jemi nën mesataren e BE-së. Aty ku jemi larg mesatares së BE-së është qëndrueshmëria në cilësi e trupave të Policisë së Shtetit dhe të gjithë mekanizmave përfshirë edhe mekanizmin bazë që ka të bëjë me inteligjencën e Policisë së Shtetit. Këtu mbetet një sfidë e hapur për të gjithë ne së bashku, duke shprehur bindjen se kjo është një sfidë ku fjala së bashku ka një kuptim të vërtetë të plotë”, tha Rama.
Sigal