Rama: Infermieret, punësim me portal, 420 vende të lira

608
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar dje platformën e re për punësimin e infermierëve. Sipas Ramës, ka përfunduar platforma online e punësimit “Infermierë për Shqipërinë”. Sipas kreut të qeverisë, infermierët që aplikojnë për punë në këtë portal do të rekrutohen vetëm në bazë të meritës dhe nuk do të ketë më lëvizje politike. Për momentin janë 420 vende të lira pune për infermierët që do të aplikojnë në këto pozicione dhe që do t’i nënshtrohen testimit. Kryeministri deklaroi se vende vakante nuk do të plotësohen me ndërhyrje, nga poshtë nga lart dhe nga anash. “Nuk ka penguar askush, as ligji dhe asnjë forcë madhore. Nuk mund t’i besohet partisë rekrutimin e punonjësve në sistemin shëndetësor”, deklaroi Rama. Ai tha se nga sot çdo infermiere që do të rekrutohet në sistemin tonë shëndetësor do të mund të rekrutohet vetëm falë meritës dhe aftësive të veta. “Në bazë të meritës, secili do të marrë pikët që i takojnë”, është shprehur kryeministri, duke premtuar se ekzistenca e këtij portali do t’i japë fund punësimeve pa meritë, sikurse ka ndodhur deri më tani. Dhe për këtë, Kryeministri Rama u shpreh se ndihet më i lehtësuar që ky fenomen negativ mori zgjidhje. “Përballë ankesave të një infermiereje me 20 vite eksperiencë nuk kam mundur të bëj dot asgjë, që është larguar për t’u zëvendësuar nga një infermiere e sapo licencuar”, tha Rama.
Sigal