Rama inaguron linjën e re të tragetit Durrës-Bari: Kapitull i ri në transportin detar

428
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në inaugurimin e linjës së re të trageteve Durrës- Bari në portin e Durrësit. Ardhja e kësaj linje, e cila do të jetë funksionale që prej 31 korrikut, ka ndikuar në uljen e çmimeve në sektorin e transportit detar, tha kryeministri Rama.
“Nuk bëhet fjalë për ardhjen e një anije të re, po një kapitulli të ri të shumë kërkuar me mundim në këtë periudhë të parë të qeverisjes sonë, për shkak se kemi qënë të vetëdijshëm që pasagjerëve që duan të përdorin rrugën detare për të shkuar dhe për të ardhur në Europë përmes Italisë nuk mundet dot t’u ofrohet niveli, standardet dhe shërbimi që është degraduar në vite dhe që u është imponuar si e vetmja mundësi. Efekti i parë, akoma pa hyrë fizikisht anija Rapsody në këtë treg, është ulja e çmimeve nga konkurrentët.Ritheksoj që ardhja e kësaj anije dhe vendosja e këtij standardi të ri të transportit detar përmes kësaj anije është një arsye jo për t’u ndier të kënaqur, por të inkurajuar se është një provë që kërkimi me këmbëngulje i rezultateve në adresimin e objektivave çon në sukses”, tha Rama.
Më tej, Rama tha se situata në transportin detarë ka qenë në një gjendje të mjerueshme dhe vetëm në 2014 ky sektor pësoi një pikë kthese në drejtimin e duhur. Rama tha se brenda një viti në vendin tonë do të vijë për të administruar Portin e Durrësit një nga kompanitë më të mëdha të transportit detarë duke e cilësuar këtë si një tjetër histori suksesi. 
“Nëse i referohemi raportit të 2013 lexohet se në çfarë prapambetje është Shqipëria, me një sektor pa progres, me kapacitete shumë të ulta, shterim në administrimin e porteve dhe të këtij sektori. Ndaj objektivi i qartë i qeverisë ka qenë adresimi i kësaj problematike komplekse që ka bërë që Shqipëria dë përdorë në nivele shumë të ulët vetëm 60 % të mundësive dhe kapaciteteve që ka. 2014 shënoi një pikë kthese në drejtimin e duhur në transportin detarë në Shqipëri. Me një rritje të përpunimit të mallrave dhe transportit, në jemi gjithsesi ende të pakënaqur me këtë situatë. Ndaj brenda një viti do lajmërojmë një tjetër histori suksesi për të sjellë në administrimin e Portit të Durrësit një nga kompanitë më të mëdha të transportit detarë. Ardhja e kësaj anije dhe vendosja e një standardi të ri nëpërmjet kësaj anije është për tu ndjerë të inkurajuar si një kërkim me këmbëngulje i cili çon në sukses. Është sukses që kompania GNV ndodhet këtu”, u shpreh Rama.
Sigal