Rama i vërsulet medias me akuza, Johanes Han hesht

577
Kryeministri lëshon një lumë me kritika ndaj shtypit në sy të zyrtarit të lartë evropian, ndërsa komisioneri për Zgjerimin thotë fjalë të përgjithshme
Kryeministri Edi Rama sulmoi dje ashpër mediat, ndonëse merrte pjesë në një aktivitet për Ditën Ndërkombëtare të Mediave dhe në prani të komisionerit evropian për Zgjerimin, Johanes Han. Sipas kryeministrit, liria e shprehjes është një e drejtë themelore dhe është “arma” më e fortë që kemi në dorë për të luftuar padrejtësinë, përfshirë edhe korrupsionin dhe shfaqjet e tjera negative në procesin e shtet-bërjes, në funksion të integrimit të plotë në BE, por si një armë për të mbrojtur lirinë, vlerat dhe parimet e demokracisë dhe familjes evropiane. “Ajo nuk mund të përdoret për të vrarë pikërisht lirinë, vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar gjithë mekanizmi i funksionimit të saj”, u shpreh Rama, në një fjalim të mbushur me akuza ndaj medias. Ai tha se në Shqipëri vihen re shpesh cenime flagrante të dinjitetit njerëzor të njerëzve publikë. “Siç ka shkruar njëri prej pishtarëve më të ndritur të lirisë së shprehjes në ish-perandorinë komuniste, gazetari polak që provoi mbi kurrizin e tij burgosjen, pikërisht sepse mbronte të drejtën për t’u shprehur i lirë, duke denoncuar programet e regjimit komunist mbi popullsinë hebreje pas Luftës së Dytë Botërore, Adam Mihnik: “Fjalët vrasin të parat, plumbat vijnë mbrapa”. E them këtë, sepse sot, unë besoj që sfida është e dyfishtë, nga një anë, për të forcuar lirinë e medias për të forcuar zbatimin e legjislacionit evropian, që ne e kemi të shkruar më së miri në letër dhe nga ana tjetër, për të rritur frymën e përgjegjësisë në përdorimin e kësaj arme, që e përsëris, ka lindur për të mbrojtur lirinë, ka lindur për të mbrojtur vlerat dhe parimet e një shoqërie që beson tek liria e informacionit, që ka nevojë për informacion të lirë e jo për të vrarë me fjalë, në emër të lirisë së përdorimit të saj”, u shpreh Rama. Ai tha se është e pamohueshme që sot në media gjenerohet një pasuri e tejskajshme. “Nëse flasim për korrupsion, nëse flasim për përfitime të paligjshme, nëse flasim për rritje disproporcionale të të ardhurave të personave, kjo thuhet në media, sepse nuk ka ku thuhet tjetër, por nuk e përjashton median”, tha Rama, duke hedhur të tjera akuza.

Nga ana e tij, komisioneri për Zgjerimin, Johanes Han, përdori fjalë të përgjithshme për të folur për median, ndonëse përballë tij kryeministri Rama lëshoi akuza të rënda. Liria e medias është kusht i panegociueshëm për çdo vend që synon të bëhet pjesë e BE-së, u shpreh Johanes Hahn. “Raportimi i pavarur dhe i lirë është një faktor kyç për të ndërtuar dhe forcuar demokracinë, mirëqeverisjen dhe për komunikimin e duhur të reformave. Ne po monitorojmë sfidat me të cilat përballen gazetarët në Ballkanin Perëndimor. Është vënë re keqpërdorim i informacionit dhe njëanshmëri politike. Raportimi kritik është shumë i rëndësishëm në një demokraci. Të shmangen sulmet personale dhe nevojitet besueshmëri. Mediat duhet të kontribuojnë për të ndërtuar ura dhe jo për të thelluar ndasitë. Gazetaria profesionale po përballet me një konkurrencë nga ata që prodhojnë lajme të rreme”, deklaroi Hahn.
Sigal