Rama i uroi Pashkët duke kujtuar Fishtën, po për shtëpinë e tij kur do kujtohet?

508
Sigal

Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme kujtoi atë Gjergj Fishtën me rastin e të djelës së Pashkëve. Ai publikoi një foto të këmbanores nga Memoriali për Fishtën në Kuvendin e Troshanit.

“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje të Memorialit në Kuvendin e Troshanit, ku mësoi, u rrit dhe dha më pas mësim At Gjergj Fishta, ju uroj PASHKË TË GËZUAR”, shkruante Rama krahas fotos.

Por kujtojmë se vetë Rama e ka lënë pas dore shtëpinë e atë Gjergj Fishtës, e cila në vitin 2008 u shpall monument kulture.

Pas shumë kritikash për lënien pas dore të shtëpisë ku Fishta jetoi për disa vite, në qershor të 2018-ës, ministrja e Kulturës asokohe Mirela Kumbaro, deklaroi se objekti quhej gabimisht shtëpia e atë Gjergj Fishtës, pasi ai atje kishte kaluar vetëm pak muaj të fëmijërisë së tij.

“Objekti që shpeshherë cilësohet gabimisht si shtëpia e Gjergj Fishtës është vetëm një banesë me disa pronarë privatë me një histori pronësie goxha të komplikuar, ku At Fishta ka kaluar pak muaj fëmijërinë e tij”, është shprehur Mirela Kumbaro.

Prandaj memoriali për Gjergj Fishtën u vendos të bëhet sipas ish-ministres, te kolegji i Troshanit, të cilit Fishta i kushtoi pjesën më të rëndësishme të jetës së tij.

Për shtëpinë e Fishtës, ekzistonte një projekt restaurimi i cili nuk gjeti zbatim, pasi pronarët e saj kanë kundërshtuar duke kërkuar t’u jepen tre shtëpi të reja. Kështu Ministria e Kulturës vendosi të zbatonte një projekt tjetër.

Por ndërkohë që në Tiranë po shpronësohen me miliarda pronarë, nuk ndiqet e njëjta politikë për Shtëpinë e Fishtës në mënyrë që ajo të ruhet, restaurohet dhe të shërbejë si memorial për figurën më të rëndësishme të letërsisë shqiptare të shekullit XX.