Rama i shtrin dorën studentëve: Bujrum, ju pres në zyrë

556
Sigal

Kryeministri Edi Rama iu ka shtrirë dorën për dialog studentëve të të gjitha universiteteve të Shqipërisë që protestojnë prej dy ditësh në një lëvizje të madhe, më e madhja që pas viteve ’90.

Në një komunikim në “Facebook”, Rama ka kërkuar të takojë një përfaqësi studentësh që zgjidhet nga vetë studentët për t’i dëgjuar për kërkesat e tyre. Shefi i ekzekutivit, nuk e ka fshehur dëshirën që sot të ishte student dhe jo kryeministër.

“Shqetësimi adresohet përmes dialogut. Dua që ta dinë se kam shumë për t’u thënë por patjetër kam shumë dëshirë t’i dëgjoj ballë përballë pa administratorë, pa pedagogë, studentët që i zgjedhin vetë. Ky vend e ka fituar prej 5 vitesh lirinë e plotë të protestës pa rrezik nga plumbat. Protesta e ka pasur të garantuar pacenueshmërinë e statusit të saj. Po të mund të zgjidhja dot sot do të doja të isha dhe njëherë studentë protestues jo kryeministër në zyrë”, deklaroi kryeministri Rama.

Kryeministri Edi Rama edhe në mbyllje të fjalimit të tij iu bëri thirrje edhe njëherë studentëve që të shkojnë në zyrën e tij.

“Po si kryeministër dhe si protestues i dikurshëm kam bindjen se duke dëgjuar njëri tjetrin dhe në këtë rast duke u bërë bashkë, për të shtyrë me forcë përpara modernizimin, mund të përshpejtojmë dhe bëjmë më mirë punë kolosale. Shkurt fjala se sa rrinë në rrugë dhe çfarë kërkojnë ata, kjo është e drejta e tyre legjitime. Ama detyra ime është që ti dëgjoj dhe ti mbështes në adresimin e shqetësimet e tyre në çdo rast që ata do të donin të bisedonin. Kur të duan dhe po të dëshirojnë të dinë ndonjë gjë, bujrum, kjo zyrë është e imja. Por pushteti i kësaj zyre është i kujtdo që kërkon ta përdorë për idenë e duhur në shërbim të vendit dhe shoqërisë dhe të ardhmes që fëmijët e Shqipërisë meritojnë”, tha Rama.