Rama i drejtohet PD: Votoni Gramoz Ruçin, do të hap një kapitull të ri në parlament

512
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar ditën e djeshme në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste se sot do të votohet kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ndërsa në fillim të javës, ditën e hënë në Kuvend do të paraqitet qeveria e re dhe programi qeverisës për 4 vitet e ardhshme. Në fjalën e tij para grupit të PS, Rama u bëri një thirrje edhe demokratëve që të votojnë Gramoz Ruçin, pasi është deputeti më me eksperiencë që do të drejtojë duke hapur një kapitull të ri në jetën parlamentare. “Nesër për disa këtu nis rishtas këtë grup të ri që i ka të gjitha çka duhen për t’ia dalë me sukses. Unë ndihem shumë mirë me energjitë të reja dhe jam shpresëplotë se pjesa me përvojë e grupit do të jetë një mbështetje e sigurt për ata që kanë ardhur rishtas. Jam i bindur se në atë Kuvend do të nisë një kapitull i ri i jetës parlamentare me zgjedhjen e Gramozit, dhe dua ta nënvizoj se Gramozi është njeriu i duhur për të investuar besimin tonë. U them demokratëve se nëse nuk e votojnë Gramozin gabojnë njëherë sepse refuzojnë deputetin me eksperiencën më të gjatë, ndërsa duke e shënjestruar me topat e politikës së baltës gabojnë 100 herë.

Shqiptarët e shpërfillin lojën me topa balte, pasi duan shtetin dhe punën e mirëqenin. Ne do ta konfirmojmë Ruçin me votën e shumicës së 25 qershorit. Fillim javën e ardhshme do të paraqesim në Kuvend qeverinë e re dhe programin, do të zgjedhim ekipin drejtues dhe kryetarët e komisioneve parlamentare” deklaroi Rama.

Rama: Disiplina e grupit dhe e qeverisë, faktor kyç
Gjithashtu kryeministri në fjalën e tij vendosi theksin te disiplina e qeverisë dhe grupit, pasi janë faktorë kyç për ecurinë e mandatit të dytë, ndërsa foli edhe për një marrëveshje.

“Së bashku me kryetarin e ri të grupit dhe Asamblesë kemi hartuar tekstin e marrëveshjes mes qeverisë dhe grupit e partisë për të nënshkruar. Disiplina e grupit dhe e qeverisë janë faktor kyç në këtë legjislaturë, ashtu sikur edhe një shprehi elementare dhe e domosdoshme. Grupi i ri do të punojë intensivisht në Kuvend dhe në terren, ndërsa do të ketë edhe një raport për punën e çdo deputeti. Do t’ia dalim në këtë përpjekje të re, që zyrtarisht nis nesër me seancën inauguruese” përfundoi Rama. Mbledhja e sotme u zhvillua një ditë para mbledhjes së Kuvendit të ri, që do të konstituohet nesër, ndërsa PS mori nga zgjedhjet e 25 qershorit 74 deputetë.

Porositë e Ramës për deputetët
Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit të PS mësohet se Rama u ka dhënë ultimatum deputetëve që të mos mungojnë në asnjë seancë. Ai kërkoi korrektesë maksimale.
Rama ka shtuar se nuk do të lejohet asnjë emërim pa nivel profesional. “Duhet të fokusohemi tek marrëdhënia qeveri-deputet. Do të ketë një marrëveshje që do të nënshkruhet’ është shprehur Rama. Burime bëjnë me dije se pas seancës së parë e cila mbahet këtë të shtunë pritet që seanca e radhës parlamentare të jetë në orën 10 ditën e hënë. Të njëjtat burime theksojnë se në këtë ditë do të prezantohet programi qeverisës dhe të betohen deputetët.

Balla zgjidhet kryetar i Grupit Parlamentar
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka votuar për kryetarin e grupit parlamentar ku kandidat i vetëm është Taulant Balla. Mësohet se grupi parlamentar ka votëbesuar Taulant Ballën si kryetar të grupit. Nga 70 të pranishëm 69 votuan pro dhe 1 kundër. Pak kohë më parë teksa kryeministri Rama prezantoi qeverinë Rama 2 propozoi deputetin Balla si kryetar të grupit parlamentar. Taulant Balla do të zëvendësojë ish- kreun e grupit parlamentar Gramoz Ruçi, i cili është zgjedhur nga kryeministri Rama për të drejtuar Kuvendin e Shqipërisë. Pjesë e komisionit të numërimit të votave ishin Pandeli Majko, Ulsi Manja dhe Xhemal Qefalia.

Mbledhja e grupit, zbulohet mungesa e njeriut më të afërt me Ramën
Mbledhja e Grupit të partisë Socialiste ditën e djeshme ka sjellë edhe një lajm tjetër. Në këtë mbledhje nuk mësohet se nuk ka qenë i pranishëm Sajmir Tahiri, ish-ministri i Brendshëm, njeriu që për katër vite me radhë ishte ndër më të besuarit e kryeministrit Edi Rama. Burime nga selia mavi, bëjnë me dije se Tahiri nuk ka qenë në këtë mbledhje, pasi ka qenë jashtë vendit. Ndërkohë që Rama pak ditë më parë kishte njoftuar se në këtë mbledhje duhej të ishin të gjithë, pra të mos kishte asnjë mungesë. Nga ana tjetër, vlen të kujtojmë që edhe kur u zhvillua mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste ish-ministri Tahiri, ishte ndër të parët që u largua nga kjo mbledhje, pasi emri i tij nuk ishte ndër emrat e ministrave të rinj të kabineti ‘Rama2”.

Qeveria ‘Rama 2’, ja kur do të votohet nga deputetët dhe dita kur do bëjë betimin tek Meta
Mbledhja e parë e legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë do të zhvillohet sot, datë 9 shtator 2017, ora 10.00, ku do të votohet kryetari i ri.
Ndërsa për Qeverinë e re, “Rama 2”, Kuvendi pritet të mblidhet të hënën në dy seanca njëra pas tjetrës. Sipas burimeve në seancën e paradites së ditës së hënë pritet që të prezantohet qeveria dhe programi i saj. Në seancën e dytë të votohen anëtarët e saj, ministrat e kabinetit “Rama”. Ndërkaq ditën e mërkurë Rama bashkë me ministrat e tij do të jetë para presidentit Ilir Meta ku do të bëjë betimin.
Sigal