Rama i do aleatët për vagonë me zhavorr për të mbushur gropat

422
Sigal

KOALICIONI/ Sa e sinqertë është PS-ja në aleancat me partitë e tjera për zgjedhjet e 23 Qershorit

Pardje, më në fund, Kryetari i PS-së, Edi Rama, vendosi (begenisi) të ulet në një tryezë bisedimi me partitë e tjera, për të krijuar koalicionin opozitar parazgjedhor. Për sa i rëndësishëm, për nga brendia dhe roli që mund të luajë ky koalicion, është domethënës, një fakt, që, edhe pse u kalua tangent, shpreh të vërtetën e asaj që luhet në prapaskenën e bisedimeve. Paskal Milo, deri tani, një nga aleatët më të rëndësishëm të së majtës, ndenji vetëm 10 minuta, sepse e kishte të zënë axhendën…. Nuk e di, se cila temë tjetër mund të ishte më madhore për zotin Milo, sesa vetë ardhshmëria e koalicionit? Mos vallë Milo akoma nuk ka arritur në marrëveshjen paraprake me Edi Ramën, për ato që kërkon dhe është në kërkim të mundësive të tjera? Vangjel Dule, deri tani aleati i PS-së edhe në Kuvend, nuk begenisi ftesën, duke deklaruar publikisht, që nuk do të jetë në bllokun e PS-së. Më optimist,  për frytshmërinë e këtij koalicioni opozitar, u tregua Gjinushi, i cili shkarkoi ankthin e deritanishëm, të cilin e kishte ngrënë meraku. Do t’i mbledhë, apo jo, Edi Rama, aleatët tradicionalë? Jo më kot, Gjinushi hahej më vetveten, me këtë hamendësi hamletiane. Teksa, para hundës së tij, Rama, duke e shpërfillur fare Gjinushin e Milon,  luante teatrin e ftesë-mosftesës për Metën dhe Bamir Topin. Ku, halli i Ramës për të mbledhur aleatë, u bë jo vetëm teatër, por u kthye në komedi, teksa Rama fton, dhe Meta e Topi mohojnë, e pastaj, nga halli, Rama mohon Ramën që pohon, por Rama u kthye me ftesat-mosftesat për koalicion, si Penelopa, që në mbrëmje e thurte pëlhurën, për ta shqepur në mëngjes. Mos ndoshta Milo iku sepse që në fillim kuptoi që kërkesa kryesore, vazhdon të shpërfillet nga Kryetari i PS-së? Një nga kërkesat kryesore të Milos është që ai të futet në listën e kandidatëve të PS-së. Aleatët e PS-së, Gjinushi, Milo, Koçi, sërish mbetën me duarbosh, pasi Rama u dha atyre përgjigjen, kur bëri fjalë se marrëveshja me secilin prej tyre do të bëhet  në bazë të kontributit të votës. Kjo do të thotë, që askush nga kryetarët e partive aleate nuk futet në listën zgjedhore. Sikurse ndodhi edhe në 2009-n. Që edhe Gjinushi, edhe  pse PSD-ja mori mbi 30.000 vota, mbeti jashtë Kuvendit, po kështu edhe Milo. Përse Kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk shikon kontributin që dhanë Gjinushi, Milo në 2009-n, me votat që i bashkëngjitën PS-së dhe t’u japë vendin në listat e PS-së?  Këtu është sërish loja e Edi Ramës, me gjithë aleatët, pa përjashtim. Sikurse i përjashtoi aleatët nga Kuvendi në 2009-n.  Por… po qe se PS-ja- sipas premtimit të Edi Ramës, do të vijë në pushtet- në saj të kontributit të votës të aleatëve- do t’ju japë edhe atyre ndonjë karrige pushteti. Rama, i do partitë e tjera të jenë vagonët e trenit të punës- të fushatës zgjedhore të PS-së, që i lidh tani dhe kërkon t’i ngarkojë me “zhavorr- votën”, sikurse shprehet Elmaz Sherifi. Pa mandat deputeti, por në listat për ndonjë karrige pushteti, Rama i mban aleatët në rresht dhe e ka më të lehtë që të pabindurit t’i flakë nga rreshti, se nuk marrin me vete asgjë, derisa lëmin e votave e kanë mbushur me vagonët e zhavorrit, në fushatën paraelektorale.

 Elmaz Sherifi, Kryetar i LDP-së

Elmaz Sherifi, një nga drejtuesit e PS-së, por i larguar, tashmë Kryetari i LDP-së, pohon për “Telegraf”, se nuk është vënë në dijeni, nuk ka marrë asnjë ftesë që të marrë pjesë në koalicionin opozitar. Elmaz Sherifi thotë: “Edi Rama, i do partitë e tjera për vagonë që t’i mbushë me zhavorr, kur duhet të mbushë thesin e votave”.

 Muharrem Xhafa, Sekretar i Parë i PPSH-së

– Zoti Muharrem, në tryezën e aleatëve të PS-së, partinë tuaj nuk e pamë të përfaqësuar. A mos Rama po përsërit të njëjtin gabim që bëri me Hysni Milloshin në zgjedhjet e 2011-s?

– Kjo që thoni ju është plotësisht e vërtetë. Unë ju deklaroj se PPSH nuk ishte ftuar në atë takim, ndaj dhe ka të drejtë të dyshohet se PS po përsërit gabimin që bëri në 2011-n me Hysni Milloshin. Në rast se ne do të kishim ftesë, do ta shqyrtonim nëse do të merrnim pjesë apo jo. Ne e konsiderojmë Partinë Socialiste si forcën kryesore politike të majtë dhe jemi për bashkëpunimin dhe për të bërë aleancë me të për zgjedhjet e ardhshme.

– Mirëpo në atë tryezë pardje ishte Kurt Kola, një kundërshtar i juaj politik. A do të bëheshin komunistët e partisë tuaj aleatë me Kurt Kolën?

– Jo, ne nuk bëhemi aleatë me Kurt Kolën. Ne respektojmë PS-në dhe bëjmë aleancë dypalëshe me të. Se me kë tjetër bën aleancë PS-ja, është punë e saj. Ne jemi një forcë politike me një peshë të caktuar në elektorat dhe PS e di fare mirë këtë fakt. Nëse nuk e përfill këtë fakt, është gabim i saj, jo i yni.

– Nëse PS nuk ju ofron në koalicion, si do të veproni për 23 Qershorin?

– Kjo është një pyetje me vend. Ky Kod Zgjedhor ua ngushton krejtësisht hapësirat partive të vogla ndaj dhe ne, përveç dy partive të mëdha PD dhe PS, e kemi të vështirë të dalim të vetëm në zgjedhje. Shumë shpejt ne do ta gjejmë zgjidhjen me kë do të bashkohemi, në mënyrë që komunistët e vërtetë të përfaqësohen në Kuvend.