Rama hesht për Metën: Të dy i duam kanionet

571
Kryeministri Edi Rama nga Berati tregoi se ndan po të njëjtin mendim me presidentin e Republikës, Ilir Meta sa i takon bukurisë për kanionet e Skraparit. Teksa u pyet lidhur me deklaratën e presidentit Ilir Meta për kërkesën e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, për dhënien e plotfuqishmërisë për nisjen e negociatave me Greqinë, Rama tha se e kishte dhënë përgjigjen e tij. Po ashtu Rama “kritikoi” një nga gazetarët për pyetjen, pasi sipas tij kishte udhëtuar nga Tirana drejt Beratit për të marrë përgjigjen, nëse mes kryeministrit dhe Metës ishin krisur marrëdhëniet. “Unë ndaj me presidentin të gjithë dashurinë për kanionet dhe të gjithë vëmendje që kanionet të jenë një nga pikat më intensive të zhvillimit të turizmit dhe Beratit. Unë e kam dhënë përgjigjen time dhe s’i ndryshoj asnjë presje. Nëse keni ardhur deri këtu për të nxjerrë nëse ka probleme me presidentin keni gjetur vendin e gabuar sepse jeni jo larg kanioneve. Ai më ka prezantuar me kanionet dhe falë tij kam bërë rafting për herë të parë. Atëherë do të kuptonit se pse përgjigja ime nuk është aspak ironike dhe aspak për t’i ikur pyetjes tuaj, por është e vetmja përgjigje që mund t’ju jepja meqë erdhët deri këtu për presidentin”, tha Rama.
Sigal