Rama: Hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit

475
Sigal

Në një dalje për mediat, kryeministri Edi Rama theksoi se statusi i vendit kandidat “nuk është fundi i anëtarësimit në BE, por një hap shumë i rëndësishëm përgjatë kësaj rruge”. 

“Kjo është një shenjë shumë e qartë për drejtimin e rrugëtimit tonë që nga sot ka më shumë shpresë dhe perspektivë për të gjithë shqiptarët kudo ku janë. Falenderoj skuadrën time për punën që ka bërë. Nuk ka qenë e lehtë përsa i takon detyrave tona, ka qenë edhe më e ndërlikuar sepse vetë BE-ja sot është më e ndërlikuar.
Falenderoj ministren e Integrimit dhe ministrin e Jashtëm që kanë punuar në sinkron duke rrugëtuar vazhdimisht e duke trokituar derë më derë për të lobuar me seriozitet, dinjitet dhe kompetencë të lartë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Arsyet tona janë dëgjuar qartë dhe fort, ashtu siç tregon dita e sotme.

Falenderoj ministrat në ndjekjen dhe realizimin e detyrave të vendosura nga Komisioni Europian: ministrin e Brendshëm për luftën kundër krimit; ministrin e Drejtësisë, puna e të cilit do të bëhet edhe më e rëndë…”

Falenderimi i kryeministrit nuk ishte i plotë për opozitën: “Do të kisha dashur të shtoja edhe mbështetjen e opozitës, por falenderimi i shkon vetëm përfaqësisë së opozitës në tryezën e dialogut të nivelit të lartë. Shpresoj shumë që në periudhën në vijim e gjithë opozita të angazhohet me të gjitha forcat në funksion të procesit që vazhdon.”

Zoti Rama shpjegoi pse Shqipëria nuk e mori që në dhjetor statusin: “E dinim që duhej një ndryshim i fortë për të përçuar një mesazh të fortë që Shqipëria ta merrte statusin. Në dhjetor disa vende kishin frikë për të na dhënë statusin pasi luajti rol performanca e dobët e viteve të fundit e Shqipërisë. E dimë që duhet më shumë ndryshim, por kjo arritje tregon qartë se mund të arrijmë çdo gjë nëse kemi një plan dhe nëse kemi skuadrën e duhur për atë plan.”

Ndërsa Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, pasi falenderoi “të gjitha vendet anëtare për votën e tyre, të gjithë ministrat që kanë punuar me këmbëngulje, Parlamentin, institucionet e pavarura, komisionin e integrimit europian, opozitën, ambasadat tona në vendet anëtare dhe mediat”, tha se “statusi i vendit kandidat është vetëm fillimi”.

“Na pret analiza e arritjeve të deritanishme dhe vendosmëria për të çuar reformat përpara, sidomos reforma territoriale dhe në drejtësi. Kjo do të jetë sfida jonë e radhës”, u shpreh ministrja e Integrimit.

LSI, Vasili: Tani, të bashkohemi për reformat!

Petrit Vasili, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, uroi të gjithë shqiptarët për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në të njëjtën kohë bëri thirrje për bashkimin e politikës në reformat që duhen kryer për të plotësuar kushtet për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Urojmë të gjithë shqiptarët për këtë arritje pasi ata kanë meritën më të madhe. Kjo është një arritje e merituar prej kohësh për gjithçka që shqiptarët kanë bërë për ta fituar këtë mundësi dhe këtë të drejtë. Ky është një sukses që do të mbetet i skalitur në historinë e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Tani kemi përgjegjësi dhe punë të reja”, u shpreh Petrit Vasili në një deklaratë për mediat.

“Ne ndihemi më të motivuar se kurrë dhe e ndjejmë veten edhe më shumë europianë, dinjitozë dhe të përgjegjshëm për çdo detyrë që na del para’. Puna për reformat duhet të na bashkojnë të gjithëve tashmë dhe duhet të jetë prioritare”, shtoi kreu i grupit parlamentar të LSI-së.