Rama funksionon me logjikën: Ligji jam Unë!

627
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Gazetari i TELEGRAF

Mark Marku. Profesor, përgjegjës i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës  

Problemi është tek përgjegjësia e një kryeministri për dhunën që ushtrohet ndaj mediave. Kjo reflekton klimën armiqësore ndaj mediave që krijohet në një vend. Një gazetar që dhunohet në ushtrim të profesionit dhe kryeministri nuk që nuk mban qëndrim, përbën lajm tjetër dhe lajmi është ky: Kryeministri nuk mban qëndrim ndaj dhunës shtetërore ndaj gazetarit!

Mark Marku, ish-deputet i PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke ironizuar përgjigjen e kryeministrit në TV FRANCE 24, thotë se lajmi është që kryeministri nuk mban qëndrim ndaj dhunës që ushtrohet ndaj gazetarit. Dhe Prof. Marku, si lektor i gazetarisë, i quan “strategji të komunikimit” fyerjet, talljet e kryeministrit ndaj gazetarëve, për të zhvlerësuar kritikën e tyre, pasi ai vetëm propagandon, nuk qeveris. Problemi është tek prirja antidemokratike që ka kjo qeveri. Prof. Marku thotë se ligjin i pari e shkel kryeministri, që bën turet nëpër Shqipëri dhe askush nuk e procedon, që përdor altoparlantët publikisht, që mbledh njerëzit, kur ndërkohë, policia procedon të rinjtë, pse protestojnë paqësisht. Sipas prof. Markut, “Kryeministri funksionon me logjikë antidemokratike: Ligji jam Unë! Unë jam shteti. Çdo personalizim i pushtetit të çon në sisteme të deformuara demokratike”. Së fundi, Prof. Marku pohon se reforma në drejtësi, me ngjarjet e fundit, tregon se po vritet shpresa dhe deri utopia e shqiptarëve për një drejtësi të barabartë.

– Prof. Marku, në intervistën për televizionin FRANCE 24 kryeministri Rama, një pyetjeje për dhunimin e gazetarit nga Policia e Shtetit në protestën e 26 majit 2018, iu përgjigj se ky nuk është lajm. Si e gjykoni këtë përgjigje të Ramës?

– Natyrisht, që është lajm. Fakti që një televizion kombëtar i FRANCE 24, ia bën pyetjen kryeministrit, do të thotë që është lajm ndërkombëtar, që kapërcen edhe Shqipërinë. Çdo dhunim, që i bëhet një gazetari në misionin e tij, nuk është lajm vetëm për vendin ku ndodh, por është lajm për gjithë gazetarinë në botë. Problemi është tek përgjegjësia e një kryeministri për dhunën që ushtrohet ndaj mediave. Kjo reflekton klimën armiqësore ndaj mediave që krijohet në një vend. Një gazetar që dhunohet në ushtrim të profesionit dhe kryeministri që nuk mban qëndrim, përbën lajm tjetër dhe lajmi është ky: Kryeministri nuk mban qëndrim ndaj dhunës shtetërore ndaj gazetarit. Ky qëndrim reflekton edhe dhunën psikologjike që ushtrohet ndaj gazetarëve përmes ligjërimit të kryeministrit, që i fyen vazhdimisht, i tall dhe i sulmon, sillet agresiv me ta nëpër konferenca shtypi. Nuk është rastësi ajo që ka ndodhur dhe nuk kemi pse të habitemi, nëse një gjë e tillë përsëritet, sepse kjo dhunë është pasojë e ligjërimit kryeministror që synon t’ i armiqësojë qytetarët, institucionet shtetërore dhe mbarë shoqërinë, brenda saj dhe median. 

– Pse kryeministri ka zgjedhur të sillet kështu ndaj gazetarisë?

– Unë mendoj se kryeministri Rama ka një strategji komunikimi të mirëpërcaktuar, për t’i vënë mediat nën kontroll ose për t’i frikësuar në momentin që nuk e arrin një gjë të tillë. Prirja për kontrollin e mediave ekziston kudo dhe në çdo kohë, madje edhe në vendet më demokratike, por aty shoqëritë kanë instrumentet për ta mbrojtur integritetin dhe pavarësinë e mediave. Strategjia e komunikimit të kryeministrit Rama lidhet me faktin se, ai është i vetëdijshëm për pasojat e qeverisjes së tij. Një qeveri që qeveris keq me dashje apo pa dashje kundërshtar kryesor ka median. Problemi rëndohet kur një një qeveri e keqe, punën e keqe do ta paraqesë si të mirë, përmes propagandës. Sa më keq të qeverisë qeveria, aq më shumë është e prirur ta relativizojë rolin e mediave. Mediat e shkatërrojnë propagandën. Vetëm në sistemet totalitare mund të ndërtosh një propagandë të fuqishme, me një orkestrim të të gjitha mediave, natyrisht pasi ato janë vënë nën kontroll. Por që një propagandë të jetë efikase nuk duhet të lejojë sistem alternativ informacioni. Në sistemet demokratike propaganda bëhet qesharake, të kthehet në boomerang, sepse edhe një zë i vetëm, prish gjithë sistemin e orkestruar propagandistik. Kryeministri Rama do t’u thotë përmes propagandës së vet shqiptarëve, se çdo lajm i keq i raportuar nga mediat për qeverinë nuk vlen, sepse mediat janë të këqija.

Mendoni që imazhi publik i kryeministrit Rama është edhe jostandardi demokratik i qeverisjes prej tij?

 

– Pa diskutim. Dhe është një nga gjërat më negative të kësaj qeverisjeje. Problemi kryesor nuk është se qeveria bën disa reforma, që japin disa pasoja negative. Problemi është tek prirja antidemokratike që ka kjo qeveri. Duke filluar me qëndrimin ndaj mediave: Sulm, tallje, bllokim informacioni, përpjekja për t’i detyruar mediat që informacionin të mos e marrin në terren por përmes të ashtuquajturave zyra PR-i që nuk asgjë më shumë se sa zyrat e dikurshme të agjitpropit ose përmes kanalit televiziv kryeministror Rama Tv . Keni parë ndonjë vend në botë ku kryeministri të ketë një kanal televiziv?! Kemi të bëjmë me një prirje antidemokratike të pastër, Një rrjedhim i rëndë totalitar. Prirje që thellohet më pas me asgjësimin e shtetit ligjor, përmes ndërhyrjeve arbitrare sipas parimit: Ligji jam unë. Edhe në ato takimet që bën me popullin, në fakt nuk bën asgjë tjetër veçse shkallmon bazat e shtetit ligjor. Qytetarët që ankohen…

– Lllogaridhënien, doni të thoni?…

– Po, pikërisht ajo llogaridhënie është forma e pastër ku shfaqet mentaliteti që Rama ka për funksionimin e shtetit. Qytetarët që ankohen, ai, Rama, që merr vendimin e menjëhershëm, të pushon, të ndjek nga puna, duke shkatërruar bazat e shtetit ligjor përmes asgjësimit procedurës demokratike të qeverisjes, vendimmarrjes, ndëshkimit. Çdo funksionar publik duhet të jetë i monitoruar, por ka gjithashtu edhe të drejtën e një procesi demokratik të verifikimit të akuzave. Kush është kryeministri, që të përcaktojë, nëse vlen apo jo funksionari i administratës publike? Verifikimin e bëjnë institucionet shtetërore. Kryeministri ynë funksionon me logjikë antidemokratike: Ligji jam Unë! Unë jam shteti. Çdo personalizim i pushtetit të çon në sisteme të deformuara demokratike.

Cili është qëllimi i propagandës së llogaridhënies, që ka ndërmarrë qeveria?

– Unë kam përshtypjen, se përveçse një strategjie komunikimi, që synon që gjithë qytetarët të shkarkojnë gjithë potencialin negativ të akumuluar për shkak të situatës së keqe ekonomike, varfërisë, ajo është edhe një strategji për personalizimin e gjithë sistemit me figurën e kryeministrit. Më këtë ai thotë, se sistemi jam unë. Administrata publike është e keqe, por unë jam i mirë. Po ta analizosh, thellë një gjë e tillë është paradoksale, pasi, në qoftë se administrata publike është e keqe, si mund të jetë shefi i kësaj administrate kaq i mirë? Është një lojë, që kryeministri Rama e bën në rrafshin psikologjik dhe që lidhet edhe me një substrat kulturor totalitar të shoqërisë sonë, që i projekton gabimet kudo, por jo tek lideri. Përveç kësaj ai këtë e bën për të krijuar idenë tek qytetarët, se unë po merrem me problemet tuaja. Por, duke u marrë me këto punë llogaridhëniesh të përditshme, lë padore punët e qeverisjes. Nuk mundet që kryeministri në mënyrë të drejtpërdrejtë të adresojë të gjitha problemet e qytetarëve. Këtë duhet ta bëjnë institucionet.

Kryeministrin Rama e dëgjon përditë në 3-4 fjalime në evente të ndryshme. Kjo dëfton që punon?

– Një kryeministër, mendoj, që shumë-shumë mund të dalë 2-3 herë në javë në media, siç dalin kryeministrat e vendeve të tjera. Kancelarja gjermane, presidenti francez, kryeministrja angleze. Ata nuk dalin, ndoshta jo se nuk duan, por thjeshtë se nuk kanë kohë. Nëse kryeministri rri gjithë ditën në media, faktikisht do të thotë, që nuk bën punën si kryeministër. Por ai rri në media që njerëzit të merren me atë dhe jo me qeverisjen e tij.

– Prof. Marku, ju si e gjykoni deklaratën e kryeministrit Rama, se “ministri i Brendshëm nuk ka përgjegjësi morale dhe politike, për aktivitetin kriminal të të vëllait?”

– Ministri Xhafaj, ka përgjegjësi morale, jo vetëm si ministër, por edhe si deputet, si kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, sepse si funksionar publik me ndikim shumë të madh në sistemin e drejtësisë dhe në strukturat e rendit ka një vëlla me precedent penal për të cilin e ka gënjyer publikun, duke mos u treguar atyre, se vëllai i tij është i dënuar për trafik droge. Pra, ka fshehur një të vërtetë. Për çdo funksionar publik, fshehja e një të vërtete para publikut, është një përgjegjësi, jo vetëm morale, por edhe ligjore. Pra, ne nuk e dinim se çfarë kishte bërë vëllai i ministrit, nuk e dinim pse ai nuk shkoi që t’i nënshtrohej drejtësisë në Itali. Nuk dimë, nëse vëllai i tij ka vazhduar edhe më vonë të jetë i organizuar në sistemin e krimit. Përgjegjësia shtohet në momentin që u bë ministër i Brendshëm, pra në një sistem, që teorikisht duhet të ndjekë të vëllanë dhe gjithë atë kategori qytetarësh si ai, që kanë kryer një aktivitet kriminal. Ministri Xhafaj ka shkelur kushtetutën, e cila garanton në letër barazinë e qytetarëve para ligjit.

– Cili është mesazhi që dha kryeministri, duke përjashtuar ministrin e Brendshëm nga përgjegjësitë politike dhe morale? 

Unë mendoj që përgjegjësia e kryeministrit rëndohet pikërisht me këtë qëndrim. Tani përgjegjësia bie më shumë mbi kryeministrin Rama, se sa mbi ministrin Xhafaj, sepse duke e ditur rastin, e mbron. Për më tepër, që bën edhe alibinë, pastaj zhytet edhe më keq, kur fillon dhe jep, madje edhe versione, të cilat praktikisht, duhet t’i bënte sistemi i drejtësisë. Kështu kryeministri Rama shkatërron mundësitë funksionimit të një një sistemi të pavarur të drejtësisë. Ashtu si po vepron zoti Rama krijohet një perspektivë shumë e zymtë për sistemin e drejtësisë: Është kryeministri që bën pretencën, që bën gjykimin ndërkohë që gjykatës dhe prokurorisë nuk i mbetet asgjë, veçse të konfirmojë qëndrimet e kryeministrit.

Qytetari shqiptar a mund të ndjejë që reforma në drejtësi ka filluar të reflektojë drejtësi, kur protestuesit kuksianë janë në burg dhe ish-ministri I Brendshëm, me gjithë që hetohet për trafikim droge, është i lirë me vendim gjykate Apeli?

– Gjëja më e mirë që ka ndodhur deri tani, është reforma në drejtësi dhe kjo jo për meritën tonë, por për shkak të shqetësimit që kanë partnerët tanë ndërkombëtarë për mungesën e shtetit ligjor në Shqipëri. Kjo reformë u ka krijuar iluzionin shqiptarëve se do të ketë drejtësi. Unë mendoj se ngjarjet e fundit, godasin shumë të rëndë, pikërisht sepse godasin shpresat, deri dhe utopinë për ekzistencën e një drejtësie në të ardhmen. Poeti Jevtushenko, rrëfen se një herë takoi një plak 100 e ca vjeçar në Gjeorgji dhe e pyeti: – Me këtë përvojë që ke, si e kupton ti drejtësinë? Ai i përgjigjet: Unë drejtësinë nuk e kam ndesh ndonjëherë, por mendoj që drejtësia më e madhe është lufta për drejtësi. Me rastin e Tahirit, Xhafës etj., goditet rëndë shpresa për të pasur drejtësi në Shqipëri.

– Rastësi apo strategji politike është sulmi që i bënë kryeministri dhe deputetët socialistë deputetëve gjermanë dhe holandezë, të cilët shprehën publikisht skepticizmin e tyre ndaj Shqipërisë?

– Sulmi ishte i organizuar, por rezultoi një gabim shumë i madh për ata që e inskenuan dhe orkestruan. E para, nuk mundet që të sulmosh deputetë që vijnë nga vende me kulturë parlamentarizmi demokratik dhe të kërkosh t’i ndikosh ata përmes presionit. Është paradoksale, që kryeministri të kërkojë, që të njëjtin presion që u bën deputetëve dhe medias në Shqipëri, ta aplikojë ndaj deputetëve në Gjermani dhe Holandë. Deputetëve në Gjermani nuk u bën dot presion politik as Merkeli, sepse atje funksionon ndarja e pushteteve. Është strategji e gabuar, sepse u jep gjermanëve, holandezëve mundësinë të kuptojnë thelbin e krizës shqiptare, dhe i bën ata të kuptojnë që , kur kryeministri shqiptar na sulmon neve, që jemi deputetë në shtete të mirëfillta parlamentare demokratike, çfarë bën ai në vendin e vet, cili është standardi i demokracisë në Shqipëri. Kjo është kundërproduktive në politikë.

– Përse kryeministri Rama u paraprin ngjarjeve të 28 qershorit duke deklaruar, që “ne i bëmë detyrat, tani topi është në fushën e Evropianëve”, kur edhe vetë e di që asgjë nuk ka bërë?

– Me këto deklarata ai më shumë i drejtohet publikut shqiptar, sesa atij evropian. Ai mund ta gënjejë një periudhë, vendin e vet por jo shtetet evropiane apo SHBA-në. BE dhe SHBA e dinë se ne ende nuk e kemi shtetin ligjor, se Shqipëria është një vatër që eksporton një pjesë të krimit të organizuar në Evropë. Një shteti i krimit dhe i mungesës së ligjit, një shtet i mungesës së standardeve demokratike, po troket në dyert e Evropës. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm, se nuk plotësojmë as një të mijtën e standardeve demokratike evropiane. E shikoj hapjen e negociatave, si një shpresë, si një mundësi për t’u futur në një proces normal, pasi me këtë sistem politik që kemi, kemi shumë pak mundësi të anëtarësohemi në Evropë. Kasta politike këtu, mendoj, është më pak e interesuar për të hyrë në Evropë, sepse me anëtarësimin në Evropë, ajo zhbëhet

– Opozita a e ka gjetur kohën e duhur politike, që të denoncojë fort çështjen “Xhafaj” dhe “Tahiri”, tani pak ditë para 28 qershorit, të vendimmarrjes së hapjes së negociatave?

– Procesi i negocimit, nuk do të thotë që të shuhet opozita. Që ne të bëhemi vend evropian, duhet të plotësojmë, minimalisht, disa kushte, që opozita të jetë opozitë, që media të kryejë funksionin e saj, që shoqëria civile të jetë e pavarur. Akuzat që bën Rama ndaj opozitës, e kanë një qëllim, sepse, duke e ditur, që nuk do të hapen negociatat, do ta faturojë gabimin diku tjetër. Unë nuk e besoj, se shqiptarët do të bëjnë fajtor Lulzim Bashën, pse nuk u hapën negociatat ngaqë ai bën protesta. Demonstrata dhe protesta bëhen përditë në vendet demokratike evropiane, jo vetëm nga opozita, por edhe nga grupe të shumta sociale dhe shoqërore. Ideja e komplotit, që kultivon kryeministri Rama lidhet me psikozën totalitare, është e ngjashme me atë që bën Erdogani, i cili rënien e lirës turke, për shkak të politikave të gabuara ekonomike të tij, e justifikon me një komplot ndërkombëtar.

– A është funksion i shtetit ligjor, procedimi penal që policia e Shtetit u bëri të rinjve protestues, të cilët kërkojnë dorëheqjen e ministrit Xhafaj?

– Nuk ka pasur kurrfarë shkelje ligjore, në demonstratat e të rinjve dhe këtu dalim te mungesa e shtetit ligjor dhe e barazisë para ligjit. Sipas logjikës së procedimit penal të Policisë së shtetit ndaj të rinjve që mblidhen para ministrisë, duhet që edhe Rama, kur bën llogaridhënien nëpër qytetet dhe katundet e Shqipërisë, mund të gjobitej, sepse edhe ai në fakt protesta kundër qeverisjes së vet të keqe, po bën. Pra, kryeministri paska të drejtë të bëjë aktivitet dhe të mos e dënojë ligji, po e njëjta gjë nuk funksionon për të rinjtë protestues. Pra, kryeministri Rama paska të drejtë të bredhë me makina nëpër Shqipëri, të mbledhë njerëz ku të dojë, të gjëmojnë altoparlantët, ndërkohë që procedon qytetarët e tjerë, pse mblidhen ata, pa atë. Policia duhet të krijojë kushte për protesta, jo të arrestojë protestuesit.

– Nëse nuk hapen negociatat, a duhet të kemi dorëheqjen e qeverisë?

– Zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje. Kryeministri Rama ka mandat 4 vjeçar dhe në fushatën e fundit është ankuar, që nuk e kanë lënë të qeverisë. Këtë vit ai ose ka prodhuar skandale ose është marrë me skandalet e tij dhe intervista televizive. Kjo qeverisje duhet ta konsumojë vetveten, që njerëzit ta kuptojnë plotësisht, se cilat avantazhet dhe disavantazhet e saj. Ngutja politike për të ardhur në pushtet, apo për të rrëzuar një pushtet, në thelb sjell njëfarë aksidentalizmi politik. Në fund të fundit duhet të shtrojmë pyetjen: Zgjedhjet e parakohshme, a i përmirësojnë standardet e zgjedhjeve në Shqipëri? A nuk do përdoret sërish paraja e pistë, siç u përdor në 2017? A mund të jetë një truk i qeverisë për t’u rilegjimituar, duke përdorur të njëjtat metoda, siç përfitoi në 2017-n? Situatat politike duhet të kenë një evoluim të përshkallëzuar, që të ketë mundësi të vlerësojë të gjithë faktorët, në funksion të situatës që krijohet.

– Mund të kemi evoluim të demokracisë në Shqipëri, me këtë sistem elektoral që kemi?

– Unë do të isha për një sistem të kombinuar elektoral, një sistem me lista, por me lista të hapura që votuesit të kenë mundësi të zgjedhin 2 herë, të zgjedhin edhe formacionin politik, por edhe të përzgjedhin brenda listës mes kandidatëve që afron një parti. Edhe sistemi maxhoritar në Shqipëri përbën një rrezik të madh, sepse, p.sh, të supozojmë një situatë ekstreme ku 100 banditë, me para e presion shfaqen në listat zgjedhore dhe marrin pushtetin. Krimi i organizuar mund të blejë votat më shumë, sesa një parti politike, përmes presionit të elektoratit. Një artist, një intelektual, një personalitet, në një sistem maxhoritar mund të fitonte në konkurrencë me një të ngjashëm, por jo me një kriminel, sepse nuk do të mundte kurrë të ushtronte dhunë, presion, të paguante për votën. Problem tjetër është edhe harta elektorale e krijuar nga reforma territoriale. Ajo u bë për llogari të pastra elektorale. Një zonë me 3-fish më shumë banorë, voton më pak deputetë, sesa një zonë me numër më të pakët. Por edhe vetë partitë aktuale janë shndërruar në një problem të sistemit elektoral. Partitë, nëpërmjet sistemit elektoral, shkatërrojnë administratën publike, sepse përveç parave që hedhin për blerjen e drejtpërdrejtë të votave, ata ofrojnë si favor elektoral edhe postet e administratës publike. Kështu shkatërrojnë edhe fushatën elektorale edhe shtetin. Një njeri që vjen si kontribues elektoral në administratën publike, nuk e justifikon duke u shërbyer qytetarëve, nuk bën asgjë të mirë për institucionin, sepse thotë që kontributin e ka dhënë për partinë në fushatën elektorale dhe detyrën në administratën publike e ka shpërblim nga partia për kontributin që i dha partisë në zgjedhje. Vetë administrate publike bëhet e demotivuar dhe e destrukturuar dhe e shkatërruar. Këto probleme elektorale, paskëtaj, reflektohen në qeverisjen 4 vjeçare.