Rama fton investitorët italianë: Kemi pasuri të mëdha dhe fuqi punëtore të lirë

423
Kryeministri Edi Rama prezantoi para 124 sipërmarrësve italianë mundësitë që ofron Shqipëria për të investuar në sektorë të ndryshëm, që nga energjia, turizmi, bujqësia e deri tek konfeksionet e manifaktura.
“Jemi dy vende shumë të afërt, jo vetëm nga pikëpamja gjeografike. Janë me qindra-mijëra shqiptarët që jetojnë në Itali, i paguajnë shtetit italian kontributet si sipërmarrës të vegjël e të mesëm. Jemi të shumtë në numër edhe kur Juve mund Realin e Madridit dhe kemi një pasuri të përbashkët sa i përket futbollit, një italian e shqiptar që stërvit kombëtaren tonë. Nuk mund të përfytyroj një gjerman që kërkon pasaportë shqiptare për të stërvitur kombëtaren, vetëm një italian mund ta bëjë këtë”, tha Rama.
Aktualisht, në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 900 ndërmarrje italiane, por për kryeministrin Rama ky numër është i paktë krahasuar me ofertën shqiptare.
“Ndodhemi në një situatë optimiste, pasi nuk ka asnjë kufizim për përqindjen e kapitalit të huaj në një ndërmarrje, tatimi mbi fitimin është vetëm 15 për qind, regjistrimi i biznesit të ri bëhet brenda 24 orësh me 1 euro kosto. Kemi përmirësuar vlerësimin nga agjencitë e huaja, kemi fuqi punëtore të re, të kualifikuar dhe ku të gjithë kuptojnë gjuhën italiane”, shtoi Rama.
“Sipërmarrjet e pranishme këtu mbartin njohuri shumë të thella dhe kanë nivel të lartë teknologjik. Zoti kryeministër, kemi dëshirën ta vëmë këtë përvojë në shërbim të Shqipërisë me shpirtin e bashkëpunimit absolut”, tha Massimo Gaiani, ambasadori italian në Shqipëri.
Qeveria, tha kryeministri Rama, është e gatshme t’i hapë rrugë kujtdo që do të investojë në Shqipëri dhe të mos lërë asnjë sipërmarrës të bjerë në grackën e burokracisë.
Sigal