Rama flet për Samitin e Sofjes dhe çështjen Xhafaj, gazetarja e detyron të braktisë konferencën e shtypit

699
Sigal

Gazetarja detyron Ramën të braktisë konferencën e shtypit, që të mos u përgjigjet pyetjeve për Xhafaj

Kryeministri kthehet nga Samiti i Sofjes, duke pranuar se hapja e negociatave është proces i vështirë

Kryeministri Rama, sado që përpiqet ta mbrojë ministrin e Brendshëm Xhafaj nga çdo përgjegjësi morale dhe politike, e ka të pamundur që ta shfajësojë publikisht. Provat e bashkëpunimit të vëllait të ministrit Xhafaj edhe tani me trafiqet ndërkombëtare të drogës janë të pakundërshtueshme edhe nga vetë kryeministri Rama, dhe kjo e bën atë që të humbasë edhe vetëkontrollin dhe të reagojë (ashtu siç di vetëm ai) brutalisht. Dje, kryeministri Rama, sapo u kthye nga samiti i Sofjes dhe zbriti nga avioni dha një konferencë shtypi. Nga samiti i Sofjes udhëheqësit e BE-së dhanë të qartë mesazhet politike, se vështirë në qershor të hapin negociatat me Shqipërinë për anëtarësim dhe këtë dështim e pranoi edhe vetë kryeministri Rama. Mirëpo, kryeministri Rama nuk mundi të përmbahej ndaj pyetjeve që i bëri gazetarja, për çështjen “Xhafaj” dhe, për të justifikuar imunitetin politik që i jep ministrit Xhafaj, kryeministri Rama i përgjigjet me arrogancë gazetares se edhe pronari i saj i medias nuk mban asnjë përgjegjësi për vëllanë, duke u nervozuar kaq shumë, sa braktisi edhe konferencën e shtypit.

Ja debati

Gazetarja: Si ndiheni kur dy persona që u keni besuar ministrinë më të të rëndësishme, i pari në arrest shtëpie për trafik droge, dhe i dyti akuzohet se ka mbrojtur të vëllain, A nuk ka në PS përfaqësues që nuk kanë kushërinj ose vëllezër që merren me trafik droge që mund ta drejtonin këtë ministri?

Edi Rama: Së pari, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Së dyti, pyet pronarin, se dhe ai ka një vëlla. A do ishte i gatshëm, ai, pronari juaj, që të jepte llogari për vëllanë e tij?

Gazetarja: Po ju pyes si kryeministër që qeverisni vendin 

Rama: Më falni, nuk jemi duke bërë debat. Ju e bëtë pyetjen, unë po ju jap përgjigjen. Ju kërkoni përgjigje nga unë, apo jo? Dhe përgjigja ime është kjo: Pyesni pronarin tuaj dhe thuajini që, a ka ai vetë ndonjë përgjegjësi për vëllain, se janë edhe në të njëjtën fushë të dy. 
Gazetarja: Pronari im nuk ka lidhje me rendin dhe qeverisjen e vendit. Nuk e gjej krahasimin tuaj me vend. Unë ju pyeta, se pse duhet të jetë kaq e diskutueshme një Ministri, pse duhet të kemi gjithmonë Ministra që implikohen në këtë çështje për shkak se është nga Ministritë më të rëndësishme të vendit. Kështu që nuk e gjej krahasimin tuaj me vend për pronarët e televizioneve që nuk lidhen me qeverisjen e vendit. 
Rama: Kurse unë e gjej krejt pa etikë që ju vini këtu gazetare për të bërë pyetje dhe merrni mikrofonin për të bërë propagandë. Kjo është pa etikë.

Gazetarja: Nuk është propagandë është pyetje referuar zhvillimeve. Kemi një ish-ministër me arrest shtëpie e një ministër që i ka krijuar imunitet të vëllait. Përse duhet të jenë persona të implikuar dhe të akuzuar? 

Rama: Unë u tregova respektues.

Gazetarja: Dhe unë u u tregova respektuese. Por nuk është propagandë është pyetje.

Rama: Hajde këtu dhe vazhdo konferencën e shtypit të thuash fjalën e fundit, Mirupafshim!