Rama: “Flamuri ‘pa bisht’ vjen vërdallë me thikën e ndasisë veri-jug”

535
Sigal

Kryetari i PS-së  premtoi në Qarkun e Lezhës  krijimin e Agjencisë Kombëtare për Bregdetin

 

Kreu i PS-së Edi Rama, gjatë prezantimit të kandidatëve socialistë për deputet në Qarkun e Kukësit ka sulmuar ministrin e Brendshëm Flamur Noka, i cili është njëherësh dhe kandidati i PD-së në këtë Qark. Rama akuzoi ministrin e Brendshëm se po përhap frymën e ndasisë veri-jug në zonën ne Kukësit, Hasit dhe Tropojës, tekst nuk kurseu akuzat dhe ndaj kryeministrit të Shqipërisë.  “Sot, shkon dhe vjen lart e poshtë një personazh komik që nuk është tek Portokallia, por në krye të Ministrisë së Brendshme, një Flamur ‘pa bisht’, që tundet dhe shkundet në për Kukës, Tropojë dhe Kas, duke treguar përrallat e katragjyshit me anti-plumb. Një burrë qesharak, që nuk i bën nder kuksianëve, tropojanëve dhe hasianëve, nuk i bën nder uniformave blu të këtij vendi janë katandisur ashtu siç janë katandisur, pasi kanë mbetur në dorën e katragjyshit me antiplumb, që dreqi e di pse ka kaq frikë, kur takon popullin e vet”,- tha Rama, i cili u shpreh i suprizuar për pjesëmarrjen në tubim “është e qartë që e kanë shkelmuar frikën”, shtoi ai. Kryesocialisti Rama hodhi poshtë pretendimet e ministrit të Brendshëm që sipas tij endet lart e poshtë duke thënë se Edi Rama nuk e do veriun, ndërkohë që theksoi se maxhoranca në këto vite nuk ka bërë asgjë për veriun e vendit. “Ku janë ato rrugët me kilometra, që tha deputeti jonë që nuk kanë nisur jo më përfunduar, ku kanë kanalet kulluese, ku janë? Ku janë të ardhurat nga pasuritë nëntokësore, ku është shërbimi shëndetësor për të moshuarit. Ku janë shkollat që arsimojnë fëmijët, ku janë mësuesit e lirë, që në vend që të edukojnë fëmijët, që merren zvarrë për të mbushur sheshet”, u shpreh kreu i opozitës. Kreu i PS-së, akuzoi ministrin e Brendshëm se po përçon në këto zona Frymën e ndasisë veri jug, duke theksuar se një gjë të tillë e bëjnë vetëm armiqtë e Shqipërisë. “Ky personazh i “Portokallisë” bashkë me katragjyshin me antiplumb që ju ka mbet në derë nuk ka gojë të flasë për PS, sepse PS-ja vjen këtu me krenarinë që u ka vënë në dispozicion Vexhi Muçmatën, një djalë si ju, i cili bashkë me kandidatët e tjerë do jenë pranë jush, jo për t’iu ndarë dhe përçarë dhe për të ushqyer urrejtje veri-jug, siç bën karagjozi i “Portokallisë”, që dhe për ca ditë është ministër i Brendshëm, por për të ushqyer Shqipërinë e solidaritet që nuk e ka bërë as Flamuri ‘pa bisht’, as katragjyshi me antiplumb. Një goxha burrë vjen vërdallë dhe fut thellë thikën e ndasisë, ne nuk jemi për të ndarë, por për të bashkuar se jug dhe veri është një Shqipëri. I them Flamurit ‘pa bisht’, mos guxo të rrotullosh thikën e ndasisë, në këtë treve se këtë e bëjnë vetëm armiqtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Rama.

Kryetari i PS-së Edi Rama premtoi krijimin e Agjencisë Kombëtare për Bregdetin

Ndërsa ka zhvilluar “Këndin e fjalës” në Tale të Lezhës, kryesocialisti Rama theksoi se, sot vija bregdetare në Shqipëri është shumë e dëmtuar për shkak të ndërhyrjeve brutale dhe abuzimeve. “Është e vërtetë, këtu nuk sheh asgjë mbi det ndërkohë që të kalosh kufirin sheh sesi deti shfrytëzohet maksimalisht.  Në Shqipëri, vija bregdetare është dëmtuar, copëtim që u bë me pronat. Ne kemi në program ngritjen e një agjencie që do quhet Agjencia Bregdetare e Detit, e cila do ketë të gjithë fuqinë institucionale për të trajtuar gjithë vijën bregdetare që nga planifikimi deri tek mbrojtja e zhvillimi i kësaj vije bregdetare. Jam i bindur se me ngritjen e Agjencisë Bregdetare të Detit do zbardhim jo vetëm procesin e kthimit dhe të kompensimit, por dhe të vërtetën e arkivave origjinale ku është bërë një batërdi”,- tha Rama. Rama ka akuzuar sërish kryeministrin Berisha për mashtrim të shqiptarëve pasi sipas tij të gjitha premtimet që ka bërë  janë vetëm propagandë dhe asgjë konkrete për vendin.