Rama: Evropa e Bashkuar, projekti më i madh i njerëzimit

489
Kryeministri i vendit Edi Rama gjatë një interviste dhënë për për gazetën serbe “Danas” një ditë nga vizita e kryeministrit serb Alekandër Vuçiç në Tiranë, është shprehur se shpreson në thellimin e bashkëpunimit me Serbinë. Sipas tij, suksesi i bashkëpunimit përcakton jo vetëm fatin e shqiptarëve dhe të serbëve por edhe fatin e një projekti për Evropën e Bashkuara.
“Ne shpresojmë të thellojmë bashkëpunimin me Serbinë, dhe së bashku të ecim në rrugën e paqes dhe të integrimit europian, me besimin se Shqipëria dhe Serbia, shqiptarët dhe serbët mund të bëjnë për Ballkanin sot atë që Franca dhe Gjermania, francezët dhe gjermanët bënë për Europën pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo vizitë ka një domethënie të veçantë është një indikator i vendosmërisë tonë për të ecur përpara në rrugën që nisëm në Berlin, gushtin e kaluar, nën lidershipin vizionar për Ballkanin të kancelares gjermane Angela Merkel. Evropa e Bashkuara është projekti më i madh i njerëzimit për paqe që mund të jetë imagjinuar ndonjëherë”, është shprehur Rama.
Kjo është vizita e parë e një kryeministri serb në Shqipëri dhe do të pritet me të gjitha nderimet që përcakton protokolli shtetëror. Çka nënkupton se siç u ngrit flamuri shqiptar në pallatin “Serbia” dhe u këndua himni shqiptar, kur Rama vizitoi Beogradin më 10 nëntor, edhe në Tiranë nesër do të këndohet himni serb dhe do të ngrihet flamuri serb.
Sigal