Rama: Edhe 100 herë po të kthehesha, do të votoja Metën President. Ja pse më sulmon opozita

615
Rama: Edhe 100 herë do të votoja Metën President
Kryeministri flet për tensionet në Kuvend dhe përballjen me opozitën. Premtimi për të fituar bashkinë e Kukësit 
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se dhuna në Parlament ka të bëjë me raportin që dy grupimet e opozitës kanë me ligjin dhe drejtësinë e re, si dhe me raportin politik që duan të godasin Shqipërinë për ta penguar rrugën e integrimit evropian.

Dhuna e opozitës në parlament monstruoze
I pyetur për dhunën në Parlament, kryeministri Edi Rama tha në një intervistë se fatkeqësisht ajo që ndodh është pjesë e një historie që nuk është e re. “Opozita ka që në vitin 2013 që s’ka lidership, është një ngelës përsëritës që nuk bën asnjë përpjekje për të dalë nga prapambetja dhe është kthyer sot në atë të mbyturin që të mbyt. Duke qenë të pranishëm në parlament në respekt të zgjedhjeve, jemi jo plotësisht të mbrojtur nga rënia në batak. Parlamenti krijon një atmosferë të nderë, krijon situata të vështira që s’kanë asnjë lidhje me funksionin e parlamentit, s’kanë asnjë lidhje me atë që presin qytetarët, s’kanë asnjë lidhje me atë që ne duhet të tregojmë, e lëre pastaj me shembullin që duhet të japim”, tha Rama. “Ato skena i shikojnë prindër, i shikojnë të reja dhe rinj. Drithërohem nga fakti se janë shembuj që stimulojnë agresivitet, rrëmujë, kaos”, shtoi kryeministri. I pyetur, nëse reagimi erdhi nga shprehja “zgjedhësit tuaj dhe të opozitës” dhe krahasimi ofendues siç pretendon opozita, Rama tha se ky është një interpretim malinj i njerëzve që janë të vetëdijshëm për pafuqinë e tyre përballë kësaj shumice dhe që pafuqinë e kanë kthyer në një motivim të dëshpërimit. “Ajo shprehje s’ka pasur kurrsesi të bëjë me njerëzit, me zgjedhësit, me popullin, por ka qenë një shprehje e drejtuar specifikisht për kryetarin e pafuqishëm të opozitës”, tha Rama. I pyetur për dënimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati nga Byroja Parlamentare, Rama tha se reagimi i ministrit ishte instiktiv në një situatë të rëndë, sepse ajo që sheh dhe dëgjon publiku është vetëm një pjesë e asaj që ndodh. “Sikur njerëzit të dëgjonin lumin e të sharave që drejtohen nga parlamentarët, do të tmerroheshin nga vulgariteti dhe nga bataku ku pllaquritet kjo opozitë, por ishte një reagim i gabuar dhe pikërisht sepse ne ne nuk jemi njësoj, pikërisht se për ne rregullat vlejnë njësoj për të gjithë, edhe ministri u ndëshkua pasi kërkoi ndjesë publike ndaj njerëzve. Ndërkohë nga ana tjetër kemi agresorët, që jo vetëm nuk kërkojnë ndjesë, por ndihen krenarë për shfaqet e shëmtuara që japin”, tha Rama.

Do ta fitojmë bashkinë e Kukësit
I pyetur për videon e postuar nga Berisha, ku Rama shfaqet duke thënë “keni për të parë”, Rama u shpreh se i jam drejtuar deputetit Flamur Noka, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me traditën me kulturën e atyre njerëzve që përfaqëson. “Unë i kam thënë “do ta shikosh” dhe ajo që do të shikojë do të vijë shumë shpejt qershorin e ardhshëm në Kukës, ne do ta fitojmë bashkinë e Kukësit”, u shpreh shefi i qeverisë. I pyetur për të martën ku me shumë gjasë Shqipëria do të marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit, dhe sa ndikon kjo situatë e brendshme politike, Rama tha se një gjë mund ta them me siguri, se janë të frikësuar nga reforma në drejtësi dhe këtë e di gjithë planeti tanimë dhe jo më Shqipëria. “Janë tërbuar nga ideja se marrja e rekomandimit pozitiv dhe çelja e negociatave do të jetë një vlerë e shtuar në sytë e publikut për këtë shumicë qeverisëse dhe e dinë që rekomandimi, sipas të gjitha gjasave do të jetë pozitiv, i pastër, i drejtpërdrejtë, por dinë po ashtu që mes dy muajve që merr rekomandimin dhe marrjes së vendimit nga Këshilli Evropian ka gjithmonë kohë për t’i turbulluar ujërat me shfaqje të tilla monstruoze që na bëjnë qesharakë në sytë e botës dhe dje në Rusi, në Serbi, por jo vetëm, janë pasqyruar videot e atij spektakli të shëmtuar, sigurisht duke përqeshur Shqipërinë” pohoi më tej kryeministri. Në vijim, Rama shtoi se “besoj se ajo që po ndodh është sa personale në raportin e udhëheqjes së këtyre dy grupeve me ligjin, me drejtësinë e re që po troket, aq dhe politike, në kuptimin më të mbrapshtë të fjalës, si një goditje që nuk e kursen Shqipërinë për arsye krejt personale dhe nuk e kanë problem fare që të mbysin Shqipërinë në momentin kur Shqipëria ka nevojë edhe për ta”.

Opozita në nivelin më të ulët historik
I pyetur për marrëveshjen e 17 majit me Lulzim Bashën për rënien dakord për të bashkëpunuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE, Rama tha se sigurisht Çizmja e LSI-së ka një forcë të madhe tërheqëse mbi Lulzim Bashën, që thjesht nuk është lider, thjesht nuk di të shohë përtej të sotmes, thjesht nuk ka aftësinë të kuptojë që ajo që ai ka në dorë është një përgjegjësi e jashtëzakonshme për të udhëhequr Partinë Demokratike, pas një periudhe të gjatë nën drejtimin e një lideri që ka pasur një staturë dhe një profil të vështirë për t’u zëvendësuar. “E vërteta është se gjendja ku ndodhet sot Partia Demokratike dhe LSI janë në nivelin e tyre më të ulët historik dhe është rezultat i faktit se ky lidership është i paaftë të kuptojë se njohja e realitetit dhe pranimi i realitetit është A-ja për të ndërtuar një rrugë të re fitoreje. Në rast se vazhdojnë kështu do të jetë shumë më e hidhur se ajo e kaluara, kur të vijnë zgjedhjet e qershorit të ardhshëm”, shtoi Rama.

“Freedom House” ka elementë shumë pozitive
Për sa i përket dokumentit të “Freedom House”, Rama tha se po, i lexoj me vëmendje raportet ndërkombëtare dhe nuk ka raporte ndërkombëtare që kanë vetëm një anë. “Sigurisht raporti ka kritikat e veta dhe qeveria është e kritikueshme, sepse po të mos ishte e kritikueshme, nuk do të ishte Shqipëria, do të ishte një vend që nuk ekziston”, tha ai. “Nëse shihni raportet e “Freedom House” edhe për vende më të zhvilluara se ne dhe, nëse kapeni me aspekte të raporteve, duket sikur shkruhet për Shqipërinë që ishte dhe jo për Shqipërinë sot. Raporti ka elementë shumë pozitivë, por ka edhe elementë kritikë dhe kështu duhet të jetë. Pra kjo është një qeveri që kritikohet me të drejtë dhe pa të drejtë, por më shumë me të drejtë, se pa të drejtë”, u shpreh kryeministri. I pyetur në lidhje me raportin e “Freedom House” për zbehjen e luftës antidrogë, Rama tha se “lufta antidrogë nuk ka lidhje fare me qëndrimin e mbajtur me rastin e Saimir Tahirit, sepse lufta antidrogë ka rezultatet e veta. Rezultatet janë të mirënjohura dhe një nga arsyet që ne do të marrim rekomandimin pozitiv, është se kemi pasur sukses në këtë luftë”. Në lidhje me raportin e “Freedom House” ku flitet për Presidentin e Republikës, Ilir Meta, Rama tha se “unë fola për raportin dhe e dhashë interpretimin tërësor, por nëse më pyesni për zgjedhjen e Ilir Metës, edhe sikur të kthehesha pas 100 herë, të 100 herët do zgjidhja Ilir Metën, pavarësisht se çfarë mendon Ilir Meta kur lexon raportin”.

Besoj te Donald Lu dhe Romana Vlahutin
Ndërsa për sa i përket letrës së publikuar nga ish-Prokurori i Përgjithshëm drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit dhe ndërhyrjes së ambasadorëve në punët e brendshme të Shqipërisë, Rama tha se “për fatin më të keq timin mes gjithë këtyre shqiptarëve që ju përmendët, unë besoj amerikanin Donald Lu”. “Mes gjithë këtyre shqiptarëve që përmendët dhe kroates Romana Vlahutin unë besoj kroaten. Këto janë përralla, dokrra, broçkulla të kazanit të politikës, ku fatkeqësisht rrokullisen garuzhdet e partive në duart e atyre që nuk arrijnë dot të marrin përgjegjësinë për pozicionin që kanë, apo që kanë pasur”, tha në fund Rama.
Sigal