Rama e Meta: Para 23 vjetësh e quanim njëri-tjetrin të çmendur

399
Sigal

TIRANE – Kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta kanë shkëmbyer batuta me njëri-tjetrin në aktivitetin në Pallatin e Kongreseve, në 23-vjetorin e themelimit të FRESSH. Kreu i LSI, i cili ka mbajtur edhe fjalën hapëse të aktivitetit, si një nga themeluesit dhe ish-kryetarët e FRESSH, duke përshëndetur kreun aktual të PS, Edi Ramën, tha se “kam frikë se edhe ai na ka marrë për të çmendur para 23 vitesh.” 

Pas tij e ka marrë fjalën kreu i PS dhe Kryeministri i vendit Rama, duke iu përgjigjur batutës së Metës, se kam frikë se edhe Rama na ka marrë për të çmendur para 23 vitesh, Rama iu përgjigjse është e vërtetë që i kam marrë për të çmendur, por edhe ata më merrnin për të çmendur mua atëherë. 

“Është e vërtetë që kur këta krijuan FRESSH-in mu duken si të çmendur, por është e vërtetë që në atë kohë këta dhe ata më merrnin për të çmendur. E rëndësishme është që më të çmendurit e gjetën njeri-tjetrin më në fund dhe Shqipëria filloi të ndërrojë faqen e vet duke shpëtuar nga të çmendurit e vërtetë jo nga ne.” -tha Rama duke kaluar me batuta me të rinjtë. “I keni paguar dritat apo? Se më tha Saimir Tahiri, po sikur t’i kontrollojmë faturat e energjisë kur të hyjnë, por kjo u konsiderua e tepërt për momentin, por me dritat kujdes”.

Rama:Pas 23 qershorit, shkulëm frikën e njerëzve për të kritikuar qeverinë
Kryeministri Rama, në 23-vjetorin e FRESSH, u shpreh se pas 23 Qershorit u shkul hija e frikës për të kritikuar qeverinë, duke theksuar se është shfrytëzuar tërësisht mundësinë për t’i shërbyer vendit, në pjesën e parë të qeverisjes,  por edhe vendi e kritikoi qeverisjen.

““Dua ta nis me një fjalë të Kenedit, ku shprehet se “Të jeshë në qeveri është një mundësi e pashoqe t’i shërbesh vendit tënd, por po e pashoqe është mundësia për të kritikuar qeverinë tënde” dhe unë jam krenar se në pjesën e parë të qeverisjes tonë ne e shfrytëzuam pa fund mundësinë e pashoqe për t’i shërbyer vendit tonë, por dhe vendi ynë pati një pjesë të parë me mundësinë e plotë për ta kritikuar qeverisjen tonë. Prandaj, le të jemi sot të gjthë krenare, por mbi të gjitha dua të nënvizoj që nuk vihet asnjëherë në listën e zotimeve që është shkulja e hijes së frikës nga studentët, policët, biznesit, mësuesve, asgjesimi i presionit të politikës ndaj zyrtarevet te shtetit, kjo është ajo që ka ndodhur pas 23 qershorit dhe duhet të jemi krenarë për ketë arsye themelore që shtyu shumë njerëz të votojnë për ne”.- tha Rama duke shtuar se “Këto do të jenë zgjedhjet e para që asnjë rrogëtar i shtetit  nuk do detyrohet të marrë pjesë në miting. Asnjë shkollë në republikë nuk do të lërë asnjë orë mësimi për ët mbushur sheshte elektorale. Së bashku fituam betejën e 23 qershorit.”

Më tej gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te zgjedhjet e ardhshme lokale duke theksuar se do të respektohet kuota 50% për 50% gra e vajza dhe burra dhe djem në Këshillat e rinj bashkiak.  

“Kemi detyrën jo të fitojmë zgjedhjet e ardhshme, por të rilindimin ndjenjën e disiplinën komunitare. Zgjedhjet jo me kundërshtzarin që e mundëm dhe do e mundim sërish në 2017, por janë për stacionin e radhës për detyrën tonë. Nuk do i kthejmë në një betejë politike, por do zgjerojmë shpresën. Kemi krijuar premisën pas rënies së qindra gardheve, që ishin pengje të fisit më të madh apo të fshatit më të madh. Do jenë mjeti për të ndërtuar një politikë të re për 61 bashkitë e Shqipërisë për komunitetin. PS dhe LSI do mbështesim së bashku kandidatët, por do të jeni ju të rinjtë, së bashku me prindërit dhe fqinjët në komunitetët tuaj. Do të zgjedhim një model të ri qeverisjeje, një rrugë të re për çdo bashki të re.”- tha Rama.

Rama: Reformat tona po godasin pjesë-pjesë korrupsionin
Kryeministri Rama gjithashtu foli edhe për luftën kundër korrupsionit, duke kërkuar bashkëpunimin e njerëzve për shembur në çdo fushë korrupsionin, përmendi edhe formimin e platformës online për denoncimet

“Reformat tona po godasin pjesë-pjesë korrupsionin. Ne nuk kemi një shkop magjik. Nëse njerëzit nuk përfshinë në luftën kundër korrupsionit ne nuk mund ta godasim me gjithë forcën. Për këtë do të shërbejë platforma online, që do ketë një fushë ndërveprimi kundër të paudhëve që u ndërpresin rrugën njerëzve kur kërkojnë një shërbim.”- tha Rama.

Meta: FRESSH krijoi alternativën e së ardhmes të Shqipërisë
Në ceremoninë e mbajtur në Pallatin e Kongreseve, fjalën hapëse e mbajti kryetari i Kuvendit Ilir Meta, njëherësh aleat i Partisë Socialiste në qeverisjen e koalicionit të majtë. Meta i cili ka qenë një nga themeluesit e FRESSH, duke mbajtur edhe për një kohë të gjatë postin e kryetarit të forumit rinor të PS, vlerësoi kontributin e të rinjve socialiste dhe i konsideroi ata njerëzit e ndryshimit, pasi ata ishin antikomunistët e parë për të rrëzuar diktaturën dhe më pas ndërtuan të majtën në vend.

Meta në fjalën e tij, u shpreh se “ Ishte koha kur e djathta ishte në një revansh dhe efori të jashtëzakonshme në trendin e saj, por koha tregoi se themeluesit e FRESSH nuk ishin të çmendur, por të guximshëm dhe vizionare, sepse për pak muaj, situata politike ndryshoi në mënyrë esenciale dhe vitet kaluan dhe Partia Socialiste u rigjenerua dhe u bë një alternativë e së ardhmes dhe Forumi i Rinisë Socialiste qe dha kontributin e vet pati një meritë historike, krijoi një alternativë të së ardhmes me bindje, pasion e idealizëm dhe ishte fat, jo vetëm për PS-në, por dhe Shqipërinë. Rinia Socialiste dha kontribut të jashtëzakonshëm për të frenuar instalimin e një regjimi diktatorial në emër të gjoja antikomunizmit”.

“Ishte një kohë tjetër kur eurosocialistët dhunoheshin dhe burgoseshin, por ata luftuan dhe ia dolën për Shqipërinë. 23 vjet më parë në këtë sallë kishte dhe të rinjë nga Kosova, të cilët ishin themelues të FRESSH të Shqipërisë. Ishte një rast i rralle i FRESSH ai i Haki Morinës, i burgosuar nga regjimi i Milloshevicit, të fliste dhe të jepte besim në këtë salle, kur në atë kohë akuzohej nga e djathta se kishte shitur Kosovën dhe interesat kombëtare. Koha është për ata që guxojnë dhe shohin lartë. Vetëm gjashtë vjet më pas, ky kosovar do bashkohej me UCK-ne dhe Shqipëria drejtohej nga eurosocialisti Pandeli Majko”, u shpreh Meta.

Meta solli në vëmendje një fakt të rëndësishëm historik, duke pohuar se “Në të gjithë vendet ish- komuniste u krijuan rinitë komuniste, ndërsa në Shqipëri u krijua një rini socialiste që nuk kishte lidhje me rininë komuniste, por me të rinjë që ishin aktive ne lëvizjen e dhjetorit në rrëzimin e diktaturës. Kjo lëvizje solli tolerancën dhe bashkëpunimin dhe ne e kemi konsideruar oponencë brenda PS-së”.

Veliaj: Denonconi ata që punojnë në të zezë
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, gjatë aktivitetit për 23-vjetorin e FRESSH ftoi të rinjtë të bashkëpunojnë për reformën e pensioneve dhe të denoncojnë çdo person që punon në të zezë, në mënyrë që asnjë shqiptar të mos ngelet pa pension.

“Nuk e kemi përfunduar betejën tonë me fitoren e mrekullueshme të 23 qershorit, ne sapo e kemi nisur betejën tonë. Është shumë e rëndësishme që FRESSH-i të bashkëpunojë për reformën e pensioneve. Askush në Republikën e Shqipërisë të mos shfrytëzohet si skllav. Të sigurohemi që asnjë shqiptar të mos vijë në moshën e gjyshërve tanë pa pension. Asnjë i ri të mos punojë në të zezë. Pres që secili prej jush të jetë pjesë e raportimeve dhe denoncimeve për ata që punojnë në të zezë”, u tha të rinjve ministri Veliaj.

Ai gjithashtu u ka kërkuar të rinjve të jenë aktivë dhe të angazhohen për zgjedhjet e ardhshme lokale. “Nëse jeta juaj do ishte një libër dhe ju do ishit autori, si do donit të vazhdonte historia e librit të jetës suaj? Do donit të ishit apatikë, apo aktivë që të merrni pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Pse këshillat bashkiakë të mos jenë plot me të rinj. Anëtarësia në Parti nuk është një mundësi për punësim por një teserë që të ndryshojë gjithë Shqipëria. Ju jeni autorët e librit të jetës juaj dhe ju e keni në dorë se si do të vazhdojë historia e jetës suaj. Siç rilindëm qeverinë qendrore, të rilindim çdo qeveri lokale. Përkulem me shumë respekt për mentorët e mi, për themelues të FRESSH-it, njerëz si Pandeli Majko e Musa Ulqini”, tha Veliaj.