Rama e identifikon shtetin tek “UNI”, shkarkon drejtorin live në TV

674
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri nuk shkarkon asnjë ministër, edhe pse e cilëson Administratën Publike të paaftë të zgjidhë problemet e qytetarëve

Kryeministri Rama është i pari që nuk beson tek Administrata Shtetërore, se është e aftë që, së pari, do t’u zgjidhë punët, hallet, shqetësimet, problemet qytetarëve. Prandaj, ka ngritur “shtetin” e vet brenda shtetit, domethënë platformën qeveritare shqiperiaqeduam.al ku përditë adreson shqiptarët, që të mos shkojnë më tek shteti, por t’i shkruajnë platformës së tij, për të zgjidhur çdo hall. Kryeministri Rama nuk ka më besim as tek drejtorët e përgjithshëm, as tek ministrat që ka emëruar, derisa tani thërret vetëm koordinatorët e platformës qeveritare, për t’i raportuar si shkojnë punët e shtetit.

Kryeministri Rama, i pari që nuk zbaton ligjin e shtetit

Dje, në një takim me koordinatorët e platformës qeverisëse, kryeministri Rama, live, shkarkoi drejtorin e Hipotekës së Fierit, sepse, siç e argumentoi kryeministri Rama “Pronat vijojnë të jenë një problem kryesor. Gjatë takimit Rama u shpreh se për shkak të numrit të ankesave ka vendosur shkarkimin e kreut të Hipotekës në Fier dhe ka nisur hetim administrativ për zyrën e Hipotekës në Kavajë. Rama: Kur pashë këtë raportin e sotëm i kam kërkuar shkarkimin e drejtorit të Hipotekës dhe thellimin e hetimit administrativ për të gjithë përgjegjësit për këtë lloj zvarritje.”. Kryeministri Rama nuk ka asnjë kompetencë ligjore që të shkarkojë drejtorë rajonalë. Kjo kompetencë është e ministrive përkatëse, që kanë në varësi drejtoritë rajonale, bëjnë audite, ligji parashikon procedurë të veçantë. Nuk mund të shkarkohet asnjë drejtor, asnjë nëpunës i administratës publike, me kushte e kritere që përcakton kryeministri me fjalime populiste, por që ligji nuk i përmban. Pyetja është: Koordinatorët e platformës qeverisëse janë të emëruar? Si nëpunës të administratës publike? Me çfarë cilësi e kompetence? Nuk ka asgjë të shkruar për kompetencat e tyre, për mënyrat dhe kriteret e emërimeve të tyre, asgjëkund, as në ndonjë platformë elektronike, as në VKM, as në ndonjë ligj të miratuar.

Kryeministri Rama pohon që administrata publike është e paaftë, por ka ministra të aftë!

Sot është asambleja Kombëtare e PS, ku siç dihet, kryeministri ka paralajmëruar se do të bëhej përmbledhja e llogaridhënies së qeverisë dhe do të bëheshin ndryshimet e duhura edhe në formatimin e ri të kabinetit qeveritar. Por, përfundimisht, kryeministri ndërron mendje, nuk do shkarkojë asnjë ministër, edhe pse përditë pohon që administrata nuk u zgjidh problemet qytetarëve. (Pa përmendur paskëtaj, denoncimet dhe akuzat e opozitës, të qytetarëve, realitetin e korrupsionit galopant, të inkriminimit, të dhënies së tenderëve dhe koncesioneve jo me procedurë transparente, etj, që do të ishin faktorë po kaq të rëndësishëm, që kryeministri të bënte një riformatim të ri të kabinetit qeveritar. Vetë dështimi i hapjes së negociatave me BE për anëtarësim, është drejtpërdrejt dështim i reformave të qeverisë. Vetë mënyra e trajtimit nga kryeministri të problemeve shtetërore me platformën qeverisëse dëshmon që administrate publike është e paaftë që të administrojë problemet e shtetit, të zgjidhë shqetësimet e qytetarëve. Çdo institucion shtetëror ka edhe një titullar politik, që është ministri. Kryeministri Rama, me platformën qeverisëse ka nxjerrë rezultatet e ankesave, sipas institucioneve,.Pra, ka evidentuar se në cilën ministri nëpunësit janë të paaftë. Atëherë, kur institucioni është i paaftë të zgjidhë problemet e qytetarëve përgjegjësia është e ministrit përkatës. Kryeministri pohon që kemi administratë të paaftë, pohon se në institucionet shtetërore kemi emëruar “shushunja”, siç i cilësoi nëpunësit, por për çudi, fajin e kanë vetëm “shushunjat” dhe jo titullari, ministri që emëroi “shushunjat”.