Rama e Gjiknuri inspektojnë rafinerinë e Ballshit

467
Sigal

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri inspektuan rafinerinë e Ballshit, e cila ka rifilluar punën me kapacitet të plotë.

Kjo rafineri vlerësohet nga Qeveria si një aset strategjik dhe rivendosja e saj në punë, përbën një lajm të mirë jo vetëm për ekonominë familjare të personave që punojnë në të, por edhe për ekonominë kombëtare në përgjithësi. 

“Një nga sfidat që kishim si qeveri ishte rivënia në punë e përpunimit të naftës në vend, për arsye nga më të ndryshmet, por mbi të gjitha për punësimin e njerëzve dhe për ta mbajtur këtë aset strategjik që edhe Shqipëria, si shumë vende të tjera që kanë naftë, të ketë mundësi të prodhojë naftë. Vetëm biznesi që është rreth kësaj rafinerie, zinxhiri që nga furnizimi dhe pjesa tjetër prodhimi janë disa qindra milionë dollarë që janë pjesë e ekonomisë shqiptare,”  u shpreh ministri Gjiknuri.

Pas rivënies në punë, uzina ka rinisur prodhimin e eurodieselit të standardit europian, benzinë super dhe derivate të tjera.

 Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se me investitorët është këmbëngulur që të paguhen rrogat e prapambetur. Ai tha se veç qëllimit kryesor, atij të përpunimit të naftës, rafineria duhet të përdoret edhe për t’i dhënë një tjetër zhvillim ekonomisë bujqësore të Mallakastrës përmes derivateve të naftës që mund të përdoren nëpër serra.

“Rafineria gjeneron edhe avull në sasi të tilla që mund të furnizojë, sipas drejtuesve të saj, të gjitha serrat e Mallakastrës. Sasia është kolosale. Kjo është një vlerë të shtuar në mbështetje të bujqësisë për të gjithë zonën e Mallakastrës. Ne duhet ta synojmë këtë, të arrijmë sasinë e avullit që të furnizojmë gjithë serrat e Mallakastrës dhe t’i japim një bum gjithë zonës nga pikëpamja bujqësore”, tha Rama.