“Rama e Bushati gatuan çorbën që tani po e pështyjnë”

605
Kreu i Departamentit të Politikës së Jashtme në Partinë Demokratike, Kreshnik Çollaku, analizon gjendjen e shërbimit të jashtëm dhe kritikat e kryeministrit
Kryeministri Rama adresoi kritika të forta ndaj ambasadorëve të Shqipërisë në botë. Si e vlerësoni rolin dhe punën e përfaqësuesve të vendit tonë në botë?
“Ndoqa me vëmendje shpërthimin e kryeministrit ndaj ambasadorëve të Shqipërisë. Rama është kundërshtari ynë politik kryesor, por unë personalisht, përveç disa termave të padenjë e fyes, jam dakord në çdo germë të kritikës së tij. Do t’ju them edhe më shumë. Ato kritika janë vetëm gjysma e situatës së rëndë që ka përfshirë shërbimin tonë diplomatik. Ndaj Rama artikuloi disa gjysmë kritika, duke heshtur me qëllim ose nga padija për gjysmat e tjera. Kritikat e Ramës janë thuajse një ‘copy-paste’ e asaj çfarë PD ka artikuluar dhe paraqitur si shqetësime, madje duke prodhuar një dokument kritik për politikën e jashtme dhe rolin e diplomacisë, dokument i cili duke dëgjuar Ramën, dyshoj se është hakeruar nga piratët e punësuar në zyrat e kryeministrisë. E pranoj se artikulimi publik i tyre nga ana e PD-së ka qenë i zbehtë gjatë fushatës së fundit elektorale dhe kjo jo për faj të Ramës, por unë jam i gatshëm t’ia vë në dispozicion publikut dokumentin e prodhuar nga PD disa muaj më parë para se Rama të ‘zbulonte’ gjendjen atavike të shërbimit tonë diplomatik, pasi ishte po Rama që pak muaj më parë himnizonte trupën e atyre njerëzve që i quajti ‘të leshtë’. Megjithëse jam dakord me kritikat dhe i vlerësoj ato si realiste, edhe pse të kopjuara, ka të tjera probleme edhe më të rënda për të cilat kryeministri hesht. Po përmend njërin prej tyre. Është i pashpjegueshëm fakti se në trupën tonë diplomatike ka munguar dhe ende mungon një filtër dhe verifikim i trupës në lidhje me sigurinë e pastërtinë dhe lidhjet me strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe ndaj ndikimeve apo shërbimeve të vendeve jo mike. Edhe pse ka pasur denoncime në këtë drejtim, individë të dyshuar vazhdojnë të patrazuar shërbimin nëpër ambasada në vende strategjikisht të rëndësishme për interesat e Republikës së Shqipërisë. Kjo nuk mund të quhet më neglizhencë apo pakujdesi, por një cenim i sigurisë kombëtare. Por pikërisht këtu lind dhe problemi. Pse ky kryeministër dhe ministri i tij i Jashtëm u kanë hapur rrugë në shërbimin diplomatik këtyre kontigjenteve? Shqetësime të tilla kanë ardhur dhe nga vende mike e partnere dhe heshtja e kryeministrit apo kompliciteti i ministrit të Jashtëm për të mos ndërhyrë energjikisht në këtë situatë është kriminale. Politika e jashtme është një sferë ku dallimet pozitë-opozitë duhet të jenë të pandjeshme. Me këtë pikëpamje nga ana jonë, shqetësimet janë ngritur duke pasur prioritar, jo kriticizmin për qeverinë, as avantazhin e opozitës, por interesin kombëtar dhe shtetëror. Kemi ofruar këshilla dhe bashkëpunim pa asnjë paragjykim, pasi kemi vlerësuar interesin kombëtar si prioritet absolut i politikës sonë të jashtme, por sa më shumë shtrinim dorën, aq më tepër shihnim bunkerizimin politik, ideologjik dhe partiak e klanor nga drejtuesit e Ministrisë së Jashtme dhe qeverisë. Me mendjelehtësi dhe kokëfortësi gatuan këtë çorbë, mbi të cilën sot po pështyjnë”. 

Çfarë mund të bëjë shërbimi i jashtëm për tërheqjen e investimeve të huaja?
“Mossuksesi i diplomacisë ekonomike që ishte hapësira më e madhe për të cilën kryeministri ankohej, në fakt është fusha që nuk e zgjidh dot e vetme trupa diplomatike. Nëse ka një sektor ku kjo trupë është më pak e fajshme është pikërisht diplomacia ekonomike. Të ndalemi pak këtu. Në radhe të parë ka qenë ky kryeministër që katër vite më parë tallej kur Sali Berisha theksonte rëndësinë e diplomacisë ekonomike dhe nxiste në këtë drejtim. Gjë e mirë që sot Rama ka reflektuar. Por suksesi në fushën e diplomacisë ekonomike, edhe po të përjashtosh ‘ambasadorët e leshtë’, bëhet i pamundur kur pas krahëve ke një qeveri të paaftë për të kuptuar prioritetet e zhvillimit ekonomik të vendit dhe interesat ekonomike të biznesit të huaj. Është i pamundur suksesi në këtë fushë, kur ke një strukturë shtetërore të mbytur nga korrupsioni, është e pamundur të bindësh investitorë të huaj kur ministrat e tu kërkojnë nga 20 milionë euro bakshish për investime strategjike, është e pamundur kur vendi kthehet në oaz të bandave të narkotrafikantëve dhe krimit. Sikur elitën e diplomatëve të botës të kesh të angazhuar në lobim është pamundur të joshësh ndokënd të hedhë kapitale në një vend të tillë. Ndaj dajaku që Rama u dha ambasadorëve në këtë fushë është si dajaku që fshatari budalla i jepte kalit kur karrocën e tërhiqte gomari”. 

Si është e vendosur Shqipëria në raport me fqinjët në këtë drejtim?
“Unë mendoj se sot Shqipëria është më e dobët pikërisht aty ku çdo partner e kërkon dhe ajo ka kushtet të jetë më e forte dhe kontribuese. Pikërisht te roli dhe ndikimi që ka faktori shqiptar dhe Tirana zyrtare në Ballkan. Marrëdhëniet që në këto 4 vite janë ndërtuar me fqinjët në Ballkan janë më difektozet që nga fillesat e pluralizmit. Premtuan se do të kishin Zero Probleme me fqinjët, por në fakt rezulton se janë Zero fqinjët pa probleme me Shqipërinë. Disa janë probleme të vjetra, por disa prej tyre janë të krijuara në mënyrë krejt absurde. Problematike është marrëdhënia me Kosovën. Ka pasur ankesa publike nga qeveria e Kosovës në raport me sjellje naive dhe të dëmshme të Tiranës zyrtare në dëm të interesave të Kosovës (kujtoj disa reagime publike të ministrit Jashtëm të Kosovës, Hoxhaj). Ka një afrim dhe dashuri disproporcionale me Serbinë, duke zhvlerësuar bisedimet Prishtinë-Beograd si rregulluesin e vetëm të marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Ka një sjellje megalomane nën petkun e patriotizmit në raport me Greqinë, me zero produkt në zgjidhjen e problemeve jo të lehta mes dy vendeve. Për shkak të dëshirës së pakontrolluar për të dëshmuar paternalizëm rajonal të Tiranës zyrtare, u rrezikua të njollosej dhe paragjykohej marrëveshja e partive shqiptare në Maqedoni, si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë, duke hapur andrralla të panevojshme ndërkombëtare. Ka ftohje marrëdhëniesh me një aleat të natyrshëm të shqiptarëve në Ballkan dhe bashkëudhëtar në anëtarësimin në NATO, Kroacinë. Nga vendi me zhvillimet më delikate në rajon Bosnja-Hercegovina kanë tërhequr ambasadën, një idiotësi spektakolare e Ministrisë së Jashtme. Mund të shkojmë dhe me detaje të tjera dhe bilanci vetëm se rëndohet. Me këtë paaftësi orientimi strategjik dhe sjellje diplomatike infantile, në fakt Shqipëria po bëhet kompliste në rritjen e rolit dhe hegjemonisë serbe në Ballkan. Përveç sloganeve bajate për bashkëpunim në vend të bashkimit e integrim në vend vëllazërimit apo të tjera neojugosllavizma, të gjithë e dimë se kjo nuk shkon në dobi të çështjes shqiptare në Ballkan dhe Tirana zyrtare e politika e saj e jashtme është përgjegjëse direkte për këtë dëm, efektet e të cilit do të vijojnë me dekada”.

Në Shqipëri diskutohet shumë edhe për ndikimin rus dhe investimet nga vendet arabe apo Kina. Si duhet të orientohet diplomacia në këtë drejtim?
“Është e vërtetë. Bota e për pasoje edhe Ballkani nuk është ai i disa dekadave më parë. Gjërat kanë lëvizur. Aktorët janë shtuar dhe është logjike që të kërkojnë të shtojnë apo zhvillojnë influenca politike, ekonomike dhe interesi. Është e pritshme rritja e ndikimit nga fuqitë, të cilat përmendni, por unë mendoj se sidomos për sa u përket shqiptarëve në Ballkan dhe patjetër Tiranës zyrtare, i vetmi element që mund të sigurojë që kjo betejë influencash të mos cenojë interesin kombëtar është qartësia në orientimet strategjike dhe sjellja besnike me këtë orientim. Që në ditët e para të qeverisë “Rama 1” kam vënë re dhe kam kritikuar dilemat strategjike të Ramës mes Lindjes dhe Perëndimit. Mendjelehtësia e të quajturit këdo që i jep dorën apo të hyn në zyrë aleat strategjik të bën të humbasësh kuptimin dhe vlera kur vlerëson si të tillë aleatin e vërtetë strategjik. Unë mendoj se rritja e influencave të tilla në Shqipëri apo hapësirën shqiptare vjen si pasojë kryesore e kësaj paqartësie e dilemave strategjike të Tiranës. Për sa na përket, ne kemi bërë të qartë qëndrimin tonë pa asnjë hezitim. Konsiderojmë aleatin e vërtetë strategjik SHBA dhe procesin e integrimit në BE si një orientim strategjik. PD nuk ka dilema strategjike, por PD u votua të jetë opozita e vendit. Shqiptarët sot qeverisen nga një forcë tjetër, ndaj ata duhet të ndjekin me vëmendje dhe jo pa shqetësim këto zhvillime, sidomos kur qeverisesh nga një trupë e paqartë në orientimet ndërkombëtare”.

“Telegraf”
Sigal