Rama: E ardhmja e rajonit, nën qiellin e përbashkët Europian

458
Sigal

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama takohet me homologun e tij maqedonas, Nikolla Gruevski

Pas darkës së organizuar ditën e hënë, nga Kryeministri Rama, ku ka mbledhur, për herë të parë, në një tryezë Menduh Thaçin dhe Ali Mehmetin, në një atmosferë të ngrohtë dhe paqësore, dje në konferencën e përbashkët për shtyp, në përfundim të takimit, mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe homologut të tij maqedonas, Nikolla Gruevski, Kryeministri Rama e vlerësoi situatën aktuale në rajon si paqësore, sipas tij, një risi kjo në marrëdhëniet ndërrajonale. “Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast, se viti i ri 2014 është i pari vit i ri në historinë e rajonit tonë që vjen pa konflikt. Është e para vigjilje e vitit të ri ku çdonjëri do të jetë në shtëpinë e tij dhe nuk do të ketë pushkë të drejtuar kundër fqinjit”, theksoi Rama. Sipas tij, paqja në rajon ka hyrë në një proces krejtësisht të ri me marrëveshjen mes qeverisë Kosovës dhe qeverisë së Serbisë. “Për ne, kjo është një dritare e re e madhe mundësish për zhvillimin rajonal ekonomik e social dhe na takon ne, qeverive të rajonit, që këtë mundësi ta kthejmë në mirëqenie për njerëzit tanë”, tha Kryeministri. Sa i përket bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria është e interesuar për marrëdhënie intensive me fqinjët dhe në rastin e Maqedonisë, në të gjitha sferat. “Ne jemi të gatshëm për të hapur rrugë të reja për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, me ide dhe projekte konkrete për zhvillim të përbashkët”, nënvizoi ai. Në përgjigje të interesit të gazetarëve mbi rëndësinë që ka Marrëveshja e Ohrit për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Rama tha se “për shqiptarët është shumë e rëndësishme që Marrëveshja e Ohrit të jetë një pikë referimi në gjithë procesin e brendshëm politik në Maqedoni dhe të implementohet dita-ditës si një bazë e patjetërsueshme e mbarëvajtjes së punëve këtu dhe e suksesit të këtij vendi, për të cilin edhe ne jemi të interesuar dhe e mbështesim me gjithë zemër”. Ndërsa i pyetur mbi të drejtat e minoritetit maqedonas në vendin tonë, Rama foli për trajtim të padiferencuar  nga pjesa tjetër e popullsisë në Shqipëri. “Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë që të përmirësojmë jetën e kujtdo që jeton në Republikën e Shqipërisë, pa dallim dhe ky është dhe ka qenë angazhim i të gjitha qeverive,  pavarësisht se kush qeverisë në Shqipëri”, theksoi ai. Duke folur mbi marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, Kryeministri shqiptar apeloi për qetësi dhe maturi. “Ne ndjekim me shqetësim momentet kur shfaqet intolerancë dhe dhunë e natyrës ndëretnike dhe kemi qenë dhe mbetemi gjithmonë të vendosur që të bëjmë vazhdimisht thirrje për qetësi, maturi dhe vetëdije. Është e domosdoshme që të kuptohet sa më mirë nga të gjithë se e ardhmja është e përbashkët dhe se bashkarisht do ta ndërtojmë atë edhe këtu në këtë rajon, por edhe në këtë vend, ku shqiptarët janë pjesë shtetformuese”, vuri në dukje Rama. “Për ne, gjenerata tjetër e shqiptarëve, maqedonasve, e serbeve, e shqiptarëve në Kosovë, e shqiptarëve në Preshevë,  e serbëve në veriun e Kosovës apo shqiptarët në Mal të Zi, është një e ardhme që vetëm e përbashkët mund të jetë një e ardhme mirëqenieje dhe suksesi kombëtar dhe individual”, përfundoi Kryeministri Rama.