Rama: “Do t’i votojmë ligjet, sapo të zbatohet vendimi për Fierin”

446
Sigal

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryetari Edi Rama renditi kushtet e opozitës për të votuar ligjet që kërkojnë 3/5 e votave në Kuvend, të domosdoshme për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Kryesocialisti theksoi se, opozita është e gatshme të diskutojë për përmirësimin e drafteve ekzistues dhe të votojë 3 ligjet e kërkuara, vetëm pasi të zhbllokohet çështja e Fierit. “Ne jemi të gatshëm t’i votojmë këto ligje në momentin që mandati i marrë nga zgjedhjet e majit për administrimin e qarkut të Fierit do të shkojë në duart e atyre që populli i Fierit i ka përcaktuar si administratorët e këtyre katër viteve, që janë të zgjedhurit e PS dhe opozitës shqiptare”,- u shpreh Rama. Sipas shefit të opozitës, nuk ka kuptim të miratohen ligje vetëm si makiazh kur siç tha ai, zbatueshmëria e ligjit në Shqipëri është në nivelin më të ulët. “Ne jemi të gatshëm të përmirësojmë kuadrin ligjor, mbi të cilin vepron Gjykata e Lartë, por refuzojmë të marrim pjesë në një makijazh, teksa një vendim i Gjykatës së Lartë nuk zbatohet nga ana e qeverisë. Vendimi është i qartë, i prerë. Me tu zbatuar ai vendim ne padyshim do të përfshihemi në diskutimin dhe miratimin e draftit për Gjykatën e Lartë”,- tha Rama. Në lidhje me reformën parlamentare, Rama theksoi se opozita do t’i votojë ndryshimet, kur maxhoranca të pranojë trajtimin e barabartë të shumicës dhe pakicës në sallë.

Programi për 100-vjetorin

Kreu i PS-së sulmoi sërish qeverinë për programin zyrtar për 100-vjetorin e Pavarësisë, duke e cilësuar “një program mediokër, pa asnjë vizion dhe shije evropiane”. Sipas tij, me ketë program shfaqen dita-ditës edhe shenja të korrupsionit të qeverisë. “Ditë pas dite shfaqen edhe shenja korrupsioni në procesin e jetësimit të këtij programi. Jo më larg se sot është bërë publik edhe shqetësimi i një zyrtari të lartë të qeverisë, lidhur me 1 milion euro që u adresohen tre koncerteve dhe në një përpjekje të hapur për t’i shfrytëzuar koncertet si një oportunitet korrupsioni”,- vijoi Rama. Më tej kryetari i opozitës njoftoi për organizimin e një ekspozite për 100-vjetorin e Pavarësisë, që do të çelet në Kosovë e do të ndalet më 28 Nëntor në Vlorë. “Të gjithë janë të ftuar të marrin pjesë në çeljen e kësaj ekspozite. Është kënaqësi që edhe projekti ynë “Ngri flamurin në internet” ka filluar dhe me një interesim të madh të shumë të rinjve nga Shqipëria, por edhe jashtë Shqipërisë të cilët po i bashkëngjiten kësaj nisme’,- deklaroi Rama.