Rama: “Do mbrojmë trashëgiminë, beteja nisi”

443
Sigal

Në Galerinë e Arteve ekspozohen bazilikat e vjedhura, duke sensibilizuar opinionin për rikthimin e thesarit kulturor

Rreth 250 ikona janë sekuestruar nga aksioni i fundit i Policisë së Tiranës, mes të cilave 7 janë ikonastase, mbi 150 objekte të ndryshme, mes tyre murale dhe shumë piktura. Veprat e sekuestruara u ekspozuan dje, në Galerinë Kombëtare të Arteve. E pranishme në prezantimin e veprave Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro vlerësoi punën e Policisë së Tiranës për rikthimin e këtij thesari kulturor. Kryeministri Edi Rama falënderoi efektivët e policisë që kryen operacionin për kapjen e veprave të vjedhura nga Galeria e Arteve.

Kryeministri Rama u shpreh se: “Operacioni ishte i jashtëzakonshëm, më i madhi në këtë fushë, gjatë të gjithë këtyre viteve të shkatërrimit të trashëgimisë tonë kulturore. Falënderoj të gjithë ata që kapën këtë bandë apo këtë bërthamë banditësh të veprave të artit, nga ana tjetër, është e domosdoshme të theksohet se beteja sapo ka nisur, sepse trashëgimia jonë kulturore është në rrezik si askund tjetër”. Gjithashtu, Kryeministri Edi Rama e konsideroi alarmante, skandaloze dhe të papranueshme situatën në të cilën ndodhet trashëgimia jonë kulturore. Rama u shpreh se: “Fakti që një thesar i këtyre përmasave i barabartë me një muze që deri mbrëmë ishte në duart e keqbërësve dhe që rrezikonte fatin e shumë thesareve të tjera, flet vetë për gjendjen skandaloze, alarmante, të papranueshme, jo vetëm për pronën e qytetarëve, por për këtë pasuri të paçmuar që nuk zëvendësohet me asgjë”. Kryeministri i shprehu mirënjohje jo vetëm efektivëve pjesëmarrës në operacion, por të gjithë forcave të rendit, të cilët punojnë në kushte të vështira dhe nuk tundohen përpara vlerave monetare.  Rama iu drejtua policive me fjalët :” Pavarësisht se merrni rrogë modeste, pavarësisht se punoni në kushte të vështira, pavarësisht se nuk jeni vlerësuar, nuk jeni tunduar para kësaj vlere monetare, por i keni shërbyer shtetit, dhe misionit tuaj”.

“Jemi të vendosur të mbrojmë trashëgiminë kulturore”

Kryeministri Rama bëri të ditur se do të vazhdojë intensivisht lufta për të mbrojtur jo vetëm trashëgiminë kulturore, por edhe për sigurinë e rendit.  Rama theksoi se: “Jemi këtu të gjithë së bashku për të përcjellë shumë qartë dhe shumë të fortë mesazhin e alarmit por edhe mesazhin e shpresës, ku çdo qytetar të denoncoj për çdo rast madje për çdo dyshim, kur preket kjo pasuri kaq e madhe. Jemi shumë të vegjël dhe shumë të varfër në krahasim me të tjerët, por nëse do lejojmë që edhe ky thesar të tretet, ne do të jemi askush, në mes të Evropës. Ata që i dhanë jetë këtij operacioni duhet të jenë shumë krenarë, është një gjë kaq madhështore dhe për këtë u përulem me mirënjohje ashtu siç i përulem gjithë efektivëve të policisë që vazhdojnë të japin një kontribut të jashtëzakonshëm”.

Ministrja Kumbaro: E rëndësishme që veprat ndodhen në institucionin publik të Kulturës

 “Një pasuri e jashtëzakonshme që ikte nga vendi, e rëndësishme është që këto vlera të jashtëzakonshme e shumë të rrezikuara ndodhen në institucionin publik të kulturës”, tha ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Shumica e veprave murale janë të dëmtuara. Vjedhjet janë kryer gjatë disa viteve edhe në Maqedoni e Korçë, ndërkohë që pritet të ngrihet një grup ekspertësh për të analizuar një nga një të gjithë veprat për të zbuluar origjinën.