Rama dhe Thaçi, ringrenë murin e Berlinit në Ballkan

638
Sigal

Flasin Prof. Dr. Arben Malaj, Tritan Shehu, Edmond Spaho, Erisa Xhixho, Luçiano Boçi, Edita Tahiri dhe deklaratat e mediave Evropiane

Merkel-Makron i kujtojnë Ramës, se pa bërë detyrat e shtëpisë nuk mund të hyni dot në shtëpinë evropiane. Dështimi i kryeministrit Rama erdhi sepse: Ai ka mbi vete barrën e rëndë të një krize politike që shpejt mund të jetë edhe një krizë ekonomike

Ka humbur peshën e ndikimit pozitiv tek shqiptarët në rajon; Ka humbur kredibilitetin publik për të qenë një lider influencues që mbështet dhe lehtëson  marrëveshjet kritike në rajon dhe si i tillë nuk mund të bëhet “dorëzanës”i marrëveshjeve Kosovë-Serbi-Maqedoni

Liderët shqiptarë të zgjidhin krizën e rëndë politike në vend, të gjejnë kompromise dhe konsensuse për reformat kritike të shtetit ligjor, të rritin dhe garantojnë demokracinë funksionale, të luftojnë kapjen e shtetit  dhe të ushqejnë shpresë për shqiptarët dhe Shqipërinë

Samiti i Berlinit për Ballkanin Perëndimor:Gazeta austriake “Der Standart”: Me Ramën kryeministër nuk ka negociata me BE

DW: Vendimi i Gjermanisë për negociatat e Shqipërisë për anëtarësim në BE shtyhet për në vjeshtë

 

Gazeta “Telegraf”

 

Samiti i Berlinit për Ballkanin Perëndimor, I mbajtur dje, nuk dha asgjë të re për shpresat e qeverisë shqiptare për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian në qershor. Kancelarja Merkel, e cila ishte bashkë organizatorja e Samitit të Berlinit, së bashku me Presidentin francez Macron, u takua para fillimit të Samitit edhe me kryeministrin Rama, por koha ishte e shkurtër dhe, sipas burimeve të lajmeve, por edhe prononcimin e kryeministrisë shqiptare thuhet se “Në këtë takim u diskutua mbi ecurinë e reformës ne drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjithashtu Kryeministri Rama foli edhe për pritshmëritë e qeverisë shqiptare për raportin e Komisionit Evropian që pritet të publikohet në fund të muajit maj.”.

 

DW: Merkel nuk merr vendim për Shqipërinë, e shtyn në shtator

Merkel megjithatë nuk mund të marrë asnjë vendim pa miratimin e Bundestagut. Siç mësoi DË nga qarqet politike pranë CDU-së, afati kohor që nga publikimi i raportit të progresit të BE-së, më 29 maj deri në samitin e BE-së në qershor nuk mjafton për të marrë një vendim për çeljen e negociatave. Burime nga CDU/CSU i thanë DË-së vendimi i tyre do të shtyhet në shtator./DË

Kryekëshilltari i Merkel ‘shuplakë’ të fortë kryeministrit: BE i vendos veton autokratit Rama

Martin Henze, kryekëshilltar i CDU-së për ekonominë, i jep një goditje të fortë kryeministrit Edi Rama dhe politikave të tij në Shqipëri, por edhe ndërhyrjeve të tij në bisedimet Kosovë-Serbi. Dje teksa zhvillohej Samiti i Berlinit, i cili vendosi për moshapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, Henze jep edhe arsyet pse Evropa po i vendos veton kryeministrit shqiptar. Ja çfarë shkruan Henze: “Kritika të pasta të Gjermanisë dhe Francës ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama lidhur me politikat e tij nacionaliste që po dëmtojnë të ardhmen e Shqipërisë. Në përpjekjet e saj për të ndalur nacionalizmin e ri dhe kufijtë e rinj, Merkel po mbështetet në Berlin nga ekspertë të politikës së jashtme dhe Franca përmes partive politike atje. Autokrati Rama ka humbur

  1. Rama është nxjerrë në periferi (jashtë loje).
  2. Nuk ka ndryshim kufijsh.
  3. Në Kosovë vetëm zgjidhje bilaterale përmes rregullave të auto-emigrimit, si në Europën Veriore.
  4. Franca dhe shtetet e tjera të BE do të vendosin veton për hapjen e negociatave për shkak të politikave të Ramës. Koha për ndryshime në Shqipëri. Politika të gabuara në Shqipëri, politika të gabuara në Kosovë. Dizastër”.

“Financial Times” flet për ‘dush të ftohtë’, analisti: Ja pse Rama doli kokëulur

Gazeta e njohur, “Financial Times”flet për një ‘dush të ftohtë’ ndaj shpresave të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim të shpejtë në BE. “Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë sugjeruar se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë anëtarësimin në BE kanë pak perspektivë për një anëtarësim të shpejtë në bllok. Ata u kanë bërë me dije këtyre vendeve se në radhë të parë duhet të vendosin rregull në shtëpitë e tyre,” shkruan gazeta. Në shkrim më tej thuhet se samiti i mbajt pas shqetësimeve për zhvillimet në rajon. “Ka një ndjesi si ajo e Brexit në sensin që liderët në rajon nuk e kuptojnë se sa i rëndësishëm është Bashkimi Evropian për ta, kur aktualisht është partneri më i rëndësishëm”, thotë analisti Adi Cerimagic.

Gazeta Austriake “Der Standard”: Franca dhe Holanda janë kundër Shqipërisë

Vazhdojnë të vijnë lajme të këqija për Shqipërinë nga BE-ja. Gazeta Austriake “Der Standard” në artikullin e ditës së djeshme shkruhet se është ende e paqartë nëse shtetet anëtare do të votojnë qershorin e ardhshëm në Këshillin e BE. Aty theksohet qartë se Franca dhe Holanda janë me forcë kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë.  “Është ende e paqartë nëse shtetet e BE-së do të votojnë qershorin e ardhshëm në Këshillin e BE-së për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE. Franca dhe Holanda janë kundër me forcë. Shqipëria, megjithatë, është parë në një “grup” me Maqedoninë Veriore, ndërsa me Ramën kryeministër nuk hapen negociatat në qershor.

 

Kryeministri Zaev dorëhiqet, nëse nuk hapen negociatat. Po kryeministri Rama do të dorëhiqet?

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pas takimit të mbajtur kokë më kokë me kancelaren Angela Merkel me rastin e takimit të Samitit të Berlinit për mediat gjermane ka paralajmëruar se do të dorëhiqet nga posti nëse nuk konfirmohet hapja e negociatave për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Sipas mediave gjermane Samiti i Berlinit, që pas mbrëmjes së djeshme pritet të sjell një kthesë rrënjësore në jetën politike të Ballkanit, sidomos pas deklaratave të kreut të Maqedonisë Veriore, Zaev. Ato deklarojnë se takimi më interesant i këtij Samiti ka qenë ai ndërmjet Merkelit, Edi Ramës dhe Zoran Zaevit. Mirëpo, ndërsa Zaev ka deklaruar dorëheqjen nga pozicioni i tij si kryeministër i Maqedonisë, po kryeministri shqiptar Edi Rama? Do të mund ta deklarojë dot një gjë të tillë vallë? Nëse BE-ja nuk hap në qershor negociatat për anëtarësim për Shqipërinë, kjo do të ishte humbja e dytë e Edi Ramës si kryeministër, prandaj dorëheqja  e tij si kryeministër duhet të jetë një detyrim politik.

Edita Tahiri: Thaçi dhe Rama humbën, gabuan historikisht!

Ish-kryenegociatorja në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri tha se Samiti i Berlinit i jep fund idesë së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Tahiri tha se Rama dhe Thaçi janë humbës që kanë gabuar historikisht. Edita Tahiri: Samiti i sotëm ka një rëndësi historike sepse merr procesin e dialogut, i cili ishte duke shkuar keq, ishte duke shkuar në drejtim të ndryshimit të kufijve. Ky samit i cili shpreh qëndrimin gjerman kundër ndryshimit të kufijve, pra e ndal këtë proces që do të ishte i dëmshëm dhe e ve në drejtimin e duhur që dy shtetet, Kosova dhe Serbia të ndjekin modelin gjermano- francez, i cili është një shembull inspirues, sesi dy shtete që kanë qenë në luftë zgjidhin ato mosmarrëveshjet mes tyre. Ky samit i jep fund gabimeve historike të Thaçit dhe Ramës dhe na nxjerr fitues neve që ishim kundër ndryshimit të kufijve, veçmas mua më ve në pozitat fituese. Unë si kryenegociatore për 7 vjet e kam ndaluar çdo tendencë të Serbisë që të flitet për territore. Un kam krijuar një proces të fqinjësisë së mirë dhe integrimit të veriut në Kosovë. Sot Thaçi dhe Rama e kuptuan që janë humbësit dhe janë liderë që kanë gabuar historikisht. Kancelarja Merkel është e nervozuar. Unë jam në kontakt me autoritetet gjermane. Është e nervozuar me faktin që ka liderë shkurtpamës që provojnë prekjen e kufijve, provojnë të kthejnë kohës pas, të rikthejnë armiqësitë e vjetra dhe luftërat e reja. Shqipëria ka problemet e autokracisë dhe moszhvillimit ekonomik. 400 mijë njerëz kanë ikur nga Shqipëria. Kur mungon perspektiva dhe mirëqenia, mendoj se edhe kjo krizë politikë ka vend dhe kjo ndikon edhe në vonesën e agjendës evropiane. Kam parë një arrogancë nga kryeministri Rama. Nuk është një thënie që e thonë politikanët. Arrogancë ishte edhe sjellja e tij në raport me Kosovën.

Baton Haxhiu, nostalgjik ndaj serbëve

Drejtori i Klan Kosova Baton Haxhiu duket se ka raporte të veçanta me Presidentin  aktual serb Aleksandar Vuçiq. Në një fotografi që po qarkullon në internet ai shihet duke u përshëndetur ngrohtë me shefin e shtetit serb. Haxhiu kishte qëndruar në Serbi vite më parë në kuadër të një delegacioni të udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama kur dy liderët kishin mbajtur një konferencë për media me tensione. Por, duket se Haxhiu kishte qenë pjesë e delegacionit shqiptar edhe në Nish kur Serbia dhe Shqipëria kishin mbajtur një forum ekonomik. E në foton e fundit, e cila po qarkullon shihet ndjenjat e kthyera të Baton Haxhiut ndaj serbëve.

 

Samiti në Berlin, Haradinaj bojkoton takimin me Mogherinin

Shefja për Politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini për pak do të presë në takim presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Behgjet Pacollin. Në këtë takim, në anën tjetër nuk do të shkojë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, që ka bojkotuar Mogherinin

Flasin për gazetën “Telegraf”

 

Nard Ndoka: Treshja rilindëse në  Samitin e Berlinit në Gjermani

Rama: Do hapen në shtator.
Cakaj: Do hapen në qershor.
Spiropali: Ka dy vite që janë hapur!

 

Edmond Spaho, nënkryetar i PD-së: Me këtë qeveri ne jemi të dënuar që negociatat të mos hapen

Me këtë qeveri ne jemi të dënuar që negociatat të mos hapen. Nuk mund të pranohen në BE ata të cilët vjedhin zgjedhjet, janë të korruptuar, bashkëpunojnë me krimin e organizuar dhe nuk kryejnë reforma.

Luçiano Boçi: Me politikë, ekonomi e zgjedhje të kriminalizuara portat e Evropës mbeten të mbyllura

Është një mënyrë ndryshe për t’i thënë Ramës, që ka ardhur koha që ai të largohet. Me politikë, ekonomi e zgjedhje të kriminalizuara portat e Evropës mbeten të mbyllura. Ledhat ndaj tij tashmë kanë mbaruar dhe është koha vënies së gishtit kokës. Është një shpërfillje totale dhe shuplakë e hidhur ndaj Kryeministrit, i cili kërkonte që hapjen e negociatave ta shpaloste si meritë personale dhe si fije bari shpëtimi për rutullupen drejt rrëzimit që ka marrë. Ky dështim i dytë rrëzon dhe alibinë e fundit që Rama mund të përdorte për qëndrimin e tij në pushtet. Rama tani konsiderohet “i vdekur, por ende i pa kallur”.

Erisa Xhixho, ish zëvendës ministre e LSI-së:Ky dështim ka vetëm një përgjegjës që është kryeministri z.Rama

Shtyrja e bisedimeve në shtator për hapjen e negociatave, do të thotë që në qershor nuk do kemi hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe padyshim ky është një dështim i drejtpërdrejt i qeverisë Rama. Mos arritja e plotësimit të prioriteve në Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Drejtat e Njeriut dhe padyshim rritja e numrit të azilkërkuesve në vendet e BE-së, mos zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe ndershme si kusht që Gjermania ka vënë tashmë Shqipërisë solli këtë vendimmarrje aspak pozitive për vendin dhe qytetarët. Ky dështim ka vetëm një përgjegjës që është kryeministri z.Rama, i cili integrimin evropian tashmë nuk e ka prioritet.  Opozita ka qenë shumë e përkushtuar për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE si e vetmja mënyrë për të pasur një monitorim permanent të BE ndaj vendit tonë në gjithë fushat e zhvillimit të tij dhe mbi të gjitha tek zgjedhjet e lira dhe ndershme si A e demokracisë.

Prof. Dr. Tritan Shehu, ish-ministër i Jashtëm: Shtyrja e negociatave ka lidhje me keqqeverisjen në Shqipëri

Konkluzionet dhe rezultati i Samitit të Berlinit është shumë i rëndë për Shqipërinë. Gjermania dhe Franca që kanë prioritet Ballkanin Perëndimor, nuk sinkronizojnë dot prioritetet për Shqipërinë, sepse realiteti shqiptar është i papranueshëm për vendet demokratike të Evropës. Negociatat nuk do të hapen në qershorin e këtij viti, siç është programuar, por ato do të shtyhen nga vjeshta. Për mua, ky konkluzion ishte i pritshëm, edhe pse është shumë i dhimbshëm për të gjithë ne, sepse ky qëndrim politik i kancelares Merkel ka të bëjë me korrupsionin e pandëshkuar në Shqipëri, me rritjen e kriminalitetit, me moskryerjen e reformave, me mungesën e rendit kushtetues derisa akoma nuk kemi Gjykatën Kushtetuese, me parlamentin njëpartiak, me protestat e shqiptarëve kundër keqqeverisjes. Momenti i dytë i rëndësishëm i këtij Samiti të Berlinit është sepse mbylli përgjithmonë kapitullin e ndarjes së kufijve.