Rama dhe Meta ndajnë tortën e 23 qershorit

449
Sigal

Rama e Meta takohen për ndarjen e qeverisjes. LSI do marrë 5 ministra, PBDNJ, 1 ministër. Në dyshim Ngjela  dhe Gjinushi

Partia Socialiste pritet të ndajë pothuaj gjysmën e kabinetit të saj qeveritar me aleatët. Pas mbylljes së procesit zgjedhor për Kuvendin 2013, kreu socialist, Edi Rama ka nisur konsultimet për qeverinë e re të vendit. Takimi kryesor i tij ka qenë me kreun e LSI-së Ilir Metën, për ndarjen e përgjegjësive të përbashkëta. Partia Socialiste firmosi një marrëveshje me të gjithë aleatët e saj, në nisje të fushatës së zgjedhjeve të 23 Qershorit dhe mbi bazën e saj, tashmë pritet të ndahet edhe torta e pushtetit. Kështu, në këtë marrëveshje të firmosur nga 37 partitë e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane thuhet se: “Pas fitores në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013 është e gatshme për të bashkëqeverisur me çdo forcë politike që përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, pa cenuar statusin e nëpunësit civil dhe në respekt të çdo ligji që rregullon marrëdhëniet e administratës publike”. “Për subjektet politike që do të arrijnë të marrin mbi 10.000 vota, do të ketë një bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror”, vijon marrëveshja. Ndërkohë që, kur një parti merr një mandat, ajo mund të kërkojë një vend në qeverinë e koalicionit pas zgjedhjeve, por kjo duhet të konsultohet me partitë e tjera.

Në këtë mënyrë numri i ministrive është 14. Prej këtyre, LSI do të marrë katër deri në pesë dikastere ministeriale, PBDNJ, do të marrë një ministri, Ngjela gjithashtu një të tillë ndërsa Partia Socialiste do të marr 8 ministri. Në fillim u diskutua për një ministri, edhe për partinë Kristian Demokrate, por më vonë nuk u përmend më. Ajo q bie më shumë në sy në dallim nga mandatet e tjera është fakti, se çdo ministri, do të merret nën patronazh nga një parti e vetme, e cila do të emërojë të gjithë titullarët. Duke filluar nga ministri, e deri tek punonjësi më i fundit. Dhe kjo bëhet për ndarjen e përgjegjësive për të gjithë.

Komunistët kërkojnë ministrinë e Rendit

Ndërkaq, Partia e Punës e Shqipërisë (R) ka kërkuar ministrinë e Rendit, por deri tani është diskutuar që kësaj partie t’i lihet ndofta, posti i zëvendësministrit të kësaj ministrie. Në këtë mënyrë, nëse maxhoranca që do të marrë pushtetin do t’i përmbahet këtij propozimi, atëherë, kreu i kësaj parti, Marko Dajti, do të realizojë premtimin e tij para elektoratit të vet. Ku është shprehur se kjo parti garanton rivendosjen e rendit brenda 45 ditëve. Por ajo që është më e rëndësishme në platformën e kësaj partie është plani për arrestimin e të gjithë atyre qeveritarëve dhe zyrtarëve të lartë që janë akuzuar për afera korruptive, në dëm të ekonomisë kombëtare të Shqipërisë. Ky lajm i emërimit të Marko Dajtit si zëvendësministër i Brendshëm, i ka tronditur shumë disa nga ish ministrat e Berishës, të cilët deri tani e kanë quajtur veten e tyre të paprekshëm nga drejtësia dhe rendi. Por plani i rivendosjes së rendit, sipas Partisë së Punës, është planifikuar sipas modelit të dikurshëm, të PPSH, ku “çdo qeveritar që vjedh do të kalbet në burg”. Sipas diskutimeve që po bëhen lart  e poshtë thuhet se nëse Marko Dajti zgjidhet në kupolën e Ministrisë së Brendshme, atëherë shumica e zyrtarëve dhe e qeveritarëve do të arratisen jashtë shtetit për tju ruajtur arrestimeve. I pyetur për këtë gjë, Marko Dajti tha se ende nuk ka dijeni për këtë ofertë, por Partia e tij është në pritje të marrjes së përgjegjësive për vendin. Ndërsa ai pyetur nëse ai mund ta rregullojë situatën e rendit publik brenda 48 ditësh, Dajti u përgjigj, se partia e tij mund ta bëjë këtë gjë edhe brenda një periudhe më të shkurtër. Ndërkaq, burime brenda kësaj partie bëjnë me dije, se PPSH (R) mund ta rregullojë rendin brenda 48 orëve duke arrestuar brenda natës të gjithë kriminelët e skeduar, vrasësit, hajdutët dhe ministrat e korruptuar. Sipas tyre, nëse ndonjë prokuror apo gjykatës do të tolerojë këta keqbërës, atëherë ai nuk do ta shohë më dritën e diellit, por do mbyllet në burg me dënimin që meriton. “Vetëm kështu mund ët rregullohet katrahura që mbizotëron në Shqipëri”, thonë zërat nga brenda kësaj partie…

Postet

Sipas përllogaritjeve të votave, Lëvizja Socialiste për Integrim është partia që mund të përfitojë 4 deri në 5 ministri, pasi në këto zgjedhje ajo ka arritur të marrë afërsisht 200 mijë vota. Por tashmë është folur se edhe kryetari i Kuvendit do t’i përkasë LSI-së, përpos posteve të tjera në nivel lokal. Nuk dihet nëse vetë kreu i LSI-së do të pranojë të bëhet kryetar i Kuvendit apo këtë do ta marrë dikush tjetër nga LSI. Ndërkaq, në bazë të marrëveshjes, janë dy prej partive të koalicionit të madh të PS-së që do të përfitojnë poste ministrore. PBDNJ ka fituar një mandat deputeti, ndaj edhe ka pretendimet për të drejtuar një ministri. Edhe Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë me marrjen e një mandati në Kuvendin e Shqipërisë, fiton automatikisht të drejtën për të kërkuar edhe një dikaster në qeverinë “Rama”. Por ende nuk është përcaktuar se cilën ministri, pasi kjo, po sipas marrëveshjes, do të diskutohet dhe nuk do të jetë thjeshtë një dëshirë e kristiandemokratëve. Një tjetër kryetar, Spartak Ngjela i Partisë Ligj e Drejtësi ka deklaruar publikisht se ka një marrëveshje me Ramën për një post ministri, pavarësisht se në total, PLD ka marrë vetëm 2489 vota, gjë që nuk i jep asaj në bazë të marrëveshjesh këtë shpërblim. Ndërkaq, janë 5-6 parti në koalicion, të cilat në bazë të votave që kanë marrë në nivel qarku do të shpërblehen me drejtues në këtë nivel. Kështu PSD, pavarësisht një posti zv.ministri në qeveri, në qarqet e Tiranës, Lezhë, Shkodër, Fier e Elbasan, në bazë të marrëveshjes që është diskutuar në prill mund të marrë edhe poste në nivel drejtorish në rang qarqesh. Poste zv.ministrash mund të marrë edhe PBDNJ, PDS eMilosapo edhe PSV ’91, por gjithsesi kjo do të varet nga negociatat që pritet të fillojnë me partitë.

Pjesa e aleatëve

Partia Socialdemokrate e Gjinushit

– Zv/ministër

– Poste në nivel Drejtorësh e Prefektësh

(Qarku Tiranë, Qarku Lezhë, Qarku Shkodër,

Qarku Fier, Qarku Elbasan)

Partia Demokracia Sociale  e Milos

– Zv/ministër

– Poste në nivel drejtorësh e prefektësh

(Qarku Tiranë, Qarku Korçë, Qarku Lezhë, Qarku

Shkodër, Qarku Vlorë, Qarku Fier, Qarku

Berat, Qarku Elbasan)

Partia Kristian Demokrate e Dhimitër Muslia

– Ministër

– Poste në nivel drejtorësh e prefektësh

(Qarku Tiranë, Qarku Shkodër)

Partia Bashkimi për të drejtat e Njeriut e Vangjel Dukles

– Ministër

– Zv/ministër

– Poste në nivel drejtorësh e

prefektësh (Qarku Tiranë,

Qarku Korçë, Qarku Lezhë, Qarku Shkodër,

Qarku Vlorë, Qarku Gjirokastër)

Partia Socialiste e Vërtetë PSV ‘91

– Poste në nivel drejtorësh e prefektësh

(Qarku Tiranë, Qarku Fier)

Partia Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës

– Poste në nivel drejtorësh e prefektësh

Qarku Tiranë