Rama dhe Meta, homazhe në monumentin “Nëna Shqipëri”

409
Edhe Kryeministri Edi Rama ka bërë homazhe paraditen e së martës, në Varrezat e Dëshmorëve, me rastin e 5 Majit. 
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ministra e deputetë të mazhorancës, të cilët të gjithë së bashku kanë mbajtur 1 minutë heshtje. 
Të pranishëm ishin edhe veteranë, të cilët kanë vendosur kurora me lule në nder të të rënëve pranë monumentit “Nëna Shqipëri”. 
Në fjalën e tij, kandidati i PS-së për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ka ftuar gjeneratat e sotme që të mbajnë mend dëshmorët që sakrifikuan jetën, “pasi vetëm kështu do të mund të jenë në gjendje të zgjedhin rrugën e duhur ndaj asaj të gabuar”. 
Ndërsa kreu i Kuvendit, Meta është shprehur se pa sakrificën e dëshmorëve Shqipëria nuk do të ishte ajo që është sot, anëtare e NATO-s dhe aspirante për t’iu bashkuar familjes evropiane. 
“Përkulemi me mirënjohje për kontritubtin e tyre të jashtëzakonshëm për lirinë e vendit. Pa sakrificën e tyre sublime Shqipëria sot nuk do të ishte ajo që është. Shqiptarët i pritën me armë fashizmin dhe nazizmin, duke i dhënë një mesazh të qartë Europës. Sot jemi krenarë që jemi anëtarë të NATO-s, që jemi kandidat për në BE dhe në themelet e kësaj Shqipërie euro-atlantike dhe evropiane është ëndrra e Qemal Stafës dhe dëshmorëve të rinj që dhanë jetën e tyre”, ka thënë Meta. 
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Kryeministri Edi Rama. “Dita e Dëshmorëve të atdheut përbën një ditë të veçantë. Qemal Stafa mbetet figura e një gjenerate që iu kundërvu një hordhie shkatërruese, që u lëshua në Shqipërinë e vogël me gjithë egërsinë e tij, por që ndeshi gjithë forcën e rezistencës dhe atdhedashurisë. 5 Maji i sotëm përkon me 70-vjetorin e fitores mbi fashizmin. Shqipëria u rreshtua në anën e duhur të historisë, të cilën e shkruan mijëra vajza e djem shqiptarë, që kishin vetëm një armë përballë armiqve që kishin ardhur me armët më moderne të atëhershme”, ka thënë Rama. 
Duke nderuar të rënët, kreu i ekzekutivit ka theksuar se, pavarësisht vështirësive që ka kaluar ndër vite, qeveria e tij vit pas viti do ta çojë Shqipërinë në drejtimin e duhur. 
Sigal