Rama dhe Merkel në “Tirana Business Park”. Kryeministri: Qasje të re ndaj investitorëve

433
Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri Edi Rama kanë marrë pjesë pasditen e së mërkurës në forumin ekonomik të mbajtur në “Tiranë Business Park”, në Vorë.
Në fjalën e tij, Rama e ka vënë theksin tek rëndësia e investimeve gjermane në vendin tonë, duke i drejtuar një falenderim të veçantë familjes Lindner.
“Kjo është një ditë e shënuar për raportet me Gjermaninë. Falenderoj familjen Lindner për investimin e saj. Përmes një investimi prej 100 milionë eurosh vjen në Shqipëri një copë Gjermanie. Vendi ynë ka nevojë për para dhe punësim real, ndaj dhe sipërmarrja gjermane do të promovojë një kulturë të re pune në vendin tonë. Kancelarja Merkel e kupton më mirë se kushdo tjetër vështirësinë e shoqërive të reja europiane për t’u përshtatur me kulturën e punës”, ka thënë Rama.
Rama ka nënvizuar vullnetin e tij për të ndryshuar qasjen e shtetit shqiptar kundrejt donatorëve, që shpesh herë kanë mbetur të zhënjyer në Shqipëri.
“Donatorët kanë investuar një sasi parash në sistemin e ujit të pijshëm dhe vaditjes, por në të shumtën e herëve paratë kanë shkuar dëm dhe donatorët kanë fajësuar palën shqiptare”, ka thënë Rama.
“Jemi në luftë me imazhin dekurajues që është krijuar për vendin tonë ndër vite të tëra dhe me korrupsionin në drejtësi që është një kancer”, ka shtuar kryeministri.
Ai ka shtuar se pas pak javësh do të hyjë në fuqi ligji për turizmin, që bashkë me platformën në energji, përbën një nxitje të re për investimet e huaja në Shqipëri.
Sigal