Rama dhe Berisha, bashkëqeverisje si gjermanët

489
Sigal

23 Qershori/ PS dhe PD kërkojnë të ndajnë pushtetin mes tyre dhe të eliminojnë partitë e vogla

Fushata për zgjedhjet e 23 Qershorit de fakto ka filluar dhe partitë janë përfshirë nga ethet për fitimin e tyre. PD dhe Berisha kërkojnë një mandat të tretë qeverisës, ndërsa socialistët e Ramës dhe opozita e majtë po numërojnë ditët mbrapsht për të ardhur në pushtet. Janë PS dhe PD që e lakmojnë pushtetin, pasi janë partitë më të mëdha në vend që e kanë dominuar jetën politike të vendit gjatë dy dekadave të fundit. Por cila do ta fitojë pushtetin më 23 qershor? Partitë kanë bërë sondazhet përkatëse dhe duket se janë të pakënaqura me mbështetjen që gëzojnë aktualisht. Sepse asnjëra nuk siguron votat e mjaftueshme për të qeverizur vendin, pa mbështetjen dhe aleancën e partive të tjera. LSI duket se është në fundin e misionit të saj historik në mbështetje të Partisë Demokratike, të cilën e mbajti me katër votat e saj për katër vjet në pushtet. Tashmë kanë dalë parti të tjera më të fuqishme në skenë dhe duket se Aleanca Kuq e Zi dhe partia e Bamir Topit do të përcaktojnë hartën e re politike pas 23 qershorit. Por punët duket se nuk po shkojnë në vaj. Mosmarrëveshjet dhe deklaratat ekstreme të partive të reja duket se e bëjnë të pamundur bashkëjetesën qoftë me partinë e Ramës, qoftë dhe me atë të Berishës. Prandaj dhe në tryezë është hedhur zgjidhja më e paparashikuar: një aleancë midis Ramës dhe Berishës, domethënë mes PD-së dhe PS-së, duke bërë një pazar të mirëfilltë politik. Ky pazar konsiston në një rrotacion të qeverisë: dy vjet do të jetë kryeministër Rama dhe dy vjet do të jetë Berisha. Duket vërtetë e pabesueshme një qasje e tillë, por në politikën shqiptare çdo gjë bën vaki dhe ne jemi mësuar me të tilla befasi. A nuk e mbajti një komunist i thekur si Xhuveli Berishën në pushtet për katër vjet? Pas tij, ai më i përbetuari kundër Berishës, Ilir Meta, jo vetëm që nuk e largoi Berishën nga pushteti, por ishin votat e tij që e mbajtën edhe katër vjet të tjerë në krye të qeverisë. Tashmë, oreksi i Ilir Metës është shtuar. Ai nuk do 20 për qind të pushtetit për katër vjetët e ardhshëm, por, sipas burimeve të mirinformuara, i ka kërkuar Ramës që, në rast se do aleancë me të, duhet t’i japë 40 për qind të qeverisjes! Rama natyrisht nuk është dakord t’i lëshojë kaq shumë pushtet Metës, ndaj dhe ka hedhur opsionin e një aleance me PD-në, duke përsëritur skenarin kosovar. Me Berishën, pushteti për socialistët është më i sigurt. Problemi është se kush do të jetë kryeministri i parë dhe kush i dyti? Të dy duan të jenë të parët, por Rama nuk i zë besë Berishës dhe kërkon që pas 23 Qershorit të jetë ai dhe vetëm ai kryeministri i vendit. Berisha po dihet: jam unë dhe në këtë karrige nuk ulet tjetër veç meje, thotë. Ndaj dhe tani për tani marrëveshja midis tyre është e pakonfiguruar dhe e papërcaktuar qartë. Fakti që është hedhur një opsion i tillë rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve është domethënës. Aleanca është në diskutim e sipër dhe do të qartësohet me afrimin e zgjedhjeve. Sa për akuzat e ndërsjella që kanë bërë dy partitë e mëdha, kjo nuk prish punë. Jemi mësuar që politikanët tanë, për hir të pushtetit, janë gati t’i lëpijnë ato që kanë thënë.