Rama, deputetëve: Debat të qetë me opozitë për reformën zgjedhore

590
Kryeministri Edi Rama ka takuar dje deputetët e grupit parlamentar për të diskutuar mbi seancën e ardhshme të Kuvendit, ku parashikohet të shqyrtohet kërkesa e opozitës për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore. Pas tensioneve të seancës së fundit, shefi i qeverisë mësohet se u ka kërkuar deputetëve të tij, të përfshihen në një debat konstruktiv dhe të shmangim sa më shumë të jetë e mundur përplasjen. Gjithashtu, në mbledhje mësohet se Rama është shprehur, që duhet të respektohet fryma e 18 majit për konsensus dhe bashkëpunim me opozitën. Edhe një herë socialistët janë shprehur të mendimit, se nuk është e nevojshme të ketë një debat për çështjen e reformës zgjedhore, por opozita ka këmbëngulur për diçka të tillë. Ndaj porosia e dhënë për parlamentarët e shumicës ka qenë që të debatohet në mënyrë të qetë.

Në të njëjtën kohë, Rama është treguar i prerë me deputetët lidhur me çështjen e emërimeve në administratë. Ai u ka kërkuar atyre të paraqesin propozime, ndërsa ka theksuar se emërimet do të bëhen pas shqyrtimit të kandidaturave. “Harrojini emërimet e drejtorëve. Do të jenë me konkurs. Na propozoni emra, por po fitoi ndonjë tjetër më i mirë, mos më hyni mik. Rekrutojini në parti pasi të bëhen drejtorë, pas konkursit”, mësohet të jetë shprehur kryeministri Rama. 
Sigal