Rama, debatet për vizitën në Berlin, kërkesat e deputetëve gjermanë dhe shpjegimet e kryeministrit

506
Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama kthehet duarbosh nga Berlini: Folën gjermanisht ato që thuhen në Tiranë
Kancelarja Merkel dhe deputetët gjermanë kërkojnë nga Shqipëria luftën kundër krimit. “Tahiri” është kushti politik
Si rrallëherë, kryeministri Rama dha dje pasdite konferencë shtypi, sapo u kthye nga Berlini. E dha në Rinas, e jo në ERTV, ndoshta i detyruar, që pa shkelur mirë këmba në Tiranë, nga aeroporti të vizatonte me ngjyra rozë grinë e humbjes politike që pësoi në Berlin. Hera e parë, që kryeministri Rama ishte aq i vrenjtur dhe i vrarë në fytyrë, jo aq i lodhur nga rruga, sepse ai është i mësuar me udhëtime ajrore të shpeshta dhe orëgjata, edhe përtej oqeaneve. Jo vetëm me fjalë, por edhe çehrevrarë në fytyrë, kryeministri Rama nga Rinasi dha epilogun e euforisë politike, që vetë ai ndezi si fishekzjarrë entuziazmi, pas rekomandimit që u dha Komisioni Evropian. 

Berlini, vizita e Ramës kohë më parë u propagandua si triumf
Një muaj më parë, ishte ministri i Jashtëm Bushati që kishte paralajmëruar vizitën e kryeministrit Rama në Berlin, duke u përpjekur t’i jepte ngjyra rozë të triumfit politik, si një prolog i hapjes së negociatave. Mirëpo, sapo Rilindja Socialiste ndezi fishekzjarrët e triumfit, për rekomandimin e KE-së, Kryetari i Komisionit parlamentar për çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestag, Gunther Krichbaum foli hapur: “Ende herët që të hapen negociatat me Shqipërinë.” Në Tiranë, thua se ra Kometa. Kryeministri Rama, i vetëdijshëm për “Jo”-në që tashmë do t’i jepej në Berlin, i gjendur edhe peng nga mosguximi për të lejuar prokurorinë të prekte ish-ministrin e tij të Brendshëm, filloi që në Tiranë luftën politike kundër deputetit gjerman, duke akuzuar Opozitën, se bashkëpunon me deputetin gjerman kundër integrimit të Shqipërisë. 
Deputeti Braçe përbalt deputetin gjerman
I mësuar si një pistoletë-hedhës fishekzjarrësh dhe çakmak-hedhës deputeti socialist Erion Braçe, duke dashur të demonstronte përpara liderit të vet partiak zellin e përkushtimit militant, përbalti publikisht kryetarin e Komisionit Parlamentar të Bundestagut, Krichbaum, duke kujtuar se i drejtohej deputetit të PD-së apo gjyqtarit të futbollit, të cilin e qëlloi me çakmak. Braçe e përbalt deputetin gjerman, duke i thënë, midis të tjerave: “E vërtetë është, nuk të njoh. Lulzim Basha po përpiqet të të bëjë të njohur këtu dhe, po bën mirë. Po të jep mundësinë të flasësh për Shqipërinë. Ti po e bën; Lexova të kesh thënë se “nuk është koha për Shqipërinë të hapë negociatat”! Merr pyetje ti deputet? Duhet të jesh i hapur, apo jo? Ti je evropian dhe duhet ta kesh këtë standard”.

Kancelarja Merkel: Do verifikojmë, nëse ka progres të mjaftueshëm
Kancelarja Merkel i shprehu kryeministrit Rama “Jo”-në gjermane. “Ka një numër parakushtesh për të hyrë në negociatat e pranimit. Shqipëria ka punuar tashmë shumë për disa gjëra. Ekzistojnë disa kushte për fillimin e negociatave të pranimit. Ne do të krijojmë në javët e ardhshme opinionin tonë përfundimtar, nëse disa gjëra duhet të bëhet, në qoftë se ka tashmë mjaftueshëm përparim, për të diskutuar më pas me kolegët tanë evropianë”, u shpreh Merkel.
Deputetët gjermanë braktisin darkën e Ramës në Berlin
Deputetët gjermanë braktisën kryeministrin Edi Rama në darkën e shtruar nga ai në një nga restorantet më të shtrenjtë të Berlinit, “China Club”. Arsyet? Së pari, baltosja mediatike në Tiranë ndaj kolegut të tyre, Gunther Krichbaum, i cili edhe dje deklaroi se “personalisht i thashë në sy kryeministrit Rama se unë mendoj se hapja e bisedimeve të pranimit të Shqipërisë me BE është e parakohshme në këtë fazë. Reforma e mëparshme ende nuk janë të mjaftueshme”.

Parlamentarët gjermanë: E papranueshme që ish-ministri Tahiri të ketë imunitet nga qeveria
Deputetët gjermanë e kanë pyetur Ramën se, “Si ka mundësi që një ish-ministër dhe deputet që i bëhen akuza aq të rënda si në rastin e Saimir Tahirit, nuk i hiqet krejt imuniteti, por mbrohet nga maxhoranca qeveritare?”. Rama është përgjigjur se Tahirit i është hequr plotësisht imuniteti, por ai është kundërshtuar nga Raporteri për Shqipërinë i Grupit Parlamentar të CDU-së, deputeti Thorsten Frei. Frei, i cili ishte në Tiranë pak kohë më parë, tha se kjo nuk është e vërtetë, pasi kërkesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të dhënë lejen-për t’i kërkuar Gjykatës arrestimin e Tahirit, ishte refuzuar nga mazhoranca socialiste. “Votimi u bë pasi prokurorët u sulmuan publikisht, gjë që është e papranueshme dhe jashtë standardit evropian” – janë shprehur deputetët gjermanë në seancën dëgjimore me Kryeministrin Rama.
Rama: Në Bundestag transmetohen gjermanisht ato që dëgjojmë këtu shqip
Kryeministri Rama, nga aeroporti i Rinasit, e sulmoi sërish deputetin gjerman Krichbaum, duke e përçmuar se është një nga qindra deputetë dhe, se në Bundestag transmetohen gjermanisht ato që thuhen në Tiranë dhe fajin e kanë edhe mediat kazanë, siç i ricilësoi edhe një herë. Deklarata e kryeministrit Rama nga Rinasi: “Mund t’ju them që Krichbaum nuk ma ka thënë këtë gjë, por nuk është një surprizë për mua, por ai kështu mendon dhe është një nga qindra deputetë të Bundestagut që ka këtë mendim. Në dëgjesën me Komisionin e Çështjeve Evropiane që çka lidhej me çështje që s’janë pjesë e raportit të progresit ishte thjesht transmetimi gjermanisht i atyre që i dëgjojmë këtu shqip, deri në bezdi dhe ky është roli që ka bërë sot opozita shqiptare, duke përcjellë dhe eksportuar pa u lodhur baltën e përditshme dhe duke e kthyer atë në një pengesë për të lejuar që Shqipëria të shikohet për atë që është në këtë moment.” 
“Kazanët” e Ramës dhe legenët
A janë fajtorë deputetët gjermanë dhe kancelarja Merkel, për skepticizmin e tyre për hapjen e negociatave me Shqipërinë? A janë mediat “Kazan”, siç i sulmoi sërish kryeministri Rama nga Rinasi? 
“Unë kam sqaruar se e gjithë historia e treguar në Tiranë, e përkthyer në gjermanisht, e çuar në Berlin dhe e ritreguar gjermanisht është një histori e kazanit të thashethemeve të Tiranës. Këtë kam thënë unë atje. Dhe sigurisht kam shpjeguar se si funksionon kazani në Tiranë. Këto po, i kam thënë të gjitha.” Kush ua ka dhënë lejen 4-5 kanaleve televizive, që sot i cilëson “kazan”? Pse u është dhënë leja pa afat? Pse përjashtohen konkurruesit e tjerë të mundshëm? A ka transparencë se si u ndahet tepsia e reklamave këtyre kanaleve televizive? Kush e mbolli Shqipërinë me hashash? Kush është garantuesi i qeverisë, për 613 kg kokainë? Kush fajësohet për qindra ton hashash që trafikohen nga Shqipëria në Evropë? Kush e ushqen krimin në Shqipëri? Kush fajësohet që FMN-ja dhe BB-ja kritikojnë PPP-të dhe tenderimet jo transparente? Këto përgjigje kërkojnë në shqip dhe jo të transmetuara në gjermanisht edhe deputetët dhe kancelarja gjermane nga kryeministri Rama për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. 
Sigal