Rama: Bunkeri i plastmasit të PD nuk na pengon dot

417
Kryeministri vazhdon fushatën dhe fton të rinjtë të afrojnë edhe elektoratin e opozitës: PD i la në baltë 

Kryeministri Edi Rama e cilësoi votimin më 18 qershor si një moment të rëndësishëm për të pushuar nga puna prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar. Duke folur nga Berati, Rama tha, se “vota e 18 qershorit ka një rëndësi shumë të madhe, sepse është një votë që ndan qartë si do të jetë e nesërmja; do të jetë me Europën, të gjithë së bashku për një Shqipëri siç e Duam, apo do kthehemi mbrapa dhe të futemi në bunkerin e plastmasit ku Partia Demokratike po shkruan faqen më të zymtë të historisë së saj”. “Natyrisht që zgjedhja jonë është shumë e qartë. Jam i bindur se e tillë do të jetë dhe zgjedhja e shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe veçanërisht të votuesve të parë, sepse në 18 qershor. Ne nuk vendosim thjesht kush do të qeverisë Shqipërinë për katër vitet e ardhshme, por si do jetë Shqipëria e 10-15 viteve të ardhshme”, u shpreh kryesocialisti. Gjithashtu, shefi i qeverisë tha se PD ka vendosur që t’i braktisë zgjedhjet. “Ka vendosur që të hyjë në rrugën pa krye të frikës që e ka kapur lidershipin e saj nga drejtësia. Duke qenë se janë tmerrësisht të trembur nga zbatimi i reformës në drejtësi, duan që në Shqipëri të mos bëhen zgjedhje. Duan t’i trembin të gjithë ata që jetojnë në këtë vend se po nuk u bë siç duan ata që drejtojnë Partinë Demokratike, këtu do bëhet nami”, u shpreh Rama. Sipas tij, janë harxhuar shumë energji nga bllokimi i vetingut dhe reformës në drejtësi. “E keni parë sesi nga frika për t’u përballur nesër me drejtësinë, ata janë bërë sot mburoja e gjykatësve dhe prokurorëve që kanë marrë peng Shqipërinë për çerekshekulli. Por kjo e gjitha do të marrë fund në 18 qershor. Kjo e gjitha do t’i përkasë të kaluarës më 18 qershor. Bashkë me këtë kapitull do të mbyllet edhe kapitulli i Partisë Demokratike, siç e keni njohur deri tani”, tha Rama, duke iu drejtuar votuesve për herë të parë. Ai ftoi të rinjtë të afrojnë edhe zgjedhësit e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 18 qershorit. “Thuajuni se, nëse Partia Demokratike i la në baltë dhe kërkon t’i bëjë mish për top kundër Shqipërisë, kundër prindërve të tyre, kundër të ardhmes tonë të përbashkët, ne i mirëpresim dhe nuk do t’i lëmë kurrë në baltë. Thuajuni që tek ne ka vend për të gjithë, sepse për ne, Shqipëria nuk është e ndarë në “tanët” dhe në “të atyre”. Për ne, Shqipëria nuk është e ndarë në parcela sipas partive; Për ne, përpara sesa të jetë vjollcë, e kuqe, jeshile, blu, e verdhë, siç janë flamujt e partive, Shqipëria është kuqezi, siç është flamuri i Skënderbeut dhe i Ismail Qemalit. Përpara se të jemi pjesëtarë të një partie, ne jemi stërnipër të Skënderbeut dhe nipër të Ismail Qemalit”, u shpreh Rama. Ai nënvizoi se PS është partia që bën shtet. “Të gjithë atyre që ju thonë “nuk është bërë kjo apo ajo”, thuajuni se keni shumë të drejtë, shumë gjëra janë bërë, shumë më tepër mbeten për t’u bërë, por, ama, një gjë me rëndësi themelore në këto 3 vjet e gjysmë është bërë dhe është shumë e qartë, se Partia Socialiste është partia që bën shtet; Partia Socialiste është partia që lufton me mish e me shpirt për të bërë Shqipërinë me një drejtësi të drejtë; Partia Socialiste nuk është më e mira, po më të mirë nuk keni parë dhe s’keni për të parë”, u shpreh Rama. Kryeministri Rama ka nisur fushatën elektorale për zgjedhjet e 18 qershorit, duke deklaruar se tashmë nuk do të jetë më i gatshëm për negociata me Partinë Demokratike. Opozita nuk është regjistruar në zgjedhje dhe kërkon ngritjen e një qeverie, si kusht për të marrë pjesë në procesin e votimit. Negociata të ndryshme nuk kanë dhënë rezultat, duke i lënë palët në pozicione të largëta. 
Sigal