Rama: Brenda viti privatizojmë Albpetrol, TAP mundësi unike

442
TIRANE – “Energjia është një sektor që qeveria e sheh si një nga burimet më të rëndësishme të rritjes ekonomike, ku kemi gjetur problematikën më të ndërlikuar, e nevojën emergjente për një ndërhyrje”. Kështu deklaroi kryeministri, Edi Rama në samitin “Albania Oil, Gas e Energy 2015”. Shefi i qeverisë deklaroi se rajoni ynë duhet të ketë ndërlidhje energjetike. 
“Energjia ka një hapësirë të posacme në programin e qeverisë sonë. Energjia është një sektor ku ne shohim një nga burimet më të rëndësishme të ekonomisë dhe orinetimi ynë është përfshirja në politikat e energjisë të Bashkimit Europian. Ballkani ka një rëndësi strategjike të veçantë për sektorin e energjisë. Ne jemi të vetëdijshëm se duhet të realizojmë reforma rrënjësore dhe të rrisim bashkëpunimin rajonal”, theksoi shefi i qeverisë
Kryeministri vuri në dukje se në këtë sektor kemi gjetur dhe një problematikë më të ndërlikuar, së bashku me nevojën emergjente për një ndërhyrje agresive për të përballuar krizat sistemike që kjo sjellje kishte arritur të gjeneronte.
“Drejtimi ynë është ai i politikave energjitike të BE, për të cilat besojmë se janë çelësi i integrimit rajonal dhe një rajoni që duhet të arritjë të përdorë në kapacitet të plotë potencialin e vet natyror energjitik”, tha Rama, duke shtuar se, “sa i përket rajonit tone, mendoj se fjalët kyçe të projektit tonë energjitik duhe të jenë ndërlidhje energjitike që mundëson lidhje mes vendeve të Europës jug-lindore dhe jugore”.
Sipas tij nevojitet bashkëpunim dhe harmonizim ndërsektorial në shkallën kombëtare dhe rajonale. “Sa i përket shkallës kombëtare kemi fillur punën tonë këmbëngulëse për të reformuar bazën tonë ligjore, e cila synon në thjeshtëzimin e procedurave për investitorët. Kuvendi ka miratur një projektligj të ri për hidrokarburet dhe me këtë ligj do të nisë procedura e dhënies së blloqeve të lira të naftës”. Për ne, theksoi Rama, “është me rëndësi që qeveria të jetë aktore aktive në këtë treg, por shteti të marrë një rol rregullator. Synojmë të nxisim bashkëpunimin mes qeverisë dhe investitorëve duke zhdukur diferencat”.
“Reformat dhe hapat e ndërmarra duhet të jenë një apel për kompanitë që mund të investojnë në gërmime të reja dhe mundësi që Shqipëria ka për të ofruar”, vijoi Kryeministri Rama, duke shtuar se, “së shpejti qeveria do të kryejë sizmikën e blloqeve të lira detare dhe organizimin e procedurave për dhënien e blloqeve të lira edhe në bregdet”.
“Jemi shumë të vendosur që të krijojmë në vijimësi, favorizimin e zhvillimit të eksplorimit të këtij sektori duke garantuar klauzola lehtësuese për të gjithë investimin”, tha Kryeministri Rama, i cili shtoi se, ky do të jetë dhe viti i përfundimit të një procesi të stërzgjatur privatizimi të shoqërisë shtetërore ‘Albpetrol’, për të cilin po bëhen dokumentat pë privatizimin në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
“Ky privatizim do të jetë një ndryshim radikal në qasjen ndaj kësaj shoqërie. Shteti do të marrë të gjithë të drejtat që sot i gëzon ‘Albpetrol’, si një inerci e një të shkuare shumë të largët. Ndërkohë ‘Albpetroli’ do të ndahet nga blloqet e lira të naftës që do të vihen në dispozicion të investitorëve. Për ne ka qëne e qartë se Albpetroli ka qenë një atavizëm i shoqërisë së shkuar dhe që nuk mund t’i rezistojë sfidave të së ardhmes”, tta Rama, duke sthuar se, “sidoqoftë mbetet një aset i vlefshëm dhe do të sigurohemi që të gjithë aktorët seriozë të jenë pjesë e një gare korrekte ku të gjithë do të jenë të ftuar”.Sipas Ramës TAP gjithashtu është një mundësi unike për Shqipërinë. 
Gjiknuri: 13 blloqe të lira me naftë në tokë dhe det, së shpejti nis dhënia e tyre 
Ndërkohë Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri tha se aktualisht në Shqipëri janë 13 blloqe të lira nafte në tokë dhe në det. “Pak ditë më parë parlamenti miratoi ndryshimet ligjore që të nisin të jepen këto zona për kompanitë e interesuara”, theksoi Gjiknuri. 
“Aktualisht janë 13 blloqe të lira në tokë dhe në det dhe pak ditë parlamenti miratoi ndryshimet ligjore që të nisin të jepen këto zona. Së shpejti do të jepen 3 blloqet e para duke synuar kompanitë me serioze të interesuara dhe që mund të përballojnë investimet në kërkime”, tha Gjiknuri.
Ministri u shpreh se përzgjedhja e kompanive përmes proçedurave dhe një procesi transparent do të shmangë dështimet e së kaluarës në këtë sektor, kur blloqet e naftës, sipas tij, iu dhanë investorëve jozerioze që nuk ishin në gjendje të mbanin zotimet e tyre. 
“Ftojmë kompanitë e interesuara që të përfitojnë nga avantazhet e Shqipërisë në fushën e hidrokarbureve dhe avantazheve ligjore”, deklaroi Gjiknuri duke shtuar se kuadri ligjor fleksibël është një garanci për kompanitë që të rimarrin mbrapsht investimin e kryer. Ministri u ndal edhe tek përpjekjet e Shqipërisë për të diversifikuar energjinë duke përmendur këtu TAP-in dhe masterplanin për gazifikimin e vendit, një projekt që po hartohet së bashku me palën azere.
Sigal