Rama Blushit: Flet me shifrat e tij, po shqiptarët s’janë budallenj

455
TIRANE – Kritikave që Ben Blushi ka artikuluar në adresë të kësaj qeverie, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet nga Panairi i Punës, por duke u kujdesur ta lë të nënkuptuar se i referohej socialistit, pa ja përmendur emrin. Rama e cilësoi si mënyrën më të ulët të të bërit politik, ndërsa shtoi se kushdo që mendon se rilindja do të ndodhë vetë, ka parë diçka që nuk ekziston.
“Shqipëria sot po merr kthesën në rrugën e duhur. Kush ka imagjinuar gabimisht se Shqipëria e rilindur ishte një punë e lehtë dhe mjaftonte të ndryshonin qeveritë, flamurin e partisë që qeveris dhe rilindja do të ndodhte vetë, ka parë një gjë që nuk ekziston. Kush përpiqet që thotë ku i keni këto, ku i keni ato i merr shqiptarët për budallenj. Duke shfrytëzuar problemet reale dhe një dëshpërim që është real të bëjë politikën e llojit më të ulët, politikën që nuk ka asnjë ide, asnjë program, asnjë alternativë, por ka vetëm një, rrugën e shpif-shpif se diçka do të mbetet dhe gënje-gënje se me siguri do të gjenden njerëzit që do ta hanë gënjeshtrën. Rezultatet e reformave nuk vijnë as të gjitha menjëherë dhe as kur procesi është në fazën e operacionit të vet ashtu siç vijnë kur organizmi fillon të gjenerohet”, tha Rama.
Rama iu është përgjigj Blushit edhe sa o takon shifrave të punësimit. 
“Sot ka një fakt, sot bilanci është i qartë. Janë në punë të regjistruar dhe i paguajmë taksa këtij shteti 93 mijë persona më shumë seç ishin 1 vit më parë. Shqipëria është kthyer në drejtimin e duhur, por ka ende shumë-shumë punë për të bërë. Shqipëria është larg të qenit vend që papunësia është një problem i zgjidhur. Papunësia e të rinjve është një plagë e hapur edhe në shumë nga vendet e BE, mjafton të shikojmë fqinjin tonë Italinë. Shqipëria ende nuk ofron mundësi të barabarta dhe punësim real për të gjithë. Por siç tregojnë historitë jetësore të mijëra e mijëra njerëzve që sot janë në punë dhe 18 muaj më parë nuk ishin punë. Kjo reformë rrënjësore që po bëhet nga të gjitha ministritë për të vendosur në drejtimin e duhur vendin nga reforma nganjëherë edhe të dhimbshme nuk është një shkop magjik që çon të vdekurin nga varri, por është e vetmja rrugë për të operuar me kurajë dhe pa u trembur nga vështirësitë e një organizmi që deri para disa muajsh ishte i kapur nga të gjitha organet e veta nga një kancer që e bënte të pamundur ecjen përpara. Kanceri nuk zhduket me propagandë, as me terapi. Kanceri për tu zhdukur kërkon operacion të thellë dhe një vullnet të hekurt. Në 2014 u trefishua fondi për programet e nxitjes së punësimit krahasuar me 2013. 2014 ishte viti i rritjes më të lartë të financimit të qeverisë për nxitjen e punësimit, kjo do të thotë që u veprua në drejtimin e duhur. Por nëse shifra e nxitjes së punësimit ishte 2.7 miliardë dollarë, a është kjo një shifër marramendëse që do na plotësonte nevojat? Jo, por është shifër që tregon vullnetin që u rikonfirmua një vit më vonë dhe që tregoi se gjërat janë në drejtimin e duhur përderisa zyrat e punës janë në rrugën e duhur”, u shpreh kryeministri Rama.
Përgjigjet ndaj shqetësimeve të Blushit dhe konkretisht për naftën dhe borxhin publik, shefi i qeverisë i ka vijuar edhe në aktivitetin e prezantimit të operacionin kundër abuzimeve me hidrokarburet. 
“Ne kemi çelur një faqe të re në këtë sektor. Edhe shifrat flasin. E keni vënë re që kush merret me qeverinë përdor shifrat e veta sikur mendime të lira, dhe me shifrat e tij na tregon sesi Shqipëria është bërë me e pajetueshme, ndërkohë që ne jemi shumë të vetëdijshëm që Shqipëria që duam është ajo që do të bëjmë falë drejtimit të duhur që kemi zgjedhur. Ne sot nuk flasim për rezultatet për të thënë se shqiptarët duhet të jenë të lumtur që na kanë, as se Shqipëria e 18 muajve më parë ndryshon se nata me ditën. Por e bëjmë sepse nuk ka një sektor të vetëm ku hemorragjia të mos jetë ndalur dhe ky kthesa të mos ketë filluar deri në drejtimin e duhur. Peshqeshi i parë që gjetëm ishte një paketë borxhi 720 milionë dollar që nuk figuronte në borxhin publik të regjistruar. Me një ligësi na thuhet sot se ne rritëm borxhin, ndërkohë që ne legalizuam një borxh që e gjetëm aty dhe nuk e legalizuam për ndonjë arsye tjetër përveçse për të respektuar parimin bazë që kemi vendosur të qeverisim: Me forcën e shembullit, dhe jo me shembullin e forcës. Qeveria nuk ka të drejtë të sillet me kompanitë a qytetarët me një forcë eprore që është mbi ligjin. Ne jemi sot në kushtet kur kemi shlyer më shumë se gjysmën e këtij borxhi”, u shpreh Rama. 
Sigal