Rama: Bashkimi dogandor mes 2 shteteve shqiptarë

509
Sigal

Rama, si Kryeministri i Shqipërisë  i jep “besën” Kosovës:  “Të unifikojmë axhendën shqiptare”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i shoqëruar dhe nga një pjesë e kabinetit të tij qeveritar nisi vizitën zyrtare në Kosovë. Ai është pritur nga homologu i tij, Hashim Thaçi me një ceremoni shtetërore  në sheshin “Skënderbe” në Prishtinë. Ndërsa, Kuvendi i Kosovës, me rastin e vizitës së Kryeministrit Rama mbajti një seancë solemne. Pas pritjes shtetërore, është mbajtur takimi bilateral i delegacioneve të Qeverisë së Kosovës dhe atij të Shqipërisë, ndërsa më pas të dy kryeministrat kanë mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Kryeministri Rama u shpreh se, me marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë është mbyllur përgjithmonë historia e përgjakshme dhe inercinë paralizuese të ish-Jugosllavisë dhe është hapur faqja e një historie të re që varet nga shqiptarët se si do të shkruhet. Sipas tij, falë arritjes së kësaj marrëveshje do të hapet kapitulli i ri i bashkëpunimit me Kosovën, duke nënvizuar se tashmë është hapur një epokë e re për rajonin. Ai u shpreh gjithashtu se në muajin nëntor do të zhvillohet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive ndërsa u zotua se Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të bëjë gjithçka që me bashkëpunimin mes dy qeverive të mund përfitojnë të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata që jetojnë në Shqipëri dhe Kosovë.

“Kosova shteti 5 vjeç që ka çfarë t’i mësojë shtetit 101 vjeç”

Kryeministri Rama vlerësoi edhe arritjet e Kosovës gjatë këtyre 5 vjetëve demokraci duke shtuar se Kosova ka çfarë ti mësoj Shqipërisë. “Unë e shoh sot Kosovën si një shtet 5 vjeç që ka çfarë t’i mësojë shtetit 101 vjeç që qeveria jonë përfaqëson. Një shoqëri që ka bërë progres të jashtëzakonshëm në shtet ndërtim dhe hapësirë ku funksionon më mirë se në Shqipëri demokracia e çdo dite”, tha Rama. Gjithashtu Rama është pritur edhe nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Rama fjalim në Kuvendin e Kosovës: “Përgjegjësi për sfidat e mëdha të kohës”

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë vizitës në Prishtinë  mbajti dje  edhe një fjalim në Kuvendin e Kosovës. Në fjalën e tij, Rama është shprehur se viziton  Kosovën me peshën e rëndë të përgjegjësisë si kryeministër i Shqipërisë. Ai ka theksuar se kufiri mes dy shteteve nuk është sfidë për t’u kapërcyer por një vijë e padukshme pasi e ardhmja nuk ka kufi. “Vij sot para jush me gjithë admirimin tuaj sesi ju u bëtë protagonistët e paqes me fqinjin serb. Vij me respektin e madh çfarë keni ditur të bëni për Kosovën në vetëm 5 vjet shtet dhe me disponimin më të plotë për të mësuar se rruga jonë është e bashkuar drejt familjes evropiane. Nuk jam këtu për vazhdimin e retorikës së dashurisë së shteti amë ndaj shtet bij, por jam për themelin e një aleancë mes të barabartëve, Shqipëri-Kosovë. Kufiri është e djeshmja, e ardhmja nuk ka kufi që e djeshmja të mos e kushtëzojë të ardhmen duhet bërë një gjë me vijën e padukshme të mos shihet. Retorikat nacionaliste të së shkuarës mos ti dëgjojmë. Le të projektojmë të ardhmen. Mezi pres mbledhjen e përbashkët në Prizren dhe miratimin e axhendës së saj për të konkretizuar projektet”, tha Rama. Rama ka garantuar fillimin e një aleance strategjike themelore e kryesore mes të barabartësh, për t’i kthyer mundësitë e kohës së re në sukses për qenien e pandarë në rrugën e bashkuar të Evropës. “Kjo qenie nuk sillet më si e ndarë, as brenda vetes e as të tjerëve, por duhet të veprojë e pakufizuar prej vijave ndarëse për të çliruar energji të reja krijuese dhe zhvilluese”,- tha Rama. Ai shtoi se mbështetja e Shqipërisë për Kosovën do të vijojë të jetë e tillë në diplomaci, si për njohjet e reja edhe për liberalizimin e vizave.

“Projektet e përbashkëta”

Rama foli edhe për projekte të përbashkëta që duhet të ndërmerren nga të dyja vendet si në arsim, sport, turizëm, dogana, etj. Duhet të unifikojmë sistemin arsimor, pasi skeçi i çdo shtatori që publikohej abetarja e përbashkët, do ja lejë vendin bashkëpunimit për arsimin. Ti japim turizmit një hapësirë mbarë shqiptare, dhe të mos harrojmë ofertën e njësuar turistike me Kosovën. Më lejoni ta them që do i japim fund patatefobisë në rajon që ka shkaktuar luftëra doganore në kufi. Të nxisim rritjen e prodhimit bujqësor. Janë plot rastet e mallrave të kësaj ane që kanë kaluar matanë. Jemi të gatshëm të realizojmë bashkimin doganor. E di që nuk është e lehtë, por të ngremë një grup të përbashkët me qëllim që t’i japin një përmasë të madhe biznesit shqiptar në të gjithë hapësirën shqiptare”, shtoi Rama.

“Do punojmë që TAP të ketë një degëzim në Kosovë”

Rama ka vlerësuar edhe punën e bërë nga paraardhësi i tij Berisha për projektin e gazsjellësit TAP, duke shtuar se tashmë puna duhet shtyrë edhe më tej, me një degëzim në Kosovë. “Nuk do isha i drejtë të mos vlerësoja punën e paraardhësit tim për TAP. Ne do shkojmë dhe më tepër që kjo linjë gazi të ketë një degëzim në Kosovë”, shtoi Rama.

Në fund të fjalimit të tij, Kryeministri Edi Rama duke iu referuar fjalës së Faik Konicës të mbajtur para një grupi atdhetarësh tha: “Mbetem i juaji në besë”.

“Të unifikojmë axhendën shqiptare”
Rama tha se, duhet të unifikojnë programet e kulturës, shkollës, shkencës dhe sporteve. Ai kërkoi respektimin e drejtave të shqiptarëve në Preshevë, lëshoi kritika ndaj Maqedonisë për mosrespektimin e të drejtave të shqiptarëve dhe përmendi edhe zgjidhjen e Çështjes Çame sipas konventave ndërkombëtare.

Rama: “Pa Rugovën Kosova nuk do të bëhej realitet”

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka bërë homazhe pranë varrit të ish-Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Sipas Kryeministrit Rama, Rugova dhe shumë të tjerë kanë dhënë gjithçka për Kosovën. “Në këtë vend, ku prehet njeri pa të cilin Kosova që kemi sot nuk do të ishte bërë realitet, siç nuk do të ishte bërë pa të gjithë protagonistët tjerë, ata që dhanë jetën për të dhe ata që vazhdojnë të punojnë pa u lodhur për ndërtimin e saj shtete i ri, sovran, demokratik. Lavdi pirjet kujtimit të Ibrahim Rugovës dhe të të gjithë atyre që vunë gjithçka kishin në themelet e Kosovës së re”,- tha Rama.

 Vizita zyrtare në Bruksel, zbardhet axhenda e takimeve të Kryeministrit Rama"

Kryeministri i ri i Shqipërisë Edi Rama udhëtimin e dytë jashtë Shqipërisë do ta realizojë në kryeqendrën e Bashkimit Evropian. Vizita e Ramës do të nisë të hënën kur do të marrë pjesë në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Evropian në një diskutim me temë “Shqipëria, situata post zgjedhore dhe perspektiva evropiane”. Më pas, parashikohet që të hënën të realizohet edhe një takim me Presidentin e Parlamentit Evropian Martin Schultz. Të martën, Rama do të nisë takimet me Presidentin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso e pas tij edhe me Komisionerin Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë Stefan Fule, Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme në BE, Catherine Ashton.  Axhenda e Ramës përfshin edhe takimin me Presidentin e Bashkimit Evropian Herman Van Rompuy.