Rama-Basha, sherr për akuzat ndaj gazetarëve

516
Kryetari i PD-së e cilëson kriminal fjalimin e kryeministrit, i cili reagon me kundërakuza. Replikat e plota
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi si kriminal fjalimin e kryeministrit Rama ndaj medias, duke shkaktuar reagimin e këtij të fundit dhe një polemikë të zgjatur mes drejtuesve të mazhorancës e opozitës. “Fjalimi i Edi Ramës kundër gazetarëve është fjalim kriminal. Me fjalime të tilla, ai është duke nxitur përditë urrejtjen dhe dhunën ndaj gazetarëve. Gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar. Vetëm pak ditë më parë në Maltë u vra në mënyrë barbare një gazetare që hetonte kryeministrin”, u shpreh Basha. Sipas tij, klima që krijon Edi Rama inkurajon pikërisht kriminelët që të sulmojnë gazetarët që raportojnë dhe hetojnë krimin dhe korrupsionin. “Njeriu që ka thurur vetëm lavde dhe përkëdheli për Elvis Roshin, Saimir Tahirin dhe kriminelët e tjerë me të cilët rrethohet, duhet të ndalë menjëherë gjuhën e tij të rrezikshme. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, intelektualëve, gazetarëve dhe politikanëve ta denoncojnë dhe të mos heshtin përballë kësaj sjelljeje kriminale të kryeministrit. U bëj thirrje organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të huaj që të dënojnë këtë gjuhë urrejtjeje dhe të dhunshme të kryeministrit”, tha Basha.

Reagimi i Ramës
Ka qenë i menjëhershëm reagimi i kryeministrit Rama pas akuzave të Bashës. “LB ishe ti apo isha unë në Çadër, kur ulërije “të gjitha mediat janë të kapura nga droga përveç një kanali tv”, të cilin ia rekomandoje publikut si burim të kulluar?! Unë kurrë s’e kam imagjinuar, jo më ta them një veshëgjatllëk të tillë. Është thjesht shpifje! Prandaj kërkoju falje njëherë të gjitha mediave (përveç njërës) që i kriminalizove me baltën e Çadrës për muaj të tërë, ditë për ditë, pastaj fol sa të duash për rrezikun që u vjen nga fjalët e mia”, u shpreh Rama. Ai i kujtoi Bashës se dikur kishte qenë pjesë e medias. “Po mos e harro, unë kam jetuar me ta, kam punuar me ta, kam ngrënë kopaçe kokës e më ka dalë edhe gjak për lirinë e fjalës bashkë me ta. Apo s’e mban mend?! Kështu që nga unë e nga fjalët e mia dje, sot e mot, atyre mund t’u dalë më shumë vrer nga goja kundër meje e qeverisë sime, po kurrë nuk u ka hyrë, nuk u hyn e nuk do t’u hyjë një gjemb në këmbë. Kurrë. Por natyrisht, gojë s’kanë vetëm ata dhe gojën time e kam pasur, e kam dhe do ta kem sa të kem frymë, për të vërtetat e mia që nuk i negocioj e as i kyç në heshtjen hipokrite të medemek respektit për median!”, tha Rama. Ai shtoi se të gjithë jemi të lirë të flasim, njerëzit pastaj janë të lirë t’i gjykojnë të gjithë, edhe mua njësoj si gjithë të tjerët. “Të respektosh median, do të thotë të respektosh lirinë e tyre edhe kur gënjejnë e shpifin, po jo të heshtësh edhe kur gënjeshtrat e shpifjet e tyre bëhen mal para syve të tu. Ashtu sikundër ja edhe tani, në këtë moment, ti je i lirë të gënjesh e të shpifësh ndaj meje, siç po bën prej një muaji e ca – më vjen vërtet gjynah për ty po është e drejta jote të ribëhesh qesharak. Ama njerëzit duhet të dëgjojnë edhe anën time e pastaj gjykojnë vetë ata, mos e ki merak. Sepse, mos e harro, ta kam thënë shpesh, në publik po edhe sy më sy, kush i merr shqiptarët për budallenj e pëson dhe sa më shumë t’i bëjë për budallenj aq më keq e pëson! Çudi e madhe me ty o mik që nuk mëson”, mbyllet komenti i Ramës.

Kundërpërgjigjja e Bashës
Nuk është mbyllur me kaq debati Rama-Basha për mediat. Kryetari i PD-së ka ndërhyrë sërish pas komentit të kryeministrit. “Edi Rama si një çensurues i dobët, shtrembëron qëndrimet e mia për mediat. Nuk ka dhe nuk ka për të pasur kurrë sulm timin kundër gazetarëve. Ka pasur dhe do të ketë kritika për ata pronarë që nuk lejojnë gazetarët të raportojnë te vërtetën. Nga publicisti i dikurshëm, Edi Rama nuk ka mbetur asgjë. Ai tani është një autokrat i zhytur në korrupsion, drogë dhe krim, që sulmon gazetarët dhe mbron e promovon kriminelët. Vreri dhe urrejtja që ai nxjerr përditë kundër gazetarëve, bën kontrast jo vetëm me pazaret dhe favoret për disa nga pronarët e medias, por në veçanti me mbrojtjen dhe kujdesin që shpreh me fjalë e me vepra për Roshët dhe Tahirët me shokë”, u shpreh Basha. Sipas tij, krimi, korrupsioni dhe kapja e shtetit janë problemet që po e shkatërrojnë Shqipërinë. “Gazetarët që ngrenë zërin kundër tyre dhe i kërkojnë llogari kryeministrit, i shërbejnë njerëzve dhe të ardhmes së vendit. Zëri i tyre duhet mbrojtur, zërit të tyre duhet t’i bashkojmë zërat tanë për të denoncuar dhe ndalur të keqen”, u shpreh Basha.
Sigal