Rama-Basha, dueli 1 miliard euro

604
Kryeministri dhe kreu i opozitës debatojnë për planin masiv të investimeve që do të financohen nga bankat: Është apo jo pastrim parash?
Kryeministri Edi Rama dhe shefi i opozitës, Lulzim Basha, debatuan në distancë lidhur me projektin e qeverisë “1 miliard për rindërtim”. Për opozitën, ai është një projekt që duhet ndalur, ndërsa qeveria shpreson të sigurojë rritjen ekonomike të shpresuar. “Dëgjova që projektbuxheti i viti 2018 duhet të administrohet nga struktura ligjzbatuese si FBI, DEA, a ku di unë se çfarë, si një projekt, i cili është dokument që dëshmon se buxheti dhe përmes sistemit bankar, programi ynë “1 Miliardë për rindërtim” është tanimë në duart e krimit. Tani, ju të gjithë këtu jeni “në duart e krimit” dhe jo vetëm ju që jeni pa kufje, por edhe ata që janë me kufje. Madje, ata që kanë kufje janë “më të dyshuarit”. Kështu që është të qeshësh, por është dhe të qash, sepse këto janë sinjalet më dëmtuese për konsumatorin dhe për opinionin, në tërësi”, tha Rama në një takim me bankierët. Sipas tij, paralelisht me investimet e drejtpërdrejta nga buxheti ka filluar edhe zbatimi i Programit “1 Miliard për Rindërtim”, me negociatën që është drejt përfundimit për Rrugën e Arbrit dhe me një sërë projektesh të tjera që janë në radhë, duke u shqyrtuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. “Nëse ka një program ku nuk mund të diskutohet fare pastërtia e burimit të të ardhurave, është ky Program, i cili është i dizenjuar për të qenë një program falë bashkëpunimit të kompanive me bankat. Besoj që të gjithë e miratojnë se në aspektin e luftës kundër pastrimit të parave, Shqipëria është një vend me të gjitha standardet më të larta të Bashkimit Evropian dhe se nuk ka asnjë shans që të mund të pastrohen para në Shqipëri përmes sistemit bankar”, u shpreh Rama. 

Sipas kreut demokrat, janë me qindra milionë euro të prodhuara nga droga në duart e kriminelëve, të cilët duan t’i qarkullojnë dhe t’i pastrojnë këto para. “Nuk ka dyshim se ato koncesione që jep Edi Rama, kur emrat e koncesionarëve fshihen në parajsa fiskale, mund të jenë skema të pastrimit të parave të drogës. Nuk ka dyshim që kontratat e koncesioneve që Edi Rama i negocion dhe i mban të fshehta mund të jenë pastrim parash të drogës”, u shpreh Basha. Sipas tij, paraja e ndershme po largohet. “Prej katër vjetësh nuk ka asnjë investim të ri të huaj, ndërsa investimet e brendshme private po kështu janë në rënie. Ndërkohë që lulëzon droga dhe trafiqet. Paraja e pistë përzë çdo ditë paranë e ndershme nga tregu dhe nga Shqipëria. Dhe mos harroni, paratë nuk i pastrojnë vetëm kriminelët por edhe politikanët që marrin para nga kriminelët”, nënvizoi Basha. Sipas tij, projekti 1 miliardë euro duhet të ndalet tani. “Çdo koncesion, çdo investim që përfshin qeverinë duhet të hetohet me transparencë në çdo detaj. Prokuroria, e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë, duhet të hetojë pastrimin e parave dhe krimin e lidhur me të në çdo akt koncesioni dhe tenderi qeveritar. Depërtimi i krimit në ekonomi, kapja e ekonomisë së shqiptarëve nga krimi duhet ndalur tani!”, u shpreh Basha. 
Sigal