Rama: Asnjë investim i ri në infrastrukturë pa përmasën e gjelbër

432
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot projektin e “Një mijë klasave të gjelbërta” gjate nje aktiviteti te organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit . Rama tha se asnjë investim i ri në infrastrukturën arsimore nuk do të bëhet pa pasur parasysh përmasën e gjelbër që duhet të përftohet.
“Jemi të bindur që ajo çka kemi parë në projektin e parë pilot të realizuar falë bashkëpunimit konkret mes ministrisë së Arsimit dhe Energjisë, na ka shtyrë të shkojmë më tutje, dhe të hedhim në letër një projekt i cili është projekti i “një mijë klasave të gjelbërta. Duam të garantojmë që asnjë qindarkë nuk do të hidhet për të investuar në infrastrukturën arsimore pa pasur parasysh përmasën e gjelbër të produktit që do të marrim. Qoftë ndërtimi i ri, qoftë rindërtim, qoftë në vepër publike e realizuar nga themelet, të një çerdhe kopshti apo shkolle, qoftë dhe një ndërhyrje minimale me natyrë riparuese. Ky do të jetë një standard që MAS do e vendosë si parakusht qoftë në shpërndarjen e investimeve, qoftë në kërkesat për çdo garë publike që do të bëjë për një investim”, u shpreh Rama.
Rama tha se ky projekt parashikon transformim rrënjësor të një situate të rënduar nga mbipopullimi në klasa. Por, sipas kryeministrit, edhe pse fatura e këtij projekti nuk është e vogël, projektet nuk duhet të mungojnë. “Ka një faturë, dhe është një faturë që nuk është e vogël për Shqipërinë por unë kam qenë dhe mbetem gjithmonë partizan i bindur verbërisht i idesë se nuk janë paratë që sjellin idetë, po idetë që sjellin paratë. Nuk janë paratë që mungojnë, janë projektet që mungojnë. Nuk janë burimet financiare që kanë shteruar, po janë argumentat bindës të transformuar në një projekt bindës që e kthejnë të pamundurën në të mundur”, tha kryeministri Rama.
Sigal