Rama: “Aleancë me këdo që do rotacion”

477
Sigal

Kreu i PS-së deklaron se viti që po vjen është vit ndryshimesh dhe shprehu bindjen se kjo do të ndodhë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaron se forca politike që ai udhëheq është e gatshme të ofrojë dhe pranojë koalicion me të gjitha forcat e tjera politike në vend që duan dhe garantojnë rotacionin politik në zgjedhjet e 23 Qershorit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kreu socialist tha se vendi nuk ndodhet në kushtet e një normaliteti demokratik ku lejohet luksi i disa opozitave. Ai shtoi se viti që po vjen është vit ndryshimesh dhe shprehu bindjen se kjo do të ndodhë. “Ne jemi të bindur se viti 2013 do të jetë viti i ndryshimit dhe se zgjedhjet e 23 qershorit do ta mbyllin kapitullin e rrënimit të mëtejshëm, që është i lidhur me këtë keq-qeverisje. Ne do të krijojmë kushte për të hapur një kapitull të ri. Nuk jemi në një normalitet demokratik, ku mund të kemi luksin që të kemi disa opozita. Jemi në një anormalitet demokratik, ku rotacioni politik është një domosdoshmëri dhe madje është e para domosdoshmëri. Kjo do të thotë që janë kushtet për të krijuar një aleancë që shkon përtej dallimeve programore me synimin e garantimit të rotacionit. Për këtë arsye ne jemi tërësisht të hapur dhe mirëpresim çdo faktor politik, që është i gatshëm të kontribuojë për rotacionin dhe për të hapur rrugën që Shqipëria t’i rikthehet një normaliteti, ku secili të ndjehet pak më mirë dhe më i lehtësuar në vendin e vet”, tha Rama. Duke i bërë një rezyme vitit që po lëmë pas, Rama tha se për vendin ky ishte një vit i vështirë me një rënie dramatike ekonomike, me një borxh publik të rritur përtej mundësisë që ka vendi për ta përballuar atë. Në intervistën e tij, Rama shpalosi programin e socialistëve për rimëkëmbjen e ekonomisë, ku një nga shtyllat është edhe heqja e taksës së sheshtë, që opozita e quan një barrë të rëndë për të gjithë shqiptarët