Rama akuzon Kryeministrit: “Bëni presion mbi punonjësit e shtetit për të votuar PD-në”

453
Sigal

PS-ja  dje në qarkun e Elbasanit  ka prezantuar skuadrën e Rilindjes për garën e 23 qershorit.

Kreu i selisë rozë , Edi Rama, në fjalën e tij ka lëshuar akuza të ashpra nda mazhorancës se po ushtron presion dhe terror tek të gjithë punonjësit e administratës për ti marrë pas vetes në fushatat elektorale, sikundër më pas për tu marrë dhe votat. “Dua të them dy fjalë për presionet që po rriten mbi administratën, ku pushteti i kërcënon si skllevër. Mbi gjithë rrogëtarët e shtetit po bëhet një presion kriminal për ti detyruar ti bashkohen fushatës me qëllim që të marrin votën. U themi të gjithëve mos u përulni, ruajeni vendin e punës por mos u përulni. Zotohemi se çdo drejtor i çdo pjese të shtetit që është ose do angazhohet për të ushtruar terror te rrogëtarët do dalë para ligjit pas 23 qershorit” tha Rama. Ndërsa premtoi se ky makth në radhët e punonjësve të shtetit do të marrë fund pas 23 qershorit, Rama nënvizoi se krahas presioneve në administratë ka nisur dhe një valë gjobash, ku garantoi se me qeverisjen socialiste nuk do të njihet asnjë e tillë e vendosur përgjatë këtyre katër muajve të fundit. “Nuk do ketë më rrogëtarë të shtetit që do vihen në presion për arsye të bindjeve të tyre politike. Ne vijmë përpara popullit me premtim solemn që ti japim vendit dhe qytetarit lirinë për të menduar çfarë të dojë, për të thënë atë që mendon, për të jetuar me punën e tij, për të bërë biznes dhe mos u kërcënuar për shkak të bindjeve të tij. Pas 23 qershorit Shqipëria do marrë frymë lirisht. Ashtu si presionet po shtohet dhe vala e gjobave, që nga fshatarët që jetojnë me drutë e pyllit deri te biznesmenët dhe sipërmarrësit e mëdhenj. Nuk do njohim asnjë gjobë që është vendosur katër muajt e fundit para 23 qershorit”tha më tej ai. 300 000 vende të reja pune, taksim të ndershëm dhe heqje të taksave për biznesin e vogël ka premtuar kreu i PS me ardhjen e kësaj partie në pushtet, për të shembur siç tha ai, pushtetin familjar të Kryeministrit Berisha. “Kjo prani është shprehja më kuptimplotë e dëshirës së jashtëzakonshme për rilindje, për ta bërë Elbasanin pjesë të rilindjes dhe e pasionit të jashtëzakonshëm të socialistëve për të pasur shtetin që meriton. 22 vjet më parë edhe Elbasani u bashkua me entuziazëm me gjithë popullin shqiptar për të përmbysur regjimin, por pa as më të voglin dyshim të gjithë ata ndër ju nuk e ka përfytyruar që 22 vjet më vonë Elbasani do të ishte kryeqyteti i papunësisë, 15 vjeçarët e Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë do të ishin analfabetë funksionale, do kërkonin bukën borxh. Është zhytur në borxhe  Shqipëria, për këtë sot ne jemi këtu, jemi angazhuar të gjithë që të ndërmarrim rrugëtimin drejt një rilindje shqiptare, vendosjen e dinjitetit të çdo njeriu të lirë përmes punës. Shteti duhet të garantojë shërbime edhe për të varfrit dhe të papunët.  Bashkë me kryetarin e Bashkisë  Elbasan kemi vizituar shumë tregtarë të vegjël, që janë vetëpunësuar, kemi parë në sytë e tyre dëshpërimin dhe pafuqinë përballë rënies dramatike të fuqisë blerëse të njerëzve dhe pamundësisë për të paguar taksat që vinë nga një shtet arbitrar dhe nga një sistem i padrejtë taksimi. E ka kthyer Shqipërinë në një bajrak për një grup njerëzish, jemi të angazhuar që ta kthejmë 4 vjeçarin e ardhshëm në një betejë për të hapur 300 000 vende të reja pune. Jemi të angazhuar për të hequr taksën për biznesin e vogël, do të vendosim taksimin e ndershëm. Në 23 qershor do ti japim  fund epokës së turpshme ku pastruesja e Kryeministrit paguan më shumë taksa se Kryeministri, kjo do marrë fund në 23 qershor” përfundoi kreu i PS. Kreu i listës së kandidatëve për deputetë në këtë qark, Ben Blushi, garantoi qytetarët e Elbasanit se PS pas 23 qershorit do tu kthejë qeverinë që meritojnë. “Jam i nderuar që në 23 qershor do jem deputet i këtij qyteti dhe do përfaqësoj qarkun e Elbasanit. Pse Elbasani është sot kaq i varfër, nga qytet i kulturës është kthyer në një qytet të papunësisë, Elbasani i ka të gjitha, i mungon vetëm qeveria. Do tu japim qeverinë në 23 qershor” tha ai.

Damian Gjiknuri, kandidati i PS-së: “ Ju do të zgjidhni Rilindjen, jo varfërinë”

Kandidati i PS-së, për Qarkun e Elbasanit dhe sekretari për çështjen zgjedhore të PS-së, Damian Gjiknuri, në fjalën e tij, shtroi argumentet përse elektorati i Qarkut të Elbasanit duhet të votojë alternativën e PS-së. “ Berisha vjen e pret shirita mashtrimi në Elbasan, por nuk ka shans. Kjo zonë me varfërinë që e ka mbërthyer e ka të qartë zgjedhjen, do zgjedhë Rilindjen jo Kryeministrin që vjen me antiplumb në Elbasan” tha Damian Gjiknuri.

QARKU ELBASAN

1. BEN BLUSHI

2. DAMIAN GJIKNURI

3.EVISKUSHI

4. ALFRED PEZA

5. TAULANT BALLA

6. MUSA ULQINI

7. ARBEN KAMAMI

8. ILIR BEJTJA

9. LULJETA ARAPI

10. AGIM LEKA

11. KASTRIOT GURRA

12. MEHDI PEPA

13. ALTIN AGO

14. YMER TOLA

15. ROVENA BEQIRAJ

16. SOKOL SKURA