“Rama 2”, edhe 24 orë pritje

463
Diskutimet për “Rama 2”, Peleshi te Mbrojtja, Kodheli në Parlament

Kur duhen edhe dy ditë që kryeministri Rama të bëjë publike përbërjen e qeverisë së re, Televizioni “Klan” publikoi të tjera detaje që lidhen me formatimin e kabinetit të ri qeveritar. Kështu pritet që Mimi Kodheli të lërë drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, për të marrë kryesimin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit, detyrë që sesionin e kaluar mbahej nga deputetja socialiste, Arta Dade. Një tjetër lëvizje e pritshme është ajo e ish-numrit 2 të qeverisë Niko Peleshi, të cilit do t’i besohet Ministria e Mbrojtjes. Bashkëpunëtorin e tij të ngushtë kryeministri Rama pritet ta zëvendësojë me një grua që do të mbajë postin e zv/kryeministres. Pak ditë më parë shtypi zbuloi se ministri që do të konfirmohet është Damian Gjiknuri, ndërsa pritet rikthimi në kabinet i Lindita Nikollës dhe Fatmir Xhafës. Gjiknuri e Nikolla kanë bërë reformat më të vështira, siç e ka përsëritur shpesh vetë Edi Rama dhe kanë realizuar dy rezultatet më spektakolare të Partisë Socialiste në 25 Qershor, së bashku me atë të Fierit dhe të Durrësit. Ndërsa Gramoz Ruçi do të jetë kryeparlamentari i ri i Shqipërisë, siç është konfirmuar nga vetë Edi Rama. Në pozicionin e parë, atë të sekretarit të Përgjithshëm emrat zëvendësues diskutohen, Taulant Balla apo Blendi Çuçi. Ndërsa për kreun e grupit parlamentar emrat e Pandeli Majkos, Saimir Tahirit dhe Eduard Shalsit. Përbërja e kabinetit të ri qeveritar do të bëhet publike në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Socialisteve që do të zhvillojë punimet të dielën. Në qeverinë që Edi Rama pritet të shpallë gjatë mbledhjes së Asamblesë do të ketë më pak ministra, ndërsa do të realizohen edhe shumë bashkime sektorësh. “Synojmë të bëjmë më shumë me më pak”, është shprehur vetë Rama, duke paralajmëruar shkurtime të rëndësishme në numrin e ministrive. Gjithashtu, do të ketë edhe pakësim të disa agjencive shtetërore, që pritet të bashkohen dhe të ndryshojnë funksion. Agjencitë që merren me çështjet e pronës dhe ato që sigurojnë të ardhurat e buxhetit të shtetit janë ndër kryesoret që do të preken nga reforma e thellë e paralajmëruar nga drejtuesi i qeverisë. 
Sigal